Suplement Pena shqiptare/ Natasha Lako, Visar Zhiti dhe Mira Meksi

1032
Sigal

NATASHA
LAKO

Tregim
për këpucët e përbaltura

Nga këpucët e përbaltura,
trupi niste përpjetë,
atje lëkura jote e bardhë,
përkundte si në djep
një copë lëkure të vrarë, të zezë.

Ti heshtje,
unë zhvishja baltën shpejt e shpejt, nuk shihja
më këpucë, por dy kafshë të vogla, të therura.
që nuk flisnin më.

O, i kam dashur më shumë se ty,
ato dy kafshëza të vrara, që të ndjekin pas.

Nga një kalë i vjetër dhe i lodhur, ose nga hamshor i zi,
ka mbetur diçka te ti prej të gjithë centaurve.

Tani më kanë mbetur prej teje
vetëm ata dy këlyshë të heshtur, të vegjël.

 

Visar
Zhiti

 ËNDRRAT

Ti mbyll sytë, i dërrmuar

Nga puna e tmerrshme këtu nën tokë,

Patjetër je duke ëndërruar,

Se ëndrrave pranga s’u vë dot.

 

Dhe le ta bëjnë ferr galerinë

Ti vuan që të mbetesh ëngjëll,

Mbi supe si flatra ke mirësinë

Dhe fluturon nëpër ëndërr.

 

Ku vete kështu? Ah, unë e di

Dhe ëndrrat lodhen prej kaosit,

Dhe kanë ftohtë ashtu si ti

Veç me kapotën e të burgosurit,

 

Dhe s’po them që i vrasin ëndrrat

Që kam shëtitur ndër varret e tyre.

Ndodh që të nqa vrasin më parë se
ëndrrat

Dhe qajnë ato mbi ne si vejushe.

 

Befas u zgjove. Buzëqesh i trembur,

Sapo u ktheve nga ai vend i lumtur,

Balli i mbushur plot me ëndërr

E di që bëhet më i bukur.

 

 

Mira
Meksi

Mira Meksi ka mbaruar studimet e larta
për filologji frënge dhe hispanike. Është e njohur si përkthyese e Dumas-së,
Yourcenar-it, Duras-it, Borges-it, Marquez-it, Paz-it, Cortazar-it, Neruda-s,
etj dhe si autore romanësh, përmbledhjesh me tregime e librash për të rinj dhe
fëmijë. Mira Meksi është kryeredaktore e revistës letrare “Mehr
Licht!”.

Në një qytet legjendash në Spanjë,
murgjit “Luftëtarë kundër harresës së Ikonës” kanë vite që punojnë
për deshifrimin e misterit që vesh të kuqen e fuqishme të ikonave të Onufrit.
Brenda një realiteti të përndezur ndeshjesh me dema, rivalitetesh dhe tradhtish
të gjakta, Mira Meksi përshkruan lojën pasionante të jetës ku ngërthehen fort
dhe përleshen egërsisht Dashuria dhe Vdekja. Sikundërse kemi vënë në dukje edhe
në disa hapësira të tjera, e tërë krijimtaria e Mira Meksit lind dhe
kristalizohet nën dritën e hapjes ndaj tjetrit, duke rrëfyer për tjetrin. Kjo
hapje, ky përtejësim, në faqet e këtij romani jepet në formë më të qartë dhe më
të shprehur se në çdo roman apo tregim të saj të mëparshëm. Ndërsa tek krijimtaria
e mëparshme lexuesin e vërejmë të jepet si element strukturor i rrëfimit, porse
në një trajtë fort të ndërfshehur, në faqet e këtij romani prania e tij jepet
në formën më të hapur; ndryshe nga sa më parë, tek “E kuqja e demave” Meksi i
drejtohet drejtpërsëdrejti dhe në emër lexuesit, madje, duke e shoqëruar këtë
dialog me një ndriçim të fortë dhe mbresëlënës… E kuqja e demave është një
ikonë e madhe, një ikonë e gjallë, e mbrujtur me ngjyra të bollshme, me një
vizualizëm ekspresionist dhe me një imazheri të prekshme surreale, por edhe me
plot dritë-hije dhe me mister; porse, mbi të gjitha, është një ikonë vërtet e
arrirë, në të gjitha kuptimet, ngjyresat dhe përftesat e këtij termi, për vetë
ikonën, për natyrën dhe misterin e saj, një ikonë e përftuar nga soditja e
ngulmët dhe misterike, nga bashkimi dhe shkrirja e dy universeve, e dy
pafundësive, e pafundësisë së dritës hyjnore dhe asaj të shpirtit të soditësit.

Pikërisht kjo befasi, këto lëvizje plot
zigzage, larg çdo skeme kanonike, të cilat i hasim të pranishme edhe tek
hapësira ikonografike, janë gjithë sa na mbajnë gjithhershëm në suspense në
tërë rrëfimtarinë e Mira Meksit, duke na shtyrë vazhdimisht drejt leximit të
saj. Madje, më tepër sesa një herë.