Suplementi Pena Shqiptare/ Virgjil Kule: Diell në plazh

242
Sigal

 

Kujtoj me mall tironcat që shëtisnin në plazhin e Durrësit me shapka kineze, ca me gisht, ca pa gisht. Disa kishin radio dore, ca të vogla e, ca të mëdha… Rrallë mund të shikoje edhe ndonjerin që, në krye të një grupi shokësh, mbante në sup kasetofonin e madh fare, (ghettoblasterin), me dy tela që zgjateshin te bateritë e rënda të ushtrisë, ngjyrë kafe, të futura në një qese të përdorur (nga jashtë shtetit), së cilës kishin filluar t’i shuheshin germat e reklamës. S’kishte kufje, ndaj, hera herës, përzjeheshin muzikat e kalimtarëve: Otis Redding me Lepa Brenën, Bitëllsat angleze me kabanë përmetare. Mund të zgjidhje të shëtisje me ritmin e personit që kishte muzikën më të pëlqyeshme për ty. Music for free !…

Nëpër kabina dyndej gjithë fisi e shoqëria që, pas plazhit, shplanin kripën me ujin e kovave që ngrohej në diell. Një gozhdë mbante rrobat e 5 vetëve. Kam ende para syve njërin që, duke shkuar për tek treni i kthimit, në një shkop mbante të varura që t’i thaheshin brekët e përditshme prej bezeje të zezë, që i kishte përdorur për rrobe banje. Pastaj një tjetër, që i mbante brekët mbi kokë, po ky i kishte të bardha në krem… Grumbulli i tironcave VIP te ‚Breshka‘ qe i fundit që rrallohej.

Plazhi, vendi i flirteve me kosto të ulët. Ato fillonin që në tren, ku njerëzit, për 55 minuta rresht, rrinin cip mbi cip dhe ishte mundësia që “të përfitohej nga rasti”. Vazhdonin pastaj nën diellin përvëlues apo në xhiron e buzëmbrëmjes. Nga Italia “tepër e largët” Gino Paoli këndonte “Sapore di mare, sapore di sale….Një shoku im më thoshte: “T’keqen Xhilo, ma përkthe içik’ se m’pëlqe shumë kjo konga!” Dhe unë ia filloja: “Aromë deti, aromë kripe”…por gjithmonë e ndërprisja se, shoku im nuk po dëgjonte më. Ndiqte me sy të etur lëvizjet e trupit të bjondes së radhës që kalonte. Vdiste për bjondet. Dhe asokohe bjondet ishin origjinale. U habita vite më vonë kur ai u martua me një brune. Gojët e këqia përdorën shprehjen misterioze e shumëkuptimshe “i kishte ngecur në dorë”, por, me sa di unë, ai ka kaluar një jetë mjaft të këndshme me të. Këtu afër janë të dy. Në Itali.