Resmi Osmani: “BOLERO” – HYMN DASHURIE

188
Sigal

Skicë meditative

Eja e dashur, të sodisim bashkë këtë mbrëmje sesi në muzgun e mistershëm kalëron hëna midis reve dhe sesi yjet hedhin valle dhe rigojnë arin e zbehtë të dritës së tyre. Mbështete kryet në supin tim dhe le të kaplohemi të dy nga magjia e tingujve të boleros së Ravelit, një hymn  dashurie.

Dëgjoje:

O dashuri!

Nis e na kumton ardhjen e saj nga një tambur, e vetme, me rrahje zemre. Zemër e dashuruar, dridhje të qeta, të një trajtshme, të përmalluara, pulsime si psherëtima që si befasi tunduese pushtojnë hapësirën, i japin jetë ritmit. Si fillim një zemër, e vetmuar, që rreh e pulson gjakun e dashurisë në zemrat tona, në zemrat e njerëzimit, në rrëmbat e planetit. Dhe ja, si e drojtur, si psherëtimë molisëse, e përmalluar, vjen kënga e flautit, gjithsesi ngjan e veshur me vel të mistershëm,fluror, mistik. I bashkohen thirrjes të tjera e të tjera: ëmbëlsisht violinat, obotet, klarinetat, trompat, violinçelat. Një ansambël i tërë orkestral. Secila pulson e vibron me tinguj të qetë e të harmonishëm, si një e tërë zihen dorë për dore, bëhen ujem, edhe bashkë edhe veç, secila me bukuri dhe dashuri! Jonet tingëlluese mijëra, miliona, ngjiten qiellit si një galaksi. Me ritëm të qetë, si dallgë të paprashme deti nën dritën e hënës dhe zefirit. Bëhen njësh me ajrin, frymohen nga dëgjuesi, bëhen njësh me gjithë shqisat. Janë aty të gjitha, të vargëzuara: malli, shpresa, pritja, padurimi, dritësimi i syve, vështrimi ngashënjyes, ëmbëlsia dhe kumbimi tingëllues i fjalëve mikluese: të dua, të dua! Mjalti i të puthurave, pëshpërimat dhe psherëtimat, ngashërimi nga magjia e ndjenjave, ankthi i pritjes, fshehtësia e ndrojtur misterioze dhe përvëluese e Romeos dhe Zhulietës, pafajësia vergjine e Ofelisë, pastërtia dhe dlirësia e Desdemonës, pritja në anë det dhe shpresa e Vajzës së valëve, por edhe lotët, dhimbja dhe rënkimi për dashurinë mëmësore të Ajkunës për Omerin.

Dashuri, ti je kudo, në gëzim, pikëllim e hidhërim, në të qeshurat e të lumturve dhe lotët e fatkeqëve, në të lindurit që vijnë në jetë dhe atyre që ikin nga jeta, se brenga dhe hidhërimi ushqehen nga dashuria. Zoti është dashuri, dhe jeta fryt dashurie.

Rrimë e dëgjojmë. Ndjej nemitjen tënde të qetë. Një mahnitje. Nga Boleroja derdhet deti i tingujve, harmoni qiellore, mistike, ku nuk mungon gjëmimi, vrulli furia dalldisëse e ndjenjave të shpirtërave të lirë. Në to janë gjithë dashuritë. Se dashuritë janë të shumta. Po kjo ç’është? Rënkim, ofshama e një trombone si rrënimi i zemrës dhe shpirtit. Është Otello. Xhelozia, urrejtja, shemrat e tua dashuri. Bardh e zi, dritë dhe errësirë, natë dhe ditë, besnikëri e tradhëti, urrejtje dhe dashuri këto çifte mundonjëse, si dyzim dhe luftë e të kundërtave rrënuese, munden prej teje, se je më e fuqishme, triumfuese, forcë që lëviz botën, diellin, hënën dhe yjet, se ti je hyjnore!

O dashuri!

Ti je frymë që, i jep gëzim shpirtit dhe gjallëron gjithësinë! Je në puhizën e ngrohtë pranverore, që shkrin borën dhe akullin, që ngjall natyrën zgjon nëndhe farërat dhe rrënjët, vesh me të gjelbër  pyllin. Ti je që çel  mijërat e luleve  në lëndinat e jetës, në bukurin e trëndafilave – mbret i luleve, e kuqja e dashurisë, e bardha e pastertisë dhe besnikërisë, e verdha e….xhelozisë! Sepse emri yt është vetë bukuria. Jasemini dhe zambaku kanë aromën tënde që ermiron ajrin. Ngrohtësia jote pranverore mbulon me vello nuserie bajamet dhe mimozat. Përkëdhel faqet e vashave, ngjall dëshirat dhe bën të ëndërrojnë për djemtë dhe djemtë për vashat. Je në cicërimat e zogjve dhe buzëqeshjen plot dritë të gjithçkaje që na qarkon. Në piklat e vesës mbi fijet e barit që rrëzëllejnë si diamante nga puthja e rrezeve të diellit.

Edhe natyra është dashuri.

Edhe jeta është dashuri.

Ti je te çdo fëmijë që lind, në gugitjen e tyre, në buzëqeshjen e dashur të nënave dhe në melodinë e ninullave që ve në gjumë dhe rrit të vegjëlit. Në çdo çerdhe të dallandysheve, në gugatjen e pëllumbeshave, në këngën e bilbilave.

Ti je magjistare, fuqia jote e shndrroi Zeusin në mjellmë për t’u bashkuar me Ledën, dhe që ajo të lindte Helenën, më të bukurën dhe më të dashuruarën dhe ngashnjyesen e grave. E shndrrove Narcisin në zambak, dhe Adonisin në anemonë, lulen që çel stinën e pranverës.

O dashuri!

Ti je krijim. Sepse nuk ka krijim e ngjizje pa dashuri. Eros në vargjet e poetit që derdh në to shpirtin, me gjithë drithërimet, të hymnizon, lumturon, shigjeton dhe plagos zemrat.  O sa shumë poezi për ty, pa fund! Je në dritë – hijet dhe ngjyrat e ylberta në tablotë e piktorit, shtatoret dhe nudot me linjat elegante të skulptorit. E si mund të krijohej Mona Liza dhe Afërdita e Milos pa dashuri? Je te Hirushja e prrallave dhe princi i kaltër, jo vetëm si ëndërr, por edhe dëshirë mahnitëse. Në fluturimin e avionëve që përshkojnë hapësirat dhe bashkojnë zemrat. Je në çdo kokërr gruri, në bukën taze të tryezave tona, në vilet e rrushit, në gotën e verës kuqaloshe, se bujku ka punuar dhe derdhur djersë, i ka selitur me dashuri, me dashurinë për jetën.

Dashuri, amore, loëe, ljubov, sevda…..Je fjalë  në gjithë gjuhët e botës, fjalë parake, e ndryshme në tingëllim, e njejtë në kuptim, se fjala ishte e para, dhe ndofta ti je e para e fjalëve!

Fundi: një tingëllim madhështor i gjithë orkestrës, një hymn: zbresin ëngjëjt, happen dyert e parajsës dhe vjen kumti: njerëz, duajeni jetën, duajeni njeri-tjetrin, jetoni në paqe e miqësi dashurohuni dhe lumturohuni!