Paqe me djallin
Nga kush prisni more njerëz,
nga kush prisni t’ju qajë hallin?!
30 vite e më shumë,
kemi bërë paqe me djallin.
Paqe me hajdutërinë,
që mori gjithçka për vete,
që i shiti Shqipërisë,
edhe çfarë ishte sekrete.
Që i shiti Shqipërisë,
naftën, ujin cep më cep,
dhe lekët nga këto shitje,
të gjitha futen në xhep.
Që i shitën Shqipërisë,
ëndrrat, shpresat, malin, detin…
Që i shitën Shqipërisë,
nderin edhe dinjitetin.
Mos besoni dhe kur shahen,
Blu e rozë a ngjyrë vishnje!
Ata kanë paqe të heshtur,
dhe pse në parti të ndryshme.
Buzëqeshje hipokrite,
fshihen pas çdo lloj fytyre.
A i patë si u bënë bashkë,
të rritnin rrogat e tyre?
Ngaqë janë të gjithë të ndotur,
ngaqë janë të gjithë bërë pis,
bashkë kanë qenë e do të jenë,
edhe kundër drejtësisë.
Nëse gjente guri vëndin,
nëse do kish drejtësi,
gjysma e parlamentarëve
e ka vendin në qeli.
Dhe kur bëhet rotacion,
asgjë nuk ndryshon këtu!
« Nuk u ngopën duke vjedhur,
të vijmë ne, të ikni ju »
I gjithë llumi 30 vite,
ngjitet, zbret nëpër tribuna.
Gjithë servilët shkojnë pas tyre,
nga fryn era kthehet guna.
I gjithë llumi në podiume,
të pangopur si s’pëlcasin!
Njerëzit që besojnë ende,
mblidhen e duatrokasin.
I gjithë llumi ngjitet, zbret,
e në krye prap ata,
Kush vodhi u bë i pasur,
kush nuk vjedh vdes fukara.
I gjithë llumi është së bashku,
bashkë vetëm për interes,
S’ka parti, s’ka ideale:
Partitë janë thjesht për biznes.
30 vite po ata!
Ferra për Atdheun mbetën,
dhe sillen me këtë vend,
sikur e kanë pronë të vetën.
Nën udhëheqjen e tyre,
më shumë prishën se sa ndreqën.
Sa keq që s’na bën përshtypje,
bashkëjetesa me të keqen.
Dhe kështu si pakuptuar,
vite ikin, vite vijnë!
Sa të ketë paqe me djajtë,
s’ka paqe për Shqipërinë.
Atdheu
Atdheu është kjo tokë e shtrenjtë!
Është dashuri, dhimbje, dhe mall.
Është thinja e Ismail Qemalit,
si një fjalë e urtë atje mbi ballë.
Atdheu është abetarja e gjuhës sonë,
dhe gjaku- dritë i Petro Ninit.
Atdheu është toka jonë e bekuar,
mbështjellë me poemat e Naimit.
Atdheu është gjaku në dejet tona,
Flamuri që askush dot s’e preku.
Është gërsheti i Shote Galicës,
si gjalmë dyfeku.
Atdheu është Isa Boletini,
me flamur në dorë,
tek shtyn me brryl malet e larta,
të hapi rrugën për në Vlorë.
Atdheu është Adem Jashari:
ky dëshmor i madh lirish.
Bie në luftë në Pekraz,
në Mitrovicë rilindet sërish.
Atdheu është gjuha jonë e bukur,
e pastër si pikëz loti…
Atdheu është Kuran dhe Bibël,
shenjtëruar nga zoti.





















