Dr. Mimoza Ahmeti: Lindur së prapthi/ Një roman fenomenal që përmbys normën

140
Sigal

Emri i Rita Petros si poete dhe personazh mediatik është i lakuar thuajse çdo ditë në rrjetet tona sociale. Tekstet e saj poetike dhe provokuese tërheqin vëmendjen e audiencës virtuale, hapin debate dhe marrin qindra komente e like.

Këtë vit Rita erdhi në Panairin e Librit me një titull befasues që tundon mënyrën tradicionale të perceptimit: “Lindur së prapthi”. Kjo metaforë përfshin në ndryshimin e mënyrës së lindjes normale, gjithë spektrin e lindjes fenomenale të njeriut, lindje, e cila dekoincidon me socialen, duke krijuar kështu të papriturën. E papritura në perceptim formon dhe befasimin që shoqëron udhëtimin leximor të këtij libri. Që në kapitujt e parë na tërheq perceptimi fenomenal, plot çudira, që çrregullojnë marrëveshjen perceptive. Në këtë shpërputhje shfaqet dimensioni lirik, cinik, komik i jetës në vepër. Një rast tipik i këtij momenti është kur autorja luan me autoritetin e babait, apo çdo lloj tjetër autoriteti. Romani i kësaj natyre nuk ka subjekt. Ai narraton nëpër lidhjet e ceptime, që ndryshojnë në çdo sekondë ngjarjen në riformulim ideje prej përjetimeve. Kemi në fund një roman pa ngjarje me një bashkësi evidencash fenomenale si subjekt- perceptime, ndijime, përshkrime, që anullojnë surrogatin e normës madje dhe ngjarjen në vetvete si normë shkrimi.

Ky lloj romani mund të quhet edhe Romani fenomenal. Ai i ngjan përjetimeve që zakonësht nuk dalin në gjuhë, që flenë brenda, por që hapin rrugën me vrull në materien “Lindur së prapthi”. Rita Petro ndryshe nga shkrimtarët, që kanë një shkrim kompatibël me mendimin, ushtron një diferencë përjetuese të objektit, në shpirti fizik. Shpirti fizik dhe mëndja dhe trupi, janë një trinom i njohur për shkencat e lashta të Azisë. Shpirti fizik është një intetlokutor mes mendjes dhe trupit, është fuqia, mundësia, kurajoja fizike për të ushtruar dhe përballuar. Është pikërisht shpirti fizik i kësaj autoreje që na ka dhënë libra si “Kënga e Turmës” ,”Vrima”, etj, që e veçojnë atë në koncept, stil dhe thirror frymëzimi. Meritë feminine apo feministe, është ky stoicizëm artistik i saj, për të mos e mohuar shpirtin fizik, për ta përdorur atë si një medium në bisedë me veten dhe me lexuesin që dhe e tërheq vemendjen e tij. Pikërisht ky integer, hap dritare të re në letërsinë tonë, redukton mitin, hedh ura bashkimi mes trupave, sekseve, përqafimeve, në dukje të pamundura, midis natyrës dhe konvencionit, me gjuhë arti, që kalon nëpër shpirtin e saj feminin e të pamposhtur fizik. Është gjuha fizike në gjuhën e mendjes së saj, që na befason, një metafizikë që nuk i shqitet, edhe në kushte më ekstreme, fizikut, shpirtit fizik.