Prof. Dr. Lush Susaj: Dëmet nga zjarret në bujqësi duhet të vlerësohen nga agronomët dhe profesionistët

– Një njoftim shumë i gabuar i një televizioni kombëtarë të datës 7 gusht 2025, sipas të cilit në Gramsh ishin dëmtuar 11018 ha me vreshta.

– Sipërfaqja totale e vreshtave në Republikën e Shqipërisë është rreth 12000 ha, e që i bie që 90% e sipërfaqës kombëtare me vreshta qënka në Gramsh.

Sigal

– Jam shumë i bindur në faktin që zjarrët e këtij viti, janë një pjesë jo e vogël e asaj sjelljes antishqiptare dhe antishtetërore të individëve dhe grupeve abuziviste

Zjarrët masive të këtij viti kanë shkaktuar dëme të mëdha mbi kulturat bujqësore, mbi blegtorinë, mbi pyjet, mbi kullotat, mbi ciklet e natyrës organike dhe inorganike dhe mbi të gjitha proceset tokëformuese dhe transformuese të biomasës së ekosistemeve.

Jemi në kohën e duhur për të rishikuar grupet e vlerësimit, në mënyrë që të mos na rezultojë Shqipëria më e madhe se Kanadaja, e që fermerët e dëmtuar nga zjarrëvëniet e qëllimshme, të ndihmohen duke u kompensuar sipas mundësisë që ka shteti dhe shoqëria.

Institucionet shtetërore, administrative dhe mediatike, sipas kompetencave dhe detyrimeve morale dhe ligjore që kanë, pas betejës për shuarjen e zjarreve, duhet të punojnë punën për krijimin dhe mirëfunksionimin e grupeve të kontrollit, identifikimit dhe vlerësimit të dëmëve. Në përbërje të këtyre grupeve, me patjetër që duhet të përfshihen profesionistët dhe njerëzit më të përgjegjëshëm, e jo kurrë militantët dhe patronazhistët e propagandës.

Për këtë shkrim mora shkas nga një njoftim shumë i gabuar i një televizioni kombëtarë të datës 7 gusht 2025, sipas të cilit në Gramsh ishin dëmtuar 11018 ha me vreshta, që sipas meje është një rren e trashë, një pamundësi absolute. Kjo për faktin se, sipërfaqja totale e vreshtave në Republikën e Shqipërisë është rreth 12000 ha, e që sipas rrenës së trashë që mesa duket është gatuar nga grupet e vlerësimit, i bie që mbi 90% e sipërfaqës kombëtare me vreshta qënka në Gramsh, e që me këtë rast edhe qënka djegur nga zjarret.

Unë e di faktin që televizioni është bazuar në statistikat e dërguara nga ana e bashkive, që mua me bën që të mendoj se në këto bashki, në grupet e vlerësimit kanë munguar dhe mungojnë profesionistët dhe ajo pjesa e përgjegjëshme e administratës.

Unë jam shumë i bindur në faktin që zjarrët e këtij viti, janë një pjesë jo e vogël e asaj sjelljes antishqiptare dhe antishtetërore të individëve dhe grupeve abuziviste, të cilat për përfitime qoftë edhe shumë të vogla, janë gati që të djegin e të shuajnë edhe shtetin dhe kombin shqiptarë.

Shifrat rekord për sipërfaqet më të mëdha të djegura ndonjëherë nga zjarret në Shqipëri janë shënuar në vitin 2007 me 127.491 hektarë tokë të djegura. Në 2011 u dogjën 54 370 ndërsa vitin pasues u dogjën 53 459.

Unë e di që kësaj situate i kontribon jo pakë edhe situata e ndezur politike e pas zgjedhjeve të 11 majit, ditës që për fatin e keq të çdo shqiptari pa dallim, shteti dhe shoqëria nuk arriti që të prodhojnë zgjedhje e as zgjidhje. Parë në këtë këndvështrim, askush nuk duhet që të harrojë mësimet e filozofisë dhe gjithë përvojën botërore e shqiptare, sipas të cilës cënimi i zgjedhjeve është krimi më i madh mbi shoqërinë dhe shtetin. Për nga pasojat shoqërore, ekonomike dhe politike, krimi elektoral qëndron mbi të gjitha krimet e tjera, sepse pengon zgjidhjen apo ndërprerjen paqësore të kontratës së qeverisjes, duke pamundësuar reformat zhvillimore e integruese.

Jemi në kohën e duhur për të rishikuar grupet e vlerësimit, në mënyrë që të mos na rezultojë Shqipëria më e madhe se Kanadaja, e që fermerët e dëmtuar nga zjarrëvëniet e qëllimshme, të ndihmohen duke u kompensuar sipas mundësisë që ka shteti dhe shoqëria.

Për këtë qëllim, është momenti që kudo në krye të komisioneve të vlerësimit të dëmëve të vëndosën agronom me integritet të lartë professional e njerëzorë.

Kjo është një punë shumë e ndjeshme, që nuk e pranon as militantin, as patronazhistin e as zyrtarin e korruptuar.

Nëse nuk veprohet në këtë mënyrë, e sigurtë që do të prodhohet dezinformim dhe abuzivizëm, duke e vështirësuar edhe më shumë situatën.

Unë besoj se ky shqetësim i ngritur në kohën e duhur do të shërbejë për më shumë kujdes dhe vëmendje ndaj kësaj fatkeqësie qe ka goditur pjesën më të varfër e më atdhetare të shoqërisë.

Shqipëria nën pushtetin e zjarreve

55 154 hektarë sipërfaqe janë djegur deri më tani nga zjarret që kanë prekur Shqipërinë. Të dhënat nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS) të BE-së tregojnë se Shqipëria vazhdon të “kryesojë” në rajon për sipërfaqet e djegura. Mekanizmi i BE thotë se 100 vatra zjarri janë regjistruar.

2025-a shënon edhe rekordin më të zi për dëmet e shkaktuara nga zjarret në pesë vitet e fundit. Vitin e kaluar u dogjën 46 623 hektarë në vend, ndërsa vitet paraardhëse kanë shifra më të ulëta.

Shifrat rekord për sipërfaqet më të mëdha të djegura ndonjëherë nga zjarret në Shqipëri janë shënuar në vitin 2007 me 127.491 hektarë tokë të djegura. Në 2011 u dogjën 54 370, ndërsa vitin pasues u dogjën 53 459.

2014-ta ka qenë viti më i mirë për Shqipërinë pasi regjistroi vetëm 3 zjarre dhe 431 hektarë të djegur.

Sa i përket vendeve të tjera të rajonit, referuar të dhënave të deritanishme për 2025-ën, e dyta më e prekur është Bosnje-Hercegovina me 26 705 hektarë të djegura, ndjekur nga Maqedonia e Veriut 26 522 hektarë, Mali i Zi 24 054 hektarë, Kosova me 11 892 hektarë të djegura ndërsa më pak e dëmtuar nga flakët është Kroacia me 2 944 hektarë.

Situata nga zjarret në vendin tonë është përmirësuar ndjeshëm në vendin tonë teksa para disa ditësh flakët prekën disa zona, më shumë Delvinën dhe disa fshatra të Gramshit. Disa vatra mbeten ende aktive, por me intensitet të ulët dhe janë mbajtur nën kontroll.


Sipërfaqet e djegura në 2025

Shqipëria 55.154 hektarë

Kosova 11 892 hektarë

Maqedonia e Veriut 26 522 hektarë

Mali i Zi 24 054 hektarë

Serbia 21 211 hektarë

Kroacia 2 944 hektarë

Bosnje-Hercegovina  26 705 hektarë