Suplementi Pena Shqiptare/ Dritëro Agolli: “ Gjirokastra ime e bukur “

Dritëroi për mësuesit e shkollës së mesme “ Asim Zeneli”, Gjirokastër…

“ Pasi mbarova shkollën e mesme “ Asim Zeneli” dhe Universitetin e San- Peterburgut në Rusi, duke qenë gazetar në “ Zërin e popullit” , unë vija shpesh në Gjirokastër dhe takoja mësuesit e mi , Thoma Papapanon gjithmonë të rruar e me kravatë në jakën e pastër të këmishës, Vangjel Kostaqin me kokë mënjanë , të vëmendshëm dhe të sjellshëm, Fotaq Kekezin ngaherë kundërshtar dhe gati kryengritës;…ka vdekur shumica e mësuesve të mi, madje edhe e shokëve të shkollës; nuk jeton mes tyre Eqrem Kallfa, drejtori i shkollës, një burrë me karakter të fortë dhe i rreptë , që ne e quanim “ Eqremi i tmerrshëm”. I tmerrshëm për të mirën tonë. Nuk janë në jetë as mësuesit tanë , të ardhur në Gjirokastër, poeti Fejzi Dika, poeti dhe studiuesi Vehbi Bala, që e kishim drejtuesin e rrethit letrar . Gaqo Harilla , mësuesi i matematikës , njeri shumë i kulturuar ; Luigj Franja, pedagog i letërsisë e plot të tjerë . Unë gëzohem dhe e përshëndes me nderim , kur e shoh dhe e takoj Shaban Demirajn , akademikun e shquar , që e kam patur mësues të gjuhës në Gjirokastër, Urti Osmanin, mësuesen e kimisë , Antoneta Sherkon , mësuesen e biologjisë, Arta Franjën të matematikës dhe shoqe të Migjenit . Por mbi të gjitha mallëngjehem kur iu jap dorën dhe përqafohem me shokët e mi të shkollës së Gjirokastrës…”

NOA

“ Gjirokastra ime e bukur “

12.12.2005