Banka Botërore vlerëson se Shqipërisë do t’i duhen edhe 10 vjet me rritje ekonomike për të zhdukur varfërinë ekstreme

526
Sigal

Banka Botërore vlerëson se Shqipërisë do t’i
duhen të paktën edhe 10 vjet me rritje ekonomike 4% për të zhdukur varfërinë
ekstreme. Banka vlerëson se në Shqipëri janë të paktën 31 mijë vetë që jetojnë
me më pak se 120 lekë në ditë.

Standardi ndërkombëtar i vendosur nga Banka Botërore për varfërinë ekstreme
është niveli i të ardhurave 1.9 dollarë në ditë për person. Por, kjo shifër
është e shprehur sipas standardit të fuqisë blerëse. Nëse kthehet në vlerë
leku, në Shqipëri asaj i korrenspondon shifra 120 lekë në ditë.  

Të dhënat e fundit statistikore për nivelin e varfërisë i përkasin vitit 2012.
Në këtë vit, sipas Bankës Botërore, Shqipëria kishte 31 mijë persona ose 1.06
për qind të popullsisë që jetonte me më pak të ardhura se 120 lekë në ditë. 

Parashikimet zyrtare të bëra nga ekspertët e bankës tregojnë se për të zhdukur
përfundimisht mjerimin, Shqipërisë do t’i duhet të paktën një dekadë me rritje
ekonomike rreth 4%, e cila të shpërndahet në një mënyrë të drejtë tek të gjitha
shtresat e popullsisë. 

Shqipëria është një vend me të ardhura të ulëta, ku një pjesë e madhe e
popullisë, edhe pse nuk figuron nën nivelin e varfërisë, i ka të ardhurat vetëm
pak mbi këtë nivel. Kjo shpjegon edhe faktin se pse mbi 45% e popullsisë
shqiptare aktualisht jeton me më pak se 5 dollarë në ditë sipas standardit të
fuqisë blerëse, që në Shqipëri përkthehet më pak se 325 lekë në ditë për person