Paraditen e së hënës u zhvillua dëgjesa për ligjin për Akademinë e Shkencave në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Ashtu siç e kishte njoftuar edhe përmes një interviste të mëparshme, pjesë e kësaj mbledhje ishte edhe akademiku Artan Fuga, i cili trajtoi problematikat që sipas tij sjell projektligji. Gjatë fjalës së tij në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, akademiku Fuga u shpreh se ky projektligj është kthim pas. “Ne po kthehemi më keq se ishim. Unë kam të drejtë të ngre zërin. Teksti i projekt amendamenteve ka krijuar solidaritet serial i grupit. Përse amendamenti na kthen pas? Ah sa do të doja të rrinte zoti Koçi” – tha akademiku Fuga. Në fjalën e tij, ai sqaroi se Kushtetuta thotë që të gjithë janë të barabartë para ligjit. Sipas tij, amendamentet që janë propozuar bien në kundërshtim me ligjin. Ai u bëri një ftesë ndaj deputetëve iniciatorë që ta tërheqin këtë nismë, duke riparë nëse ndryshimet, që ata propozojnë, integrohen në ligj.“Ligji për Akademinë e Shkencave do të hynte në kundërthënie të brendshme. Kryetari i Akademisë nëse ka mbushur moshën 75-vjeç si kryetar, ka disa detyrime sipas ligjit. Nëse amendamentet e propozuar hyjnë në fuqi, do të kemi natyrë kontradiktore të ligjit. Mendoni se mund të ndërtojmë një status juridik, ky i njëjti person juridik edhe të ketë detyrim edhe mos të ketë detyrimin? Shkelet barazia e akademikëve para ligjit. Me mbushjen e moshës 75 vjeç, anëtarëve të Akademisë i hiqen të drejtat dhe detyrimet me përjashtim të atij që është kryetar i Akademisë së Shkencave. I njëjti ligj krijon pabarazi mes akademikëve. Kushtetuta nga ana tjetër thotë që të gjithë janë të barabartë para ligjit. Unë mendoj se amendamentet që ju keni propozuar, bien në kundërshtim me ligjin. Nëse më lejohet një rekomandim në këto kushte, kam një ftesë për deputetët iniciatorë që ta tërheqin këtë nismë duke riparë nëse ndryshimet që ata propozojnë, integrohen në ligj” – tha Fuga.



















