Ti je vetvetja, Zija Çela!
Guxon e je vetvetja
dhe nuk je thjesht një këngë mirësie
në një ditë vjeshte
kur drurët janë rënduar nga frutat…
Si një përrua malor
rrëmben gurët e shkërmoqur
të mos shëmtojnë malin,
zemërimi yt është i epërm:
Le të vdesë
çka është për të vdekur
deti rreh dallgë e rritet
si ti…
Nuk shpik as rishpik miq;
nuk i helmon dashuritë tek ta ndrisin ditën,
as frikëson njeri dhe as frikësohesh.
A grindesh, thua?
Grindesh dhe fort!
Me veten për siguri
me të mençurit për mençuri.
Me këmbët në tokë sheh
ëndrra të mëdha
dhe nuk merresh me trapa
pallavra, fjalërime, llastime…
Sprovë dhe mundim të është çdo ditë!
Trishtime ke,
vetë nuk projekton veshje për trishtimin.
Çuditërisht
pëlqen këngët e çmendura të rrugës,
të ngazëllejnë të dehurit e natës,
yjet e trëndafilat…
Dhe di aq bukur të dashurosh
siç di të mbetesh vetvetja!
Vetvetja me universin tënd të pashoq
ti, Zija Çela.