Dy fjalë urimi për vitin 2017 nga Dritëro Agolli për lexuesit e Penës Shqiptare në “Telegraf”

786
Sigal

“Moti shihet që në mëngjes”, thotë populli. Në vazhdën e të gjithë këtyre diskutimeve, që dita-ditës bëhen, diskutime reformatore për ta transformuar Shqipërinë, e që ajo të mos ecë mbi shinat e së kaluarës, besoj që viti në të cilin sapo kemi hyrë do të jetë i mbarë, me shumë arritje e transformime.
Siç edhe shpesh kam përmendur, e rëndësishme është që kundërshtari politik nuk duhet përfytyruar si armik, pasi Shqipëria shpesh ka vuajtur nga kjo mënyrë perceptimi. Duhet të mendojmë e veprojmë përhere si luftëtarë për një kauzë të përbashkët: transforimimin dhe përparimin e Shqipërisë.
[Dritëro Agolli, Janar 2017]

Agim Vinca nga Prishtina sjell përmbledhjen e poezive “Lirikat e vjeshtës”
“Lirikat e Vjeshtës” është një pëmbledhja me poezi të Dritëro Agollit, botuar nga “Shtëpia Botuese e Librit Shkollor”, Prishtinë, 2016. Poeti i Kosoves Agim Vinca që me kujdes përzgjodhi dhe përgatiti për botim, e shquan Dritëroin si “Një poet i çuditshëm” në përsiatjen e tij studimore ne parathënien e veprës, siç do ta lexojmë meposhtë.
“Një poet i çuditshëm”
Në një poezi te tij kushtuar Shqipërisë së kohes së tranzicionit, në të cilën tërthorazi preket edhe tema e Kosovës së roberuar, Dritëro Agolli shkruan:

O vendi im i bekuar – blu xhinsa dhe gunë,
Në trup kushtetutën, në mendje kanunë.

O vend i bekuar me Miss Albania,
Me gotën me uiski, me kokën me thërria.

O vend i bekuar, copëtuar në dy copa,
Me dele tek serbi, me lesh nga Evropa.
Poezia e mësipërme, e përbërë nga tre distike të rimuar, që sintetizojnë poetikisht situatën paradoksale nëpër të cilën kalon vendi i shqiptareve, titullohet O vendi im me çudira. Vjersha është shkruar në vitin 1994 dhe është perfshirë ne librin Vjen njeriu i çuditshëm, të botuar dy vjet me vonë nga Shtëpia Botuese “Dritëro”, që mban emrin e vetë poetit. Një libër me fabula dhe epigram i këtij poeti, i botuar afërsisht në të njëjtën kohë (në vitin 1995), titullohet Çudira dhe marrëzi, ndërsa një poezi e hershme e tij, e cila do të mund të quhej kushtimisht poezi për femije, ka si titull pasthirrmën: Sa i çuditshëm! Ka në krijimtarinë potetike të Dritëro Agolit edhe krijime të tjera në të cilat haset fjala çudi: Bucela e çuditshme, Endërr e çuditshme etj. Pthuajse gjithçka te ky poet është e çuditshme: vendi, natyra, njerëzit, ëndrrat. Përse gjithë ky pasion për “çudira e marrëzi” në vargjet e ketij poeti dhe nga rrjedh ai? Përgjigja është e thjeshtë: Dritëro Agolli është një poet i çuditshëm. Edhe pse në shikim të parë duket i zakonshëm, ai është në të vertete një poet që për shumeçka mund të quhet: i çuditshëm. Sipas tij, poeti, krijuesi në përgjithësi, është një njeri që çuditet para botës; një njeri që ndjek me habi fenomement që ndodhin në jetë, në natyrë e në shoqëri e që, duke materializuar artistikisht çudinë e tij, arrin ta përçojë atë edhe tek lexuesit. Dritëro Agolli është poet që trajton tema, motive e subjekte të çuditshme dhe krijon në poezi situatë po ashtu të çuditshme. Shumë poezi të tij, sidomos ato të llojit të baladës, kanë në strukturën e tyre një mikrofabul, një ngjarje, situatë, personazhe etj. Të tilla janë, për shembull, vjershat: Balada e notës, Poçari etj. Përmbajtja e të cilave, siç ndodh rrallë në lirikën e sotme, mund të ritregohet me fjalë. Poezia e Dritëro Agollit është e gjerë dhe e larmishme si në pikëpamje të interesimeve tematike, ashtu edhe në rrafshin e mjeteve shprehëse. Ajo ka një diapazon të gjerë temash e motivesh dhe një fond të pasur mjetesh dhe formash shprehëse. Mendimi poetik i këtij poeti shtrihet, si thuhet te poema Baballarët: “nga kokrra e grurit gjer te qeveria”; “nga lëmi i fshatit gjer te gjithësia”. Si të gjithë poetët tanë, edhe Dritëro Agolli trajton temën e atdheut dhe luftës për liri, i këndon Shqipërisë, Kosovës dhe heronjve të kombit nga Skënderbeu e gjer te luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mirëpo, ndryshe nga të tjeret, ai tenton ta zhveshë ndjenjën e atdhedashurisë nga aureola mistike dhe ta bëjë atë të prekshme e konkrete. Te poema Nënë Shqipëri poeti flet me atdheun, Shqipërinë, ashtu siç flet biri me nënën (Lërmë të bie në prehrin tënd të ngrohtë, o hallemadhja ime shekullore), kurse te cikli kushtuar Kosovës, temën e Kosovës dëshiron ta shtrojë thjesht e pa bujë, ashtu siç e shtron fshatari bukën në sofër. Ky koncept poetik çmitizues konkretizohet më tutje në vjershën Parajsa e humbur (në një variant tjetër Parajsa e gjymtuar), në të cilen trajtohet tema e ndarjes së Shqipërisë në dy pjesë. Duke iu kundërvënë demagogjisë së politikave që premtojnë ta bëjnë Shqiperinë parajsë, duke pretenduar, madje, jo rrallë se e kanë arritur atë, poeti shkruan:
Çdo sundimtar kur turmën mban me shpresë
Parajsë e bën ndër sheshe Shqipërinë,
Ndërsa parajsa s’ndahet në dy pjesë
Siç ndahet Shqipëria shamizezë.
Dritëro Agolli i takon kategorisë së poetëve që e ndjekin jetën në lëvizje, duke e perceptuar atë si një perpetum mobile. Në një rast, me humorin e tij karakteristik, ai thotë se poezia e madhe nuk shkruhet “me këmbë në legen”, por duke ecur e bredhur, kurse motivet e poezisë janë si vajzat lozonjare, të cilat po s’i ndoqe pas, të ikin e të lënë duarthatë. Jo rastësisht heronj te tij të preferuar janë Don Kishoti dhe Kristofor Kolombi. I pari për “marrëzinë” e tij; i dyti për kërkimin e së resë; që te dy për shpirtin e aventurës. Në vjershën me titull Salut!, që i kushtohet Petro Markos, poeti përshëndet të gjithe ata që s’u shteroi krijimi kurrë. Këtu ai fut edhe Firdusin, edhe Da Vinçin, edhe Gjordano Brunon, edhe Galileun, edhe Rembrandtin, me një fjale të gjithë të pagjumët e botës – poetë, piktorë e konstruktorë, që vrasin mendjen për t’i sjellë diç të mirë njerëzimit. Janë të rrallë poetët e kohës sonë, që janë të mishëruar me tokën dhe natyrën si Dritëro Agolli. Uni i tij lirik është i shkrirë plotësisht me tokën-mëmë dhe natyrën e saj, aq sa mund të thuhet se kemi të bëjmë me një panteizëm të ri, agollian, që ndërlidhet me panteizimin naimian e bektashian, por ndryshon prej tij. Toka te ky poet konceptohet si tokë – arë buke, që i fal fshatarit bukën e gojës, por edhe si tokë –atdhe, për të cilen mund të lihet koka në çdo kohë. Edhe gruaja, që personifikon bukurinë dhe brishtësinë njerëzore, konceptohet tek ai ne mënyrë tokësore, që do të thonë në mënyrë thellësisht shqiptare dhe popullore. Dritëro Agolli është poet i figurave, i krahasimeve, i metaforave, i epiteteve dhe i personifikimeve të çuditshme. Hëna, fjala vjen, tek ai i ngjan maces, mëshqerrës ose kafshëve të tjera shtepiake, por ndodh që ajo qëndron mbi livadh si titull vjershe. Shqipëria është hallemadhe, kurse bota zuskë. Njeriu është Judë dhe Krisht njekohësisht. Poezia konkretizohet përmes krahasimit me mushkën xanxare, kurse pikëllimi gërvisht shpirtin si miu ose iriqi. Figura te ky poet ka karakter shqisor dhe i drejtohet syrit po aq sa dhe veshit, sado që figurat dëgjimore, që e mbështesin efektin mbi tingullin më shumë sesa mbi imazhin, janë me karakteristike për stilin e këtij poeti. Dritëro Agolli është poet i rimave, i anaforave, i aliteracioneve dhe i përsëritjeve herë-herë të papritura e befasuese. Ai është virtuoz i vërtetë i vargut dhe i rimës.

Shumë ujë gri, shumë qiej gri,
Gri në dritare, gri në vetmi,
Ikin lejleket larg në arrati,
Shumë ujë gri, shumë qiej gri.
Kjo është strofa e parë e vjershës Gri, një nga krijimet antologjike të poetit, në të cilin, përmes ritmit, rimës dhe përsëritjes funksionale të fjales gri dhe të tingullit i, jepet atmosfera e zymtë e kohës së eksodit dhe gjendja shpirtërore e subjektit lirik, që karakterizohet nga vetmia dhe mërzia. Dritëro Agolli përdor vargje, strofa dhe metra të ndryshëm dhe i kultivon të gjitha llojet poetike, që nga poema, balada e elegjia e gjer te haiku dhe rubaia. Prozodia e tij është shumë e gjerë dhe e larmishme, kurse rimariumi ndër më të pasurit në letersinë shqipe. Në njërën nga poemat e tij, të cilat kryesisht për shkak të gjatësisë së tyre nuk janë përfshirë në këtë vëllim, poeti shkruan se i pëlqen të gjitha vargjet, me rimë e pa rimë, të matur e të lirë, mjafton që ato te ngërthejnë në brendinë e tyre gëzimet dhe brengat e njerëzve.

I dua
gjithë vargjet,
gjithë këngët,
Të matur,
të pamatur
e të lirë,
Mjafton
të kenë
gazin
edhe brengën
E popullit
të madh
e zemërmirë.

Vargjet e mësipërme, të shkruara në formën e vargut “te shkallëzuar”, të njohur ndryshe edhe si varg majakovskian, sepse poeti i njohur rus Majakovski është i pari që e përdori këtë lloj vargu, janë një lloj kredoje e poetit. Një tipar tjetër i poezisë së tij është edhe thjeshtësia e saj. Mjeshtër i fjalës dhe njohës i rrallë i vlerave të saj kuptimore, ritmike e muzikore, Dritëro Agolli është poet që shkruan thjesht, duke arritur një qartësi maksimale, por pa rënë në thjeshtëzim.Poezia e tij komunikon lirshëm me lexuesin, gjë që e bën atë një nga poetet më të lexuar shqiptarë të të gjithe kohëve. Poeti, thoshte Bualoi te Arti Poetik, duhet ta zoterojë artin e veshtire te te berit vargje të lehta. Për Dritero Agollin mund të thuhet se e ka përvetësuar mirë këtë mjeshtëri. Vargu i tij duket i lehtë, por kjo lehtësi arrihet nëpërmjet një procesi alkimik, që zhvillohet në laboratorin e poetit:
Vjen i veshtirë vargu i veshtirë,
Që lehtë pastaj t’u shkojë njerëzve.
Ndryshe nga shumë poete të kohës sone, Dritëro Agolli nuk e errëson mendimin për t’u dukur modern, nuk spekulon me fjalën dhe nuk trullos lexuesin me figura të errëta e konstrukte abstrakte, prapa të cilave jo rrallë fshihet varfëria e ndjenjës dhe zbrazëtia e mendimit. Poeti dhe eseisit i njohur frëng Alen Boske, mik i letërsisë dhe i kulturës shqiptare, thoshte se shpirti i një populli pasqyrohet në poezine e tij më mirë se në çdo formë tjetër të artit. Dritëro Agolli është poet për të cilin mund të thuhet me plot gojën së pasqyron në poezinë e tij shpirtin e popullit dhe të njeriut shqiptar sidomos te tij me origjinë nga fshati. Gjedhe të tij janë Bernsi, Naimi, Uitman, Mjeda, Noli, Lasgushi, Migjeni, Elyari, Neruda, Esenini dhe përsëri Naimi. Ideali estetik i Dritëro Agollit si poet shprehet në vargjet e vjershës kushtuar Naim Frashërit, ku poeti shpreh dëshirën që vargjet e tij “me thërrimet e dheut” të përzihen dhe të shkrihen “me qënien tonë”.

Vargjet e tua me thërrimet e dheut janë përzier
Dhe na duket sikur me qënien tonë janë shkrirë,
Se i kemi thithur mes qumeshtit, frutave, erës
Dhe në burime me ujin i kemi pirë.

Kur e lexojmë poezinë e Dritëroit, këtij Naimi të kohës sonë, ne provojmë pak a shumë të njejtën ndjenjë: na duket sikur vargjet e tij i kemi thithur me qumështin, frutat, erën dhe ujin e burimeve tona.