Agron Berisha: Si u bë Eni Lena më e kërkuara nga VIP-at në industrinë e Makeup-it

353
Sigal

Make-up artistja e suksesshme Eni Lena, është një nga më të kërkuarat nga VIP-at dhe personazhet e njohura të showbiz-it shqiptar, dhe jo vetëm. Eni punon me femrat më të njohura në botë, duke i grimuar ato për evente të rëndësishme, sfilata mode, gara bukurie ndërkombëtare, apo për dalje në revista prestigjioze. Me mbi 17 vjet përvojë në fushën e bukurisë, ajo ka fituar titullin “Mjeshtër Pune” nga Shoqata Kombëtare Bukuria Shqiptare, titulli i fituar për njohjen si një mjeshtër e lartë me punë të vlerësuar dhe kontribut të jashtëzakonshëm.

Fama e saj si makeup artiste shumë e kërkuar, është përhapur edhe në botë. Eni Lena është emëruar “Makeup Artistja më e Mirë e Vitit 2021” nga revista amerikane “NY Elite” dhe “Makeup Artistja më me influencë për VIP-at” nga revista amerikane “NY Glamour”.

Si artiste e yjeve dhe celebriteteve shqiptare, klientët e saj janë pjesë e disa nga programet më të shikuara në Shqipëri, Evropë dhe Amerikë me artistë të njohur nga: “Përputhen”, “E Diell”, “Portokalli”, “Dua të bëj të Lumtur”, “Open”, “Big Brother Albania”, “Top Fest”, “Voice Albania” në Top Channel Albania. Në këtë intervistë ekskluzive për gazetën “Telegraf”, Eni Lena rrëfen rrugëtimin e saj të suksesit dhe projektet më të fundit.

Makeup artistja e famshme Eni Lena, tregon sekretet e bukurisë

-Si nisi interesimi juaj në botën e makiazhit (make up)?

Eni Lena: Që fëmijë kam pasur dëshirë të pikturoja. Më pas fillova të grimoja veten dhe vajzat e tjera, ku këtu ishte fillimi i ndjesisë që sa vinte e më shtohej, për të qenë një make-up artiste. Shoqet ndjeheshin më të sigurta kur i grimoja unë, atje kuptova qe kishte nisur diçka nga ëndrra ime.

-Si e fillove karrierën?

Eni Lena: Që 19 vjeç pata një ftesë nga grimieri i njohur Mond Lako, pasi më zbuloi si talent për make-up, më ofroi ftesën për t’u testuar në Top Channel si make-up artiste. Që në momentet e para të testimit u aprovua vendi i punës si një talent në fushën e make-up-it. Ku dhe filloi karriera ime që vazhdon deri më sot. Hapi i parë i njohjes së punës time ka qenë puna me karikaturat e personazheve të humorit, në emisionin e njohur të ‘Portokallisë’ dhe të Trupës Kombëtare të Baletit Shqiptar.

-Kur ndodhi hapi i parë i suksesit?

Eni Lena: Fillimi i punës në Top Channel dhe fryma e re e një trendi të make-up natyral televiziv, ishte sukses më vete, sepse aso kohë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë nuk është se grimi ka pasur të njëjtën rëndësi dhe vëmendje si sot.

-Cilat janë disa nga arritjet dhe sukseset tuaja në karrierë?

Eni Lena: Suksesi tjetër dhe që jam krenare që kam qenë pjesë e saj, ka qenë në formatin e spektaklit “Super Model of the World 2005” me producentin dhe fotografin me renome ndërkombëtare Fadil Berisha, ku mezi pritej të lançohej sepse ishte risi dhe e para që zhvillohej për atë kohë.

Nga shumë grimiere që u testuan se kush do ishte pjesë për kujdesin e make-up të modeleve vetem dy u përzgjodhëm për më të mirat, ku unë isha pjesë e kësaj pune. Zotin Fadil Berisha gjej rastin edhe ta falenderoj që me pikasi mua ndër të tjerët, dhe më besoi një punë me përgjegjësi të madhe.

-Mund të na tregoni pak më tepër për Master Class (kurs grimi) dhe si bëhet regjistrimi?

Eni Lena: Master class më i bukur deri më tani ka qenë me pjesmarrjen e 80 kolegëve, ku unë trajtova rreth 2 orë leksion dhe demostrim të një make-up profesional të veçantë, original, të ri, për të dhënë diçka më shumë sipas mendimit tim, nga vetja ime. E cilësoj të veçantë, sepse ishte mbledhja e parë pas pandemisë covid-19, ku vëmendja dhe interesi ishte se çfarë e reje mund të dalë nga këto kohë kaq të vështira.

Për sa i përket regjistrimit të master class, së pari, duhet të jesh i regjistruar dhe i certifikuar nga organet përkatëse që janë të autorizuar. Së dyti, duhet të jesh i afirmuar në treg (kjo vërtetohet nga të dhënat statistikore të përgjithshme që merren si nga oraganet shtetërore edhe ato private). Së treti, duhet të kesh një projekt tëndin të parë paraprakisht për ta prezantuar dhe për ta ndarë me të tjerët. Së katërti, punët e fundit dhe risitë që ke sjellë në  treg janë bonus. Dhe së fundmi, vlerësime serioze nga personalitete të fushës. Të gjitha këto, vlerësohen në fund, me mirëbesim reciprok, nga stafi i master class.

 

-Si ishte përvoja juaj në jurinë e Miss Universe Albania dhe Kosova 2020?

Eni Lena: Pavarsisht nga eksperienca të tjera të ngjashme, kjo ishte një nga më të veçantat si ana emocionale, edhe ajo e përgjegjësisë për të evidentuar të bukurën e vërtetë. Ne këtë aspekt konkurrenca ishte shumë e madhe. Kisha marrë pjesë edhe në juri të tjera, por ishte mjaft e bukur përvoja, sidomos për çmimin që dhashë personalisht për Miss Best Model Universe. Më pëlqeu sharmi, eleganca, delikatesa e vajzës që unë zgjodha, Serena Kapllaj.

-Njiheni si Makeup Artiste e Vipave Shqiptarë. Çfarë është suksesi për ju?

Eni Lena: Për mua janë të gjithë të rëndësishëm në mënyrën e vetë. Jam e kënaqur që puna ime ka marrë permasat e këtij lloji. Më e rëndësishme ështe që vajzat kur mbarojnë së grimuari nga unë, reflektojnë kënaqësi.

-Cilat janë disa aspekte të rëndësishme të industrisë së makeup-it?

Eni Lena: Produktet e mira, përkushtimi, fantazia, imagjinata, përgjegjësia dhe të përfaqësosh të renë.

 

-Mund të na tregoni për disa nga kontributet tuaja origjinale në këtë fushë?

Eni Lena: Një nga ato që më ka ngelur në mendje është momenti kur bisedova me përfaqësuesit e “Ama Caffe”, të cilët deshën të promovonin një produkt të ri dhe të veçantë në treg. Të njejtën gjë kërkuan përsa i përket anës së imazhit që do i përfaqësonte në të ardhmen. E përqafuan shumë shpejt idenë dhe projektin inovativ dhe goditës që paraqitëm unë me makeup-in dhe Enada At Nikolla, me stilin.

Edhe modelet u grimuan ose me saktë, u pikturuan, nga koka deri te këmbët njësoj si kapsulat e “Ama Caffe” që do dilnin në treg. Kanalet me prestigjoze të televizioneve filluan të mos e transmetonin vetem si reklamë, por edhe si risi televizive imazhin e tyre.

-Si u mirëprit ky projekt i juaji nga publiku dhe profesionistë të fushës?

Eni Lena: Të gjithëve ju ka bërë përshtypje dhe kemi marrë vlerësime maksimale. Edhe sot e kësaj dite ma përmendin si punë shumë artistike.

-Cili është projekti juaj më i fundit ku keni marrë pjesë si artiste e makeup-it?

Eni Lena: Projekti i fundit ka qenë kujdesi i imazhit për make-up me moderatoren dhe gazetaren e politikës Eni Vasili në ‚Open‘ Top Channel, një nga formatet më të ndjekur dhe me të vlerësuar të momentit

-Cilat janë disa prej aspiratave dhe qëllimeve tuaja në jetë?

Eni Lena: Aspiratat e mia janë që të thyej çdo kufi për sa i përket profesionit të Make Up Artistit. Falenderoj të gjithë dashamirësit në Shqipëri dhe jashtë kufijve që më vleresojnë maksimalisht.