Në Gjirokastër,por edhe më tej e njohin si poet e fabulist dhe pakkush e di që Çano Nora më së pari inxhinier gjeologjie.Madje për gati 15 vjet drejtoi shërbimin gjeologjik me qendër në Gjirokastër.Sa i thjeshtë aq hokatar , sa i shtruar në bisedë , aq edhe shpërthyes kur i bie muza e krijuesit ,ish studenti i shkëlqyer i fakultetit të gjeologji – minierave ,që e nisi karrierën profesionale nga lartësitë e maleve të Pukës.Aktualisht jeton e punon në qytetin e gurtë , prej nga prodhon përditë e më tepër fabula të shumta që i boton në shtypin e Tiranës. Ka sakaq një mori librash me këtë gjini ,duke qenë nga të rrallët shkrimtarë e poet që kanë mbetur në këtë fushë joshëse për lexuesin.
Po kush është fabulisti Çano Nora dhe cila është historia e inxhinierit të gjeologjisë që ka dashuruar krijimtarinë aq edhe profesionin e tij?
Në një rrëfim për gazetën “Telegraf” ai shprehet për herë të parë për jetën e tij.
Zoti Çano! Së pari, ju autori i mjaft librave me fabula dhe jo vetëm , asnjëherë nuk kini folur për historinë tuaj?
Unë kam lindur në Fushë bardhë të Gjirokastrës. Jam rritur në një familje të thjeshtë , por që ka ndikuar shumë në formimin tim. Isha në shkollën 8 – vjeçare kur gjeologjia e Tiranës bënte kërkime për fosforite në Fushë Bardhë.
Minerali i fosforit flinte nën këmbët tona.Më thoshte shpesh im At,përse nuk bëhesh dhe ti gjeolog ,të punosh për fshatin tënd ,për vendin tend? Unë fukara kam qenë, një xhaketë se kam grisur në jetë , por për ty do të bëj çmos që të vazhdosh shkollën dhe të dalësh inxhinier. Këshillat e tim Eti i dëgjoja çdoherë , gjersa edhe unë u binda për të vazhduar studimet , për të zbuluar fosforin që rrinte i pazbuluar me shekuj. Kisha dëgjuar që gjeologët çekë kishin punuar për zbulimin e fosforiteve në Gusmar të Tepelenës dhe ata gjermanë në minierën e qymyrgurit në Memaliaj. Por më vinte ndërmend mendimi :Përse të mos e merrnim ne përsipër zbulimin e pasurive tona, por prisnim nga të huajt?!
Dhe vazhdova studimet në shkollën e mesme gjeologji – miniera në Prrenjas dhe në fakultetin e gjeologjisë Tiranë.U titullova inxhinier gjeolog, por nuk më sollën të kontriboj në vendlindje, në Fushë Bardhë, por më emëruan në Pukë. Edhe ajo Shqipëri ishte ,edhe atje kishte nevojë për mua.
Me çfarë rezultatesh i përfunduat studimet e larta në universitetin e Tiranës?
Në shkollë nuk kam qenë problematik asnjëherë. Kam qenë i mbarë që nga klasa e parë ,por prindërit e mi më qëndronin “çekan”në kokë, se donin që të mos i turpëroja asnjëherë.Në shkollën e mesme s’kam bërë ndonjë llogari ,por di që isha nxënës i nëntës dhe dhjetës. Në të lartën mbaj mend që zbrita te nënta, por prapë isha ekselent siç thonë sot.
Ku filluat punë së pari si inxhinier gjeologjie?
Në Ndërmarrjen gjeologjike të Pukës , në ekspeditën “Kodra e Keqe” afër malit të Munellës.Vetëm emrin kishte të tillë, se në thellësitë e saj ne zbuluam një vendburim të ri bakri , i cili mori emrin “Rruga e Rinisë”. Nuk ishte vetëm fryt i punës së gjeologëve, por i tërë kolektivit. Më vonë punova në divizionin ushtarak të Elbasanit , në kombinatin Metalurgjik të atij qyteti dhe në minierën e qymyrgurit në Memaliaj. Në vitin 2005 dhe gjersa dola në pension më emëruan drejtor të degës gjeologjike në Gjirokastër. Ky ishte një vlerësim për mua. U përkushtova shumë në detyrë që mos t’i zhgënjeja ata që më emëruan në atë detyrë. Dhe kam qenë në shërbim të qytetarëve , për të mbrojtur jetët njerëzore dhe ndërtimet e qytetit tim dhe të gjithë jugut të Shqipërisë. Le të kujtojmë këtu rrëshqitjet e tokës në tri lagjet e.Gjirokastrës ,që i rrezikuan shumë banorë të lagjes Puntore dhe asaj të lagjes Cfakë dhe Kodra e shtufit.
Çfarë lidhje kishte inxhinieri i kërkimeve me fushën krijuese tënden?
Zanafilla e kësaj e ka origjinën tek nëna. Nëna ime,Feridja përdorte shumë metafora. Është kohë e mërzitur sot, më thoshte. Im At,sa herë që vinin makinat nga qyteti, thoshte:- Erdhën bezinatat!
E kishte fjalën për makinat që punonin me benzinë. Kënaqesha me shprehjet e tyre të bukura .Në një farë mënyrë , prindërit e mi ndikuan shumë tek unë, duke u bërë mësuesit e parë të letërsisë për mua. I rritur në një mjedis të tillë nisa të shkruaj dhe të botoj që herët.
Kur vija me pushimet verore në Fushë Bardhë , shkruaja reportazhe në gazetën “Pararoja” të Gjirokastrës. Isha vetëm 18 vjeç kur bëra artikullin “Njëzetë e katër orë pranë sondës”. Shkrimi i lexuar në faqet e gazetës tek radio Gjirokastra.Të gjithë ishin mbledhur rreth një radioje Iliria . Ato ditë njoha shumë. Ishin miqtë e mi , që i njoha nëpërmjet gazetës. Një herë më dërgoi gazeta Bashkimi në Sarandë me shërbim. Bëra një shkrim për fatosat e Fushëvërrisë së Delvinës. Ata këndonin këngën për Enverin. Zërat e tyre më ngjanin me cicërimat e zogjve. Ai shkrim më doli shkrimi më i bukur i javës.
Ju ka qëlluar të ndëshkoheni ndonjëherë?
Po. Bëra një shkrim për grupin e Bënçës të cilin e botova te gazeta “Zëri i Rinisë”. Më thërriti kryeredaktori i asaj gazete Tonin Shtjefni . Ke bërë një shkrim për grupin e Bënçës,- më tha. Sekretari i parë të kërkon ballafaqim në Tepelenë , se ke shkruar pa pyetur partinë. Përse duhej të pyesja. atë?- i’a ktheva unë.Grupi i Bënçës është më i miri në shkallë vëndi. Del edhe jashtë shtetit, pra është me garanci politike.
Kryeredaktori nuk e vazhdoi më tej bisedën, por u ndamë ftohtë.
– Mos na krijoni probleme me partinë,- më tha në të ikur.
Në gazetën “Shkumbini” të rrethit të Elbasanit botova një shkrim kritik për një kryetar kooperative në Mlizë. Më thirri kryeredaktori, i cili ishte njëkohësisht dhe zv.president i bashkimit të gazetarëve të Shqipërisë .Pse ke shkruar për të?, – më tha. Ku i more të dhënat?
– Në komitet, – i’a ktheva unë. Në seksionin e bujqësisë.
– E di ti që atë e kemi anëtar të plenumit të partisë së rrethit? Për këtë nuk do të të botojmë më në gazetën tonë.
Kur kishit prirje për gazetari, pse nuk i vazhduat studimet për gazetari, por për inxhinier gjeologjie?
Pas përfundimit të studimeve në shkollën e mesme , bëra kërkesë për degët që pëlqeja. Kërkova për gazetari, por më dhanë degën e gjeologjisë,në fakultetin gjeologji – miniera. Kur studentët e tjerë ngjisnin shkallët e fakultetit në ditën e parë të shkollës, unë ju drejtova Lidhjes së Shkrimtarëve. Atje takova Dritëro Agollin dhe Vath Koreshin.
– Më doli e drejta e studimit për në gjeologji,- i thashë unë.Unë pëlqej gazetarinë,- vazhdova më tej.
– Do vesh në gjeologji, do bëhesh gjeolog,- më tha Dritëroi. Duke qenë gjeolog bëhesh poet e gazetar, ndërsa të jesh poet e gazetar nuk bëhesh dot gjeolog.
Çfarë lidhje keni aktualisht me gazetarinë?
Shkruaj e botoj vazhdimisht në gazeta, sidomos te gazeta “Telegraf”. Aty më pëlqen më shumë,se ajo gazetë edhe prezantimin e bën më të bukur dhe lexuesit më ndjekin më shumë.
Në fshatin Arshi Lengo në Gjirokastër, takova njërin që kishte marrë pjesë në kryengritjen e vitit 1948 në Zhapokikë të Tepelenës,Haredin Selën. Kryengritja dështoi dhe Hajredinin me organizatorët i kapën dhe i burgosën. Ndërsa. ai vuante dënimin në qelitë e burgut, e shoqja ,Emineja,hiqte me dorë pesë plumba nga trupi i saj,si të ishin gjëmba. Policia e rrethoi shtëpinë e tyre në Zhapokikë dhe se lejonte që të mbante lidhje me të afërmit dhe bashkëfshatarët e tjerë. Në mbrëmje , kur ajo doli për të mbyllur bagëtitë në kasolle , policët e gjuajtën me pesë plumba në trupin e saj.
Çfarë është poezia për Çano Norën?
Poezia për mua dhe për këdo tjetër është ndjenjë , është pasion, është dashuri. Po s’të ngacmoi një ndjesi e brendëshme, s’bën dot poezi. Unë kam bërë që i vogël poezi, jam dashuruar me të dhe kam mbetur i dashuruar. Poezia dhe gjeologjia ,janë të dyja në shpirtin tim , janë rritur bashkë dhe kanë plotësuar njera – tjetrën. Kam botuar në shtypin letrar krahas poetëve Skënder Buçpapaj,Hamit Aliaj ,Agim Isaku etj.Përkrah poezive të tyre ishin dhe ato të mia.Ndjehesha mirë dhe më dukej se po ecja në rrugë të mbarë.
Sa libra me poezi keni botuar?
Kam botuar pesë libra me poezi dhe po punoj për një libër të ri në këtë gjini, paralelisht me fabulat dhe publicistikën.
Sakaq njiheni edhe si fabulist i suksesshëm. Ju me fabulat e tua po “ç’mendni” gjirokastritët.
Çfarë vendi zënë fabulat në krijimtarinë tuaj?
Kam vite që merrem me fabula.Më pëlqejnë fabulat poetike.Dialogu në të është i shpejtë dhe mesazhi përcillet drejtë për drejtë,pa u zgjatur, se pastaj do të ngjanin me përrallat. Përveç botimit të fabulave në vazhdimësi te “Pena shqiptare” e”Telegrafit” kam botuar tetë vëllime me fabula për të rritur,
një për fëmijë dhe një të përkthyer në gjuhën greke.Është në proçes botimi dhe një libër në gjuhën angleze.
Në të gjitha botimet e kësaj gjinie , elementët figurativ, si alegoria, hiperbola ,ironia etj janë lezetuar dhe me humorin me kripë gjirokastrit nga ku kam dhe origjinën.Personazhet janë të shumta dhe luftojnë fenomenet negative të kohës së sotme me gjuhën e kafshëve e të sendeve. Fabulat i kanë pëlqyer poetë e fabulistë ,por unë vlerësohem më shumë kur i pëlqejnë lexuesit, se poetë e fabulistë ka pak, ndërsa lexues ka shumë.
Ju edhe në publicistikë po shkëlqeni në këto vitet e fundit, sidomos te gazeta “Telegraf”, si është e vërteta?
Unë i kushtoj shumë vëmëndje kësaj gjinie.Më tërheq shumë të bëj intervista,të takoj njerëz, t’i marr në intervistë ata që kanë një histori për të treguar.Më pëlqejnë temat e.veçanta, që kanë një histori jo të zakonshme brenda. Nuk i bëj intervistat asnjëherë nga zyra, por shkoj atje ku janë njerëzit , ku janë historitë e veçanta dhe që kanë interes lexuesit. Ka ikur koha e hartimeve. Duhen ndodhi, kujtime, histori, që t’i njohin njerëzit edhe ato që koha i ka lënë në harresë.
A mendon se ke arritur majat në publicistikë, sidomos në intervista?
Kursesi jo!Unë përdor një shprehje :”Nuk lakmoj maja se rrëzohem”. Kam një parim, të shkruaj sa më shumë për kënaqësinë e lexuesve dhe të vetes time. Rëndësi nuk ka një rrëfim i bukur i personazheve të intervistave , por edhe pyetjet duhen bërë me kujdes në funksion të temës,vetëm kështu do të të pëlqejnë lexuesit.Vitet e fundit kam trajtuar intervistat publicistike ,që s’janë pak :një nga një bëhen shumë.Të gjitha i kam përmbledhur në pesë libra të veçantë. Dhe vazhdoj të takohem me njerëz, të njoh sa më shumë dhe të marr prej tyre historitë, ngjarjet, ndodhitë, ashtu siç kanë ndodhur.Vazhdoj të shkruaj me ritmin e parë,me frymëzimin e parë. Dhe në fund të çdo interviste, në një farë mënyrë në fund të tyre,nuk vë pikë, me qëllim që të mbetet një shteg i hapur dhe intervistat të shoqërojnë intervistat.






















