Suplementi Pena Shqiptare/ Izet S. Çulli: Një vepër enciklopedike për Kukësin

1299
Sigal

Libri i historianit kuksian Xhavit Lashi “Qarku i Kukësit në rrjedhën historike” mendoj se është një enciklopedi e mirëfilltë dhe e plotë, e para e këtij lloji për këtë rajon të Veriut të Shqipërisë. Punime të tilla sigurisht janë të vështira të shkruhen, sepse përmbajnë personazhe e ngjarje reale e të jetuara, larg fantazive dhe sajesave në arte. Për këtë autorit i është dashur të punojë, qëmtojë e gërmojë për më se 5 vjet nëpër arkiva të shumta, në fondin dokumentar të Bibliotekës Kombëtare, në muze, në Akademinë e Shkencave dhe në gazeta të kaluara gjer në ditët e sotme. Ky studim flet shumë për të njohur sa më mirë vendlindjen në disa fushëpamje, mjaft prej të cilave, ai i ka studiuar gati shterueshëm. Kjo është vepra më e kompletuar akademike,do të thosha, për Qarkun e Kukësit, ku paraqiten me dhjetëra portrete, kapedanë, personalitete, fotografi,pasqyra ngjarjesh, hartash, skicash, tabelash, çelje shkollash. Ajo është bazuar në mbi 240 burime literature të bashkëshoqëruara me një dokumentacion të pasur. Autori ka ndjekur me përkushtim, hap mbas hapi, zhvillimet e prefekturave deri në njësitë më të vogla administrative. Aty parashtrohen edhe mjaft kuadro të Luftës Antifashiste Nacional  Çlirimtare e të punës qysh nga ish-prefektura e dikurshme e Kosovës dhe gjer sot në Qarkun e Kukësit, duke na dhënë imtas organizmat shoqërore e zyrtare dhe strukturimet sipas shtjellave të kohës. Libri fillon që nga ilirët e më këtej në Mesjetë, me Perandorinë Osmane deri tani. Aty përfshihet qeverisja e vetëqeverisja vendore e Kukësit, Hasit e Tropojës. Ai shkruan për cilësitë dhe virtytet e shkëlqyera të banorëve të Lumës e më gjerë në disa aspekte të saj. Ky botim ndahet në 4 pjesë kryesore me afro 20 nënkapituj.

  1. Bën fjalë për administratën vendore nga ilirët, mandej me pashallëqet e vilajetet, qeverisjen në periudhën osmane, në atë të bajrakëve e të kuvendeve të ndryshme, si forma qeverisjeje.
  2. Kjo përfshin administrimin mbas Shpalljes së Pavarësisë (1912), për rëndësinë e Kongresit të Lushnjës (janar 1920), pastaj gjatë Republikës (1925-1927), të viteve të monarkisë dhe të pushtimit fashist.

III. Është koha e rindërtimit të vendit, me ndarjen administrative (1953-1958) e më tej me kalimin në rrethe e qarqe.

  • Vitet e tranzicionit të gjatë demokratik me qeverisjen vendore, për gjatë më se njëzete pesë viteve dhe përmbyllet me reformën e vështirë dhe gjithaq të debatueshme territoriale. Në këtë periudhë u shkrinë komunat e shumta dhe u krye rregullimi kushtetues i sotpërsotshëm në 61 bashki në rrafsh kombëtar. Vetëkuptohet që autori i mëshon veçan Qarkut të Kukësit me tri bashkitë përkatëse që ka marrë në studim. Aty ai shfaq edhe mendimin e tij se si do të ishin më mirë dhe më të pranueshme ndarjet administrative  të kësaj treve të mirënjohur. Libri monografik “Qarku i Kukësit në rrjedhën historike” (2017) i historianit Xhavit Lashi është një botim që mungonte. Ai përmbush një zbrazëti dhe jam i mendimit se do të referohet vijimisht nga studiuesit e më pasmë. Kontributi i tij është i dukshëm në historiografinë shqiptare për sot dhe ato të nesërme perspektive. Kjo vepër mendoj se u vlen gjithashtu edhe rretheve e trevave përreth: Dibrës, Dukagjinit etj. Aty-këtu studiuesi u vë theks zgjedhjeve të lira e të ndershme, prej të cilave dalin pushteti vendor, institucionet e punonjësit që i drejtojnë ato (këta të fundit jepen gjerësisht në këtë libër me mbi 540 faqe). Autori duke u qëndruar larg politizimeve të skajshme që rëndojnë keqas disa studiues “të pavarur”, jep mendimin që zgjedhjet të jenë, si kudo në Shqipëri, edhe në periferi të vendit, me të vërtetë demokratike e me njerëz sa më të pranueshëm e të kualifikuar për t’i shërbyer komunitetit, njëlloj, pa dallime partiake e shpesh të stisura. Nuk po hyj në përimtime të hollësishme të veprës së intelektualit Xhavit Lashi për Qarkun e Kukësit në ndarjen  administrative , në autonominë e tyre dh e të qeverisjes vendore në periudha të gjata kohore. Mendoj se ai do t’i çojë më tej studimet e tij në të ardhshmen; por edhe me kaq ia ka arritur qëllimit me këtë vepër të veçantë e me vlerë, duke e ditur se monografi të tilla kryhen kryesisht me grup autorësh. Le t’i mbyll këto shënime me një thënie të dijeplotit në shumë fusha të dije, Faik Konica: “Në se nuk shkruhet për qytetin, fshatin, jetën, njerëzit, bukuritë e vendlindjes, për gjuhën etj., ka rrezik të zhduket ai komb, prandaj mirë është që shqiptarët të shkruajnë për vendlindjen e tyre, Nënën Shqipëri.”