Studimet në Suedi, 6 kushtet e pranimit, dokumentat dhe kriteret. Testi, vlerësimi i kursit dhe kreditet

688
Sigal

Numri i studentëve të rinj me origjinë të huaj, për periudhën  2011-­2019,  është  13 100

 

Kushtet e përgjithshme të pranimit

Të gjitha kurset dhe programet kanë kushte të caktuara bazë. Nëse keni kualifikim parapërgatitor të shkollës së mesme për arsim të lartë (gymnasieexamen) nga një shkollë e mesme suedeze (gymnasium) ose nga një program arsimimi komunal për persona të rritur, ju plotësoni kushtet e përgjithshme të pranimit për studime të larta në Suedi. Edhe ata studentë me kualifikim profesional nga një shkollë e mesme suedeze ose program i arsimit për të rritur me nota kaluese (A­E) në suedisht ose me suedishten si gjuhë të dytë 2 + 3 dhe anglisht 6, plotësojnë kushtet e përgjithshme të pranimit për studime të larta. Nëse ju mungon kualifikimi në suedisht ose anglisht, duhet të studioni që t’i kaloni këto kurse. Nëse keni kryer shkollën e mesme në një vend tjetër dhe ky kualifikim ju jep të drejtën për studime të larta në vendin tuaj, ka shumë mundësi që të keni të drejtën e studimit në Suedi me kusht që të plotësoni kushtet për suedishten, anglishten dhe matematikën. Mund të fitoni gjithashtu të drejtën e përgjithshme përmes së ashtuquajturës “reell kompetens”, ose mësimit paraprak. Më shumë informacion rreth vlerësimit të mësimit paraprak mund të gjeni në uebsajtin e secilit institucion.

 Kushtet specifike të pranimit

Për shumicën e kurseve, studentëve u kërkohet që të demonstrojnë njohuri paraprake shtesë. Kjo quhet e drejta specifike e zgjedhjes. Një shembull për këtë mund të ishte një program inxhinierie, ku studenti duhet të ketë kryer me sukses një kurs matematike të nivelit të lartë dhe kurse të tjera të shkencave natyrore. Kurse dhe programe të tjera të caktuara, për shembull në disiplinat artistike, mund të kërkojnë një portofol krijimesh ose një provim të veçantë pranimi. Po nëse nuk i plotësoj kushtet? Nëse nuk i plotësoni kushtet e përgjithshme apo specifike të pranimit, ekzistojnë mënyra për t’i arritur këto kushte. Mund të gjeni më shumë informacion pranë shkollave të mesme, zyrave komunale të arsimit për persona të rritur dhe pranë shkollave të mesme popullore. Mund të merrni gjithashtu ndihmë edhe nga një konsulent. Vizitoni uebsajtet folkhogskola.nu dhe studera.nu ose uebsajtin e komunës suaj për më shumë informacion.

Testi Shkollor Suedez i Aftësive

Nëse plotësoni kushtet e pranimit, mund të rrisni shanset e pranimit duke dhënë Testin Shkollor Suedez të Aftësive. Ky test i standardizuar ndahet në tetë pjesë dhe përmban 160 pyetje me alternativa. Të gjitha fushat, me përjashtim të leximit dhe kuptimit të anglishtes, janë në suedisht, prandaj kërkohet një njohuri e mirë e gjuhës suedeze. Fushat që testohen janë: matematika, krahasimet sasiore, diagramet, tabelat dhe hartat, mjaftueshmëria e të dhënave, leximi dhe kuptimi i anglishtes, leximi dhe kuptimi i suedishtes, leksiku i suedishtes dhe plotësimi i fjalive. Testi zhvillohet dy herë në vit dhe mund ta jepni sa herë të dëshironi. Rezultatet janë të vlefshme për 5 vjet. Mund të aplikoni dhe të konkurroni për vendet e lira në kurse dhe programe bazuar në notat dhe rezultatet e testit të aftësive, prandaj nuk humbisni asgjë nëse e bëni këtë test. Më shumë informacion rreth testit (në suedisht), përfshirë dokumentet e aplikimit, mund të gjeni në uebsajtin www.hogskoleprov.nu. Për informacion në anglisht rreth testit, ju lutemi vizitoni uebsajtin studera.nu.

Universitetet e Suedisë po bëhen gjithnjë e më multikulturore. 

Shumë studentë të huaj vijnë në Suedi si pjesë e programeve të ndryshme të shkëmbimit të studentëve. Atmosferës multikulturore i jepet një konsideratë e lartë në arsimin e lartë dhe bëhet shumë për të kontribuuar në rritjen e diversitetit.

Fakte dhe shifra të arsimit të lartë në Suedi

  • Numri i studentëve që studiojnë në Suedi çdo vit: 357 000
  • Numri i programeve që ofrohen në nivel Bachelor dhe Master: më shumë se 4000
  • Numri i programeve që ofrohen në anglisht në nivel Bachelor dhe Master: më shumë se 700
  • Përqindja e popullsisë suedeze të moshës 30-­34 vjeçare me të paktën dy vjet studime të larta: 47,5 %
  • Shuma maksimale e financimit studentor në vit e disponueshme për një student me kohë të plotë (kombinim i granteve dhe huave): 90 240 SEK
  • Përqindja e aplikanteve fillestare femra në vitin 2012: 58 %
  • Numri i studentëve të rinj me origjinë të huaj për periudhën 2011-­2019 është 13 100
  • Numri i studentëve që kryejnë studime në distancë: 68 000
  • Numri i studentëve për doktoraturë për semestrin e vjeshtës 2012: 19 000
  • Numri i studentëve që studiojnë jashtë vendit për periudhën 2011-­2012: 27 700
  • Norma e papunësisë për studentët që kishin përfunduar vetëm arsimin e mesëm: 7,3 %
  • Norma e papunësisë për studentët që kishin studiuar në arsimin e lartë: 4,8 %

Vlerësimi i kursit dhe kreditet

Të gjitha kurset dhe programet e arsimit të lartë ju japin një numër kreditesh studimi. Një semestër studimesh me kohë të plotë, ju jep 30 kredite dhe një vit i plotë akademik, ju jep 60 kredite. Programet shpesh janë trevjeçare (180 kredite) në nivelin Bachelor dhe një ose dyvjeçare (60 ose 120 kredite) në nivelin Master. Për të vlerësuar punën dhe progresin e një studenti, zhvillohen provime nga instruktori i kursit. Provimet mund të jenë provime me kohë dhe me shkrim, provime në shtëpi, ose provime me gojë. Studentëve u kërkohet gjithashtu të përgatisin dhe të paraqesin detyra individuale dhe në grup. Gjithashtu kërkesa të shpeshta të kurseve të ndryshme janë punët e laboratorit, puna në grup dhe detyrat akademike.

 Studentët vlerësohen bazuar në rezultatet e punës së tyre.

Ju keni të drejtën të përsëritni provimet, por jo më shumë se 5 herë. Në disa raste, studentët mund të apelojnë notën e marrë në një provim. Më shumë informacion rreth provimeve dhe vlerësimit mund të gjendet në uebsajtin studera.nu.

Llojet e titujve

Pas përfundimit të studimeve, mund të kërkoni t’ju jepet një titull nga universiteti ose kolegji ku keni studiuar. Ka tre lloje titujsh që mund të jepen: të përgjithshëm, artistikë dhe profesionalë. Ekzistojnë dy lloje titujsh të përgjithshëm në nivelin e ciklit të parë studentor: Diploma Universitare (2 vjeçare) dhe Titulli Bachelor (3 vjeçar). Gjithashtu, ekzistojnë dy lloje titujsh të nivelit të ciklit të dytë studentor: Titulli Master (1 vjeçar) dhe Titulli Master (2 vjeçar). Programet që ofrojnë kualifikim për një profesion të caktuar përfundojnë me një titull profesional. Shembuj të këtyre programeve janë infermieria, inxhinieria dhe psikologjia. studera.nu