Altin Goxhaj:Policia dhe CEZ firmosin vjedhjen ndaj qytetarëve

579
Sigal

 Duhet thënë që në fillim se u bë shumë mirë që u firmos marrëveshja midis CEZ-it dhe Drejtorit të Policisë, po përse vallë nuk firmoset një marrëveshje midis Policisë dhe qytetarëve që po grabiten çdo ditë nga CEZ-i? Burgaj dhe Dollapi kanë firmosur dje, grabitjen e shqiptarëve, nëpërmjet CEZ-it, e cila ka vite që po zhvat në mënyrë të paligjshme xhepat e qytetarëve tanë.  Por tani e tutje ky mashtrim institucional i CEZ-it do të ketë edhe mbështetjen e policisë shqiptare. Gjatë firmosjes së kësaj marrëveshjeje, Drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, u shpreh se, është hartuar një plan masash për të evidentuar të gjithë shkelësit e ligjit. Ndërsa administratori shtetëror i CEZ-it, Sahit Dollapi, dha sigurinë se personat e vetëm që do të furnizohen me energji elektrike janë ata që do të paguajnë. Sipas dy drejtuesve, “marrëveshja e nënshkruar midis dy institucioneve, pritet të japë rezultatet e veta në terren, në arkëtimet e CEZ dhe uljen e humbjeve në rrjet me ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme”.

 INTERVISTA/ Flet Altin Goxhaj:

 Ligji mbron CEZ-in, konsumatorët në mëshirë të fatit

 Legjislacioni ynë për mbrojtjen e konsumatorëve e ka dëmtuar shumë aftësinë e konsumatorëve për t’u vetëmbrojtur”. Kështu u shpreh për gazetën “Telegraf”, i cili nënvizoi se situata është alarmante.

Si ju duket puna e Sahit Dollapit, në krye të CEZ-it?

Është një lajm i keq që Sahit Dollapi është emëruar administrator i CEZ-it. Dollapi kudo që ka qenë e ka rritur shërbimin ndaj popullit me ujë, duke qenë në krye të UKT-së. E keqja e këtij lajmi është që Dollapi është shumë indiferent ndaj ankesave të konsumatorëve. Kjo ka ndodhur edhe gjatë kohës që ka qenë në OSSH dhe në UKT. Unë kam frikë që Dollapi do të jetë i tillë, indiferent edhe në CEZ ndaj ankesave të konsumatorëve. Të mos harrojmë që CEZ, pavarësisht nëse është i çekëve, apo shqiptarëve, ai është një institucion shumë i fuqishëm që ka në dorë konsumatorët. Dhe në këtë rast, konsumatorët nuk kanë asgjë, fatkeqësisht. Legjislacioni ynë për mbrojtjen e konsumatorëve e ka dëmtuar shumë aftësinë e konsumatorëve për t’u vetëmbrojtur.

Ç’do të bëhet me ankesat e qytetarëve për mbifaturimin?

Edhe në UKT ankesat e qytetarëve për mbifaturim kanë qenë të jashtëzakonshme. Unë e kam argumentuar edhe në mënyrën sesi është ndërtuar kontrata e Ujësjellësit dhe dyshoj në prioritetet e Dollapit, për më tepër në situatën e vështirë që ndodhet sot vetë CEZ-i, pasi duke u përqendruar te tema e furnizimit në 24 orë të popullit, me energji elektrike, mund të neglizhojë në ankesat e konsumatorëve. CEZ-i ka ndërtuar një skemë krejtësisht fiktive. Legjislacioni i mbrojtjes së konsumatorëve konsulentët e huaj në Shqipëri, është bërë në bazë të rekomandimeve të Bankës Botërore dhe e gjithë kjo skemë në Shqipëri është ndërtuar në mënyrë të tillë, që nuk shkon dot në gjykatë se ka një pengesë fillestare që fillon që në derën e gjykatës

A mund të ndihmonte Gjykata Administrative, pro konsumatorëve? Po, sepse sot, të zhvillosh një gjyq civil, sipas legjislacionit tonë, ndaj CEZ-it për vjedhje është e vështirë.

 Problemet e konsumatorëve

Reagimet e konsumatorëve ndaj paligjshmërisë dhe papërgjegjshmërisë së CEZ-it, janë të shumta. Kështu, problemet kryesore janë mbifaturimet dhe faturat afrofe, pastaj vijnë mungesat e sahateve, ndërprerja pa limit e dritave, tallja dhe agresiviteti i administratorëve me qytetarët dhe moslejimi i tyre për të komunikuar me personat përgjegjës, etj.. Por historia e bëmave të CEZ-it nuk mbaron këtu. Për dosjet e tyre kërkohen rafte e dollapë të tërë, në mënyrë që të evidentohen mashtrimet. Kështu Mentor Xhaho nga “Tirana e Re”, tha për “Telegraf”, se, familja e tij ka qenë dy vjet në emigracion dhe faturat shkonin afrofe. Tani ai i ka borxh CEZ-it 40 mijë lekë, megjithëse nuk ka harxhuar asnjë kilovat energji. Ndërsa, Marjana Dena nga Kombinati ankohet se, zona e tyre ka vetëm 4 orë drita në ditë. Po kështu Arshi Bajko u shpreh se mbifaturimi i bërë nga CEZ-i ka shqetësuar të gjithë banorët pranë Shkollës së Bashkuar.