Shpend Topollaj : Ardian Cerga sjell etjen për jetën në zymtësinë e kohës

144
Sigal

Romani i Ardian Cergës me titullin intrigues “Kohë dashurish të harruara”, pasi vetëm dashuria ka privilegjin që të mos harrohet kurrë, me të gjitha hollësitë dhe të fshehtat e saj, qoftë edhe kur ka qenë ashtu kalimtare, apo me nëntitullin “Trillime të vërteta”, që pasi e lexon, dhe të dalin parasysh historitë dhe flirtet e tua, e kupton se aty nuk ka asgjë të trilluar, por është një rrëfim në vetë të parë që edhe në kompozicion, nis me një invers, pra varrimin e një burri të mençur dhe mbyllet me vdekjen e tij. Por midis këtyre dy momenteve dëshpëruese, gëlon jeta, me të gjitha mundësitë, që ajo të ofron, qoftë edhe kur të kanë degdisur në ndonjë humbëtirë si mbartës i shfaqjeve të huaja, sikurse i ngjet aktorit të talentuar nga kryeqyteti, Nanit. A nuk i ndodhi kështu Mihail Jurieviç Lermontovit të lindur në Moskë dhe të syrgjynosur në një regjiment në malet e Kaukazit, ku shkroi veç perlave të tjera romanin “Një hero i kohës tonë”, dhe ku njeriu fisnik Peçorini, mbeti ndër heronjtë më të skalitur të letërsisë botërore me vlerat e tij njerëzore, si dëshira për liri, adhurimi për virtytin dhe sidomos vlerësimi për dashurinë? Çdo kohë dhe çdo vend ka Peçorinët e vet, pavarësisht fatit të tyre, që shpesh ka qenë tragjik, e ca më shumë ne në Shqipëri, ku Stefani që e thërrisnin Baçi, që kishte studiuar në Vjenë, përplaset përgjithmonë në qytetin rrëzë malit të Tomorit, si shumë e shumë të tjerë, deri anëtarë të Byrosë Politike. Ai ka hyrë në moshë të tretë, por intuita e orjenton nga miqësia me aktorin e ri. Ata në intimitet, dhe duke mërmëritur Ennio Moriconen me shokë, ndihen të shpenguar, ndaj flasin pa nëntekste, madje edhe filozofojnë mes tyre dhe kështu janë disi të plotësuar. Baçi, me reminishencat e Vjenës, pa drojë, i përbuz fshatarët pa kulturë, siç gjejmë te “Ringjallja”. Pra, në qoftë se mblidhen rreth një gote rakije apo një tavoline me meze të sajuara, më shumë i gëzohen bisedave që bëjnë se në punë, Nani duhet të ruhet nga marangozi, që është sekretar partie. Një shoku i tij është burgosur. Kurse këtu flasin për Kamynë e Frojdin. Kufiri i moshës, tek ata është zhdukur dhe e quajnë njëri – tjetrin si dy të dënuar lashtësie: “Atlas” – 67 vjeçar dhe “Sokrat” – 23 vjeçar. Idetë, mendimet, shijet e preferencat, madje edhe dëshirat, nuk njohin moshë. Ja si shprehet Baçi: “…e bukura nuk është subjektive. Ajo është, endet, vërtitet kudo, në çdo mjedis, objekt, marrëdhënie apo fenomen. Mjafton të kesh mendje të mprehtë dhe do ta gjesh. Por… është tjetër gjë ta përjetosh atë, pasi përjetimi është emocion, gjendje të cilën nuk mund ta jetosh gjithmonë njësoj dhe me të njëjtin intensitet. Jam kureshtar, po këta për çfarë flasin këta?” Dhe ja si i përgjigjet aktori: “…e dimë mirë se çfarë bisedash bëjnë. Një pjesë besojnë, ndoshta me naivitet, se gjërat janë kështu siç janë, pasi, sipas tyre, ATIJ, TË MADHIT, nuk ia tregojnë si janë punët dhe AI nuk di gjë, ndërsa të tjerët përpiqen të mos përfundojnë si ne të dy, ose më keq”. Më tej: “Mallkuar qoftë kush na e bëri (komunizmin) peshqesh. Dhe pastaj flasin për femrat, ku Nani habitet kur Baçi pëlqen një qukapikse, vetëm pse i ka veshët e bukur. Ai ka bindjen se çdo femër ka bukurinë e vet dhe kjo është relative si çdo perceptim. Nuk ka femra të bukura dhe femra të shëmtuara. … Ka vetëm femra”. Por edhe Nani nga ana e tij i hapet atij dhe i tregon të gjitha aventurat, që i rezervon rastësia. I ka thënë se në këtë qytet do dashurojë vajzën e parë që nget biçikletën, dhe kjo dëshirë i plotësohet, kur në teatër vjen Ana. Nga ana e saj ajo është e guximshme: lë biçikletën në korridorin e pistë me erë të rëndë dhe hyn në atë dhomën e tij, gati mjerane, ku dritarja është mbuluar me një batanije dhe që lart, shiu herë me pika e herë me shirita, bije në dysheme. Mirëpo, koketimi vazhdon edhe me atë veshbukurën, Danielën, që duke qenë shitëse, që lexonte shumë, e sidomos brezin e humbur, e largojnë nga puna, pasi nuk ishte shumë e përkushtuar ndaj klientëve. Dyqani ishte thuajse fare bosh; atje kishte vetëm marmelatë, ndonjë kuti konserve dhe shishe vere të fshehura, kështu që klientëve nuk u duhej fare vëmendja ndaj tyre. Nani si aktor kishte luajtur edhe në disa filma dhe ishte bërë i njohur. Kjo njohje i shërbeu edhe për t`u miqësuar me pianisten Lola në tren. Jep e merr me të, edhe ndonjë telegram, ku thuhej: “Më mungon. Pas orës 18. Tel 3161. Lola”, por ha dhe një dru të mirë nga kushërinjtë e Anës, se në atë qytet, si kudo, nuk mungonin thashethemexhinjtë. Gjithsesi, qyteti vazhdonte rutinën e tij të përditshme: Lumi rridhte herë i qetë e herë i rrëmbyer, herë i kthjellët e herë i turbullt, qeni i Yzedinit lehte po njësoj, balta ishte gjithmonë po aq ngjitëse, vapa si vapa, mjegulla sa herë shfaqej, pengonte shikimin, reklamat, ku ishte portreti i Nanit, griseshin nga suferina, te Vasili, ku pihej kafeja dhe ndonjë gotë fërnet, ishte po ajo monotoni e zymtësi dhe të njëjtit personazhe, ku nuk mungonte ai që herë pas here ngrinte xhaketën që t`i dukej pistoleta. Ai qytet, që edhe ngjarjet e mëdha i përjetonte ashtu siç i thoshin: armik kryeministri që besohej se vrau veten, lot pa fund kur vdiq AI i MADHI fare dhe vijonte po si kudo: “Flamujt po shfaqeshin në gjysmështize dritareve dhe ballkoneve. Punëtorët e komunales, të heshtur e të mbuluar me pelerina gri, nën shiun e imët, kishin nisur t`i bënin tualetin mortor qytetit”. Por kishte dhe nga ata që nën zë e me shenja ndiheshin të lumtur që vdiq ai që duhej të kishte vdekur më parë. Dhe kishin të drejtë, pasi autori pa asnjë retorikë propagandistike na e jep tabllonë e zymtë të qytetit, dyqaneve, rrugëve, klubeve, shtëpive mjerane me aq vërtetësi, sa kushdo abstragon vetë. Një limon i kërkon gruaja e Baçit që po jepte shpirt dhe nuk vlente fare përpjekja e stërmundimshme e Nanit për ta gjetur as në hotel “Turizmi” dhe as atje në Pemëtoren ku ai kishte punuar. Me të drejtë Adrian Civici e quan këtë roman “…një rrëfim i mrekullueshëm i një epoke me një këndvështrim origjinal… dhjetra detaje e ngjarje “të vogla”, por shumë domethënëse” dhe Anisa Markajani që e konsideron rrëfim të ndershëm e të rrjedhshëm, për histori të një kohe, që brezi ynë nuk mundet e as nuk duhet t`i harrojë. I parë kështu, ky roman nuk do kuptuar si zgjatim i novelave të Stefan Cvajgut apo Anton Çehovit; ai ka në sfond atmosferën sociale, politike dhe ekonomike që Shqipëria kaloi në ato vite. Por kur kemi të bëjmë me letërsi, pra me art, patjetër që ndjenjat, dashuritë, marrëdhëniet intime, qofshin ato edhe të nxehta, do të zënë vendin e vet. Mendoj se autori i romanit ashtu siç ka ditur t`i shpalosë aftësitë e tij narrative fare thjeshtë, dhe me gjuhë shumë të pastër, po ashtu ka ditur edhe të ruajë sensin e masës, duke u udhëhequr nga parimi i Scott Adamsit se “Krijimtari është t`i lejosh vetes të bëjë gabime. Art është të dish se cilat prej tyre do të mbash”. E në qoftë se u shpreha se dashuritë nuk harrohen kurrë, ca më shumë nuk duhet harruar koha kur ndodhën ato. Dhe në qoftë se dikush mund të qortojë se përse Nani që në pjesën më të madhe të romanit, luan me ato tri vajzat, me të cilat nuk e ka seriozisht, do t`i thoshim se nuk kemi dëgjuar që ta kritikonte ndokush klasikun Gi dë Mopasan që deklaronte: “Dashuritë e para janë sikurse dhëmbët e parë, që bijen pa dhimbje dhe i lëshojnë vendin të tjerëve”.