Prozë Poetike
Prof. Dr. Ago Nezha
Opozita e coptuar, nga “Foltoria” e mëkuar, nuk pushon duke akuzuar, deri edhe deputet, që kanë kontribuar, edhe pse misioni i saj ka dështuar. Përsëri drejt marrëzive është duke vrapuar, se beson që me këto metoda do dalë e fituar. Edhe pse e çarë e përçaër, e plagosur e vrarë, ka marrë një mision barbar, për të denigruar, shpifur e sharë, deri lider parlamentar. Në kopenë e deputetëve prej 140 veta, që vegjetojnë në parlament, që marrin rroga të majme pa bereqet, me honorare e me dietë, është i vetmi deputet, që e ka emrin Vullnet, që jo vetëm nuk përfiton asnjë privilegj, përkundrazi me të ardhurat e tija dhe rrogën, të vobegtëve j’ua jep. Deputeti Vullnet, dha 100 miljon ndihma kur ra tërmeti, ka sponsorizuar shumë aktivitete dhe s’ka përfituar asgjë për vete. Papritur kurdisi opozita sahatin, e propozoi që Vullnet Sinës t’i heq mandatin. Në qiell të pastër një rrufe shkrepi, goditi një model deputeti, në qitje u vu Vullneti, qesharak preteksi që gjeti, se ka përfituar para nga buxheti. Ai, jo vetëm që s’ka përfituar, por me paret e tija ka ndihmuar e kontribuar dhe është modeli që duhet referuar, se rrogën të varfërve j’ua ka dhuruar. Ky skenar që doli në dritë, për të nxjerrë një deputet model në pritë, u bënë bashkë të kllonuar ca banditë, hileqarët në opozitë e pozitë, po në vënd të venë vetulla do nxjerrin sytë, se e vërteta do dalë një ditë, si është kurdisur nga të dy partitë. Nuk di për kë të bësh be, ata që janë në qoshe, apo atyre që u vjen era hale, se të gjithë hiqen melaqe, i miri bëhet pre. Opozitë edhe pozitë, verbohen kur shohin dritë, gjuajnë kush t’u dalë në pritë, nuk pyesin të tutë, apo të mitë, sulmohet ai që ka meritë, nga një turmë me parazitë. Goditen ata që punojnë, ndihmojnë e kontribuojnë, për njerëzit që kanë nevojë, dhe asgjë për vehte s’përfitojnë dhe nderohen ata që vegjetojnë. Betejën që ka nisur opozita, të thërrasë parlamentin me 140 petrita, t’i heqë mandatin e deputetit Vullnetit, ngjan me ditën e qametit, që shfaqet me fytyrën qesharake të parlamentit. Opozitë dhe pozitë, po nxjerrin gjahun në pritë, u janë veshur sytë, se si deputet Vullneti s’ka të dytë, do u ngelet kocka në fyt, djallëzia e pabesia do t’i mbyt. PD-ja s’është më parti, ajo është kthyer në parodi, që shpif, shan e kërcënon çdo njeri, nuk pyet është i “bardhë” apo i “ zi”. E ka kthyer parlamentin në komedi, që çdo veprim i saj është një budallësi. Kopenë parlamentare s’ka kush ta ndreqi, u ka hyrë në bark dreqi, aty s’dallon i miri nga i keqi. Aty i majti është bërë i djathtë, dhe i djathti është bërë i majtë, konkurojnë kush të hedh më shumë baltë dhe populli na i duartroket, zoti i faltë. Një popull që betohet për partinë, që duartroket varfërinë, e ka minuar demokracinë.

Parlamenti i pushtuar nga morboziteti, vështirë të nxjerrë burra shteti, ndaj shahen e grinden ndërveti, të përfshirë nga anomaliteti i ndjenjave dhe karakterit, i shtazëruar prej gjykimit, që për kryefjalë ka akuza ndaj korrupsionit e krimit. Parlamenti ynë i mjerë, hap një derë e mbyll një derë dhe sheh e dëgjon probleme pa vlerë, nga një grup delenxhilerë, që mendojnë veç për karrierë, në ndërgjegje s’kanë: “ as turp, as nder”.
Ky parlament e ka humbur besimin, për të vërtetën se ka gjykimin, elektorati ka shqetësimin, se të dy krahët kanë parimin, të godasin më të mirin dhe s’njohin parime s’njohin kufirin, pseudoliderët kanë delirin. Sokratin e lashtësisë, falë mençurisë dhe filozofisë, e pyetën intelektualët e Greqisë: Kë urren më shumë i madhi Sokrat? Ai, u përgjegj pa e humbur fillin: “ Në kafshët e egra shpifësin, në kafshët e buta servilin”, zgjidheni vetë më të mirin?!…
Filozofia e akuzatorit do tretet, me parimin: “ shpif, shpif se diçka do mbetet”.




















