Flutura Açka: Në Gjirokastër me letërsi e pa liderë

142
Sigal

Është mesdita e 28 janarit dhe në Qafën e Pazarit ka lëvizje, fundja ēshtë e shtunë. Endem të ulem nē ndonjē bar aty në rrugën “Ismail Kadare”, me shpresë të shoh ndonjë shenjë kremtimesh a kujtese për nder të qytetarit më të ndritur të tyre, por Gjirokastra merret me zeje të tjera, më së shumti sehirin.

Në kafen ku dua të ulem që të bëj edhe unë sehir e ku mblidhen të pesta udhët e Qafës së Pazarit, radioja është aq zëlartë, sa as si kalimtar nuk ke joshje të rrish. Ia them një djaloshi që del nga dera e drunjtë e barit, hapjen e flegrës së të cilit e shoqërojnë ca tringëllima, por ai më thotë se pa këtë muzikë nuk afrohen të rinjtë. Dhe ka të drejtë, kafja që dua të pi unë, është një hiçmosgjë para rakisë e birrave që kanë filluar tashmë në tryezat që shoh përtej dritareve.

– Secili ka qejfin e tij,- më thotë.

– Po, – i them, – ndaj po vij kur të bëhem e re!

Qeshim të dy, ndërsa muzika e lartë e që ndërpritet herë-herë me fjalë, më thotë që është një stacion radioje greke. E të mendosh se sa shumë i ka dhënë shqipes ky qytet!

Hedh sytë për ndonjë bar tjetër dhe syri më zë një familje të re, nga ecja e babit, nga markat e atleteve të dy fëmijëve, nga sportiviteti i mëmës dhe nga boja e qenit që e bija tërheq, duket një familje nga ata të kamurve të rinj, që miqtë më të shumtë i kanē nëpër qeveri. Babai kujdeset që qentë që deri tani shëlleheshin nē krye të rrugës “Gjon Bue Shpata” të mos i afrohen qenushës së tyre që po e tund shumë litarin ku kontrollohen instinktet e saj.

Njē zonjë me kokën rrasur në kapuç aty pranë është ulur në bordurën e gurit dhe nën vete ka një fshesë kërpi, që ende shiten e përdoren rrethinave.

Kujtoj, po aty jam ulur para disa muajsh me tim atë dhe ungjin tim një ditë vere dhe jemi kēnaqur pafund nga të qenit mes pafajësisë njerëzore, që të japin njohja me njerëz të rinj.

Ndërsa përpiqem ta gjej atë foto, nga rruga e Zanatçinjve zbresin nja dy modele që iu prin një fotograf i ri. I shoh me gëzimin e njeriut që e kuptoj se sfond më të bukur se këto mure e gurë nuk ka. Në të gjthë do të shkojmë, ato do të mbesin të mahnisin edhe të tjerë pas nesh.

Eci më tutje dhe ndesh një dyqan suvenirësh, ku shiten kupa të stampuara dhe nja dy turistë po i shohin me vëmendje.

– Merre këtë, – i thotë i zoti i shitores për kupën me foton e E. Ramës të stampuar, – është e fundit dhe nuk do na vijnë më.

– The last, really?!, – thotë turisti i painformuar për zhvillimet e fundit politike.

– Po Berishën nuk e ke? – e pyes me të qeshur.

– Jo, ka kohë që nuk na vjen më.

Eci më tutje dhe ulem te një bar i vogël, ku Vali, e zonja, ma bën kafen e zezë që dua “të mesme pa pak”. Bari është i vogël, por ka aq njerëz me të cilët patjetër njihesh – TV bën punën e vet – dhe ke ditën e gjatë mjaftueshëm të flasësh, edhe për mjeshtrinë e fjalës që sot ka ditëlindjen e 87-të!