Myzafer Xhaxhiu, 100-vjetori i lindjes së poliglotit të përndritur gjirokastrit

762
Sigal

 

 Muzafer Xhaxhiu (Gjirokastër15 maj 1921 – 28 janar 2012) ka qenë studjues, shkrimtar dhe përkthyes shqiptar. I diplomuar në Beograd dhe në Moskë, për letërsinë klasike greke dhe latine, jeta e tij i është kushtuar gjithmonë klasikëve të mëdhenj të njerëzimit. Shkrimet e para letrare të profesorit kanë të sigluar vitin 1939. Veprimtaria krijuese është e shtrirë në atë shkencore, letrare, në përkthime etj. Si studiues, profesor Xhaxhiu do të punonte për etnogjenezën e shqiptarëve, si pasardhës të pellazgëve dhe ilirëve. Krijimtaria letrare e tij përmendet që nga “Lirikat” në vitin 1957 dhe deri në “Këngët e Mjellmës”, botim i vitit 1999. Ndërsa, dy nga veprat e tij më të spikatura janë “Letërsia antike greke” dhe “Letërsia romake”. Muzafer Xhaxhiu mbante titullin “Mjeshtër i Madh” dekoruar nga Presidenti i Republikës për punën e tij afro shtatëdhjetëvjeçare dhe kontributin e çmuar për letërsinë dhe fjalën shqipe.

… poligloti i përndritur gjirokastrit, Myzafer Xhaxhiu

 

Profesor Myzafer Xhaxhiu njihte 8 gjuhë të huaja. Studiuesi I njohur, I cilësuar si helenisti I fundit shqiptar, mësimin e gjuhëve të huaja e filloi me latinishten dhe greqishten e vjetër që në gjimnaz dhe e përfundoi me anglishten, të cilën e ka mësuar në mënyrë autodidakte.

E ka mësuar italishten në moshën 11 -vjeçare, dhe më pas për nevojë të profesionit I është dashur të mësojë dhe shumë gjuhë të tjera. Nuk ndan asnjë prej tyre. Ashtu sikurse prof. Myzaferi, I cili thotë se po të përzgjedhë njërën prej tyre i duket sikur do të hedhë poshtë gjuhët e tjera dhe shkrimtarët e mëdhenj që kanë përfaqësuar ato. Sepse në fakt, sipas tij, me gjuhën që flet dhe studion, njeriu krijon edhe marrëdhënie shpirtërore. “Duke dashur dhe duke çmuar Shekspirin, Hygonë, Danten, Tolstoin, lidhesh dhe me vendin ku flitet gjuha e tyre”, thekson professor Myzafer Xhaxhiu.

 

Poezia  për të ka qenë ‘stacioni’ i tij i parë

 

Muzafer Xhaxhiu ka lindur dhe është rritur në Gjirokastër. “Gjirokastra, siç është shprehur dikur ai, ka qenë një qytet i çuditshëm, madje vazhdon të jetë i tillë. Ka shumë mister në atë qytet prej guri dhe atje gjërat nuk ngjanin me asgjë tjetër. Pra, vetë Gjirokastra ishte një qytet që nuk ngjante me asgjë. Dëshira për të shkruar nuk më kujtohet saktësisht se kur më lindi. Por kam në mendje nënën time. Ishte bijë nga bektashinjtë e lagjes, Pllakë, në Gjirokastër. Duhet të kem qenë shumë i vogël, kur, me rastin e festës së Novruzit, në një ditë marsi, dëgjoja të thoshte përmendësh disa vargje nga një vjershë e Naimit.

Ç’është ai që shkon kaluar

Është Abaz Aliu

Me dy-tri foshnja në duar,

Ikën si veriu.

Aneja i thoshte këto vargje me një zë si në të qarë. Ka qenë kjo magji që më shtyu t’i thosha: “Dua edhe unë të bëj vjersha si Naimi.” Isha në klasën e dytë fillore, dhe nëna m’u përgjigj: “Proto parë, mëso mësimet dhe bëhu djalë i mirë të të mbajë bota në golë.” (të të lavdërojë bota). Më pas fillova të hidhja ku këtu e ku atje nga një strofë e nga një varg. Herë në letra e herë në fletore, në kapakë librash e ku të mundja. Kështu nisi rruga drejt poezisë…Ishte një kohë e magjishme për krijuesit. Kishte emra dhe stile të fuqishme. Shkruhej drejt dhe fort për halle njerëzish e për një vend që duhej të ishte ndryshe. Secili kishte zërin e tij, penën që e dallonte. Migjeni ishte Migjen, po kështu Bulka, Shuteriqi dhe shumë të tjerë. Unë isha një prej të shumtëve. Vija me skica, artikuj, poezi dhe shkruaja te gazeta “Bleta” apo te “Tomori i vogël”. E kujtoj me shumë mall atë kohë”.

Poezi lirike të Xhaxhiut

 

Kusarë

Ma vodhe zemrën,

Kusare!

Pa të, si mund të ndiej?

Dhe tani s’kam ç’bëj,

Do të të vjedh ty!

Kusarë që të dy!

Njësoj.

 

Për V. K. -në

Veten s’e mbyta dot me nikotinë.

Dhe e gëlltita si t’ish ujë e verë,

Paçka se mushkërinë

E kam të nxirë sterrë.

E shoh se koha rrjedh e fluturon,

Dhe e pangopur na gëlltit çdo ditë.

Si me dhe pa cigare, gjë s’ndryshon.

Vdekja çdo çast, njësoj na rri në pritë.

E po nuk erdha…

 

Kur të largohem un’ nga kjo jetë,

Qoftë mot i mirë apo shi, furtunë,

Mos qani, veç i ngrini syt’ përpjetë,

Shikoni retë. Aty do jem dhe unë.

I djegur mallit do të zbres në tokë,

Në ndonjë rreze dielli a lot qielli.

Do të pi kafe në ndonjë kioskë me shokë,

A do pushoj në ndonjë hije bredhi.

E, po nuk erdha, lus mos më gjykoni.

Një hall të madh do të kem pas’ në jetë.

Ësht’ më e fortë se vdekja, më besoni,

Kur një Kalipso të zë rob në rrjetë…

Dëgjomëni, pa më përgojoni

Dhe kur të vdes, mos m’i përmendni vitet,

Mos thoni, se ishte kaq e aq,

Iu hoq qafe shtëpisë.

Doni t’jua them?

Vdiqa në moshën e dashurisë.

Nga krijimtaria letrare

“Lirika” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1957

“Rapsodi magjare” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1957

“Vargje për dashurinë” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1963

“Ujërat e pranverës” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1971

“Ditë maji” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1987

“Kënga e mjellmës” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1999

“Çmenduri natyre” (poezi) – “Dituria”

Vepra të përkthyera në shqip

“Vesë lotësh” (antologji e poezisë botërore) – Toena, 1994

“Endre Ady” (poezi) – Albinform, 1998

Giovani Bernardi, “Faleminderit” (poezi) – Toena, 1998

“Antologji e poezisë bullgare” – Dudaj, 2001

“Antologji e poezisë lirike botërore” – Toena, 2005

Tituj, medalje, urdhra

Mban titullin Profesor Doktor

Medaljen “Mësues i merituar”

Urdhrin “Naim Frashëri” i Klasit të Parë

Urdhrin “Naim Frashëri” i Klasit të Dytë

Medaljen “Mjeshtër i madh i Punës”, dhënë nga Presidenti i Republikës më 2001-shin