Zef Kovaçi: Masiviteti është i kënaqshëm, por mungon cilësia në gara

575
Nga Agron KAJA
PESHËNGRITJE/ Në Durrës vazhdon Kampionati Evropian për moshën deri 23 vjeç, flet për “Telegraf” trajneri i Kombëtares së shtangës
Në këto ditë dukeni shumë i preokupuar dhe i “pa kapshëm”, çfarë ka ndodhur me Zef Kovaçin?
Asgjë e keqe, veçse është rritur ngarkesa në agjendën time ditore. Paradite stërvitem me Erkandin, i cili është në përgatitjet kulmore për Kampionatin Botëror, dhe pasdite shkoj në Durrës në garat e Kampionatit Evropian për moshën deri në 23 vjeç. Janë momente ngarkesë të kësaj jave, ndaj edhe nuk kam qenë shumë pranë medies. 

Gjithsesi, më parë se Botërori, si e keni ndjekur garimin në Kampionatin Evropian të moshës deri në U 23 vjeç?
Kam qenë në të gjitha ditët e zhvillimit të këtyre garave, madje edhe si analist mediatik, një ndjesi që më ka dhënë shumë kënaqësi. Ishte një përvojë e re në një event të tillë, ndaj them se ka qenë një ditë e bukur e karrierës sime.

Si është organizimi, dhe si kanë shkuarat garat në këto ditë?
Janë zhvilluar pesë ditë, nesër (të premten) mbyllen, por ka qenë një organizim shumë i mirë, ku çdo gjë ka shkuar në rregull, jo vetëm në gara, por edhe në akomodimin e të gjithë peshëngritësve pjesëmarrës. Besimi që i dha Federata Evropiane e Peshëngritjes federatës sonë, në këtë aspekt është i justifikuar.

Si ka qenë garimi i peshëngritësve shqiptarë?
Mendoj se të gjithë kanë dhënë maksimumin, por natyrisht që veçohet Arbër Çerçizi në peshën 62 kg që u shpall nënkampion, si edhe Romario Avdiraj që zuri në vendin e tretë në peshën 69 kg. Ndërsa për të tjerët, do të thosha se deri diku, pjesëmarrja e tyre ka qenë e justifikueshme.

Pse, si janë paraqitur në këto gara peshëngritësit e tjerë shqiptarë?
Kur ju deklaroj që pjesëmarrja e të tjerëve ka qenë deri diku e justifikuar, kuptohet që nuk kanë qenë rezultate në pritshmëritë e duhura. Ka një nivel normal, sepse për moshën që kanë, pjesa më e madhe e peshëngritësve tanë sukses kanë pjesëmarrjen. 

Çfarë veçoni ju në këto gara të këtij Kampionati Evropian?
Jo vetëm te Shqipëria, por thuajse tek të gjitha shtetet pjesëmarrëse, masiviteti ka qenë i kënaqshëm, ndërsa cilësia ka munguar. Kryesisht te peshëngritësit shqiptarë, ata që garuan tregon se kemi pak elementë cilësorë të kësaj moshe.

Çfarë presim deri në mbylljen e këtyre garave të këtij Kampionati Europian deri në U23?
Nga peshëngritësit shqiptarë, nuk besoj se do të kemi ndonjë rezultat të veçantë. Suksesi i Arbër Çerçizit si nënkampion i Evropës dhe vendi i tretë për Romario Avdiraj, mendoj se janë sukseset e Shqipërisë në këtë event evropian.

Mbyllet këtu apo ka veprimtari të tjera peshëngritja për këtë vit kalendarik?
Jo, ne jemi duke u përgatitur për Kampionatin Botëror të Peshëngritjes, i cili do të zhvillohet në Kaliforni në fundin e muajit nëntor 2017. Së bashku me Erkand Qerimajn, po punojmë shumë fort, sepse synojmë që ai në këto gara të hyjë në pesëshen më të mirë të Botës.

Është objektiv i realizueshëm ky për Erkandin?
Patjetër që po. Edhe pse në kampionatin e kaluar ai u rendit në vendin e 12-të, këtë herë kemi korrigjuar disa mangësi të vëna re gjatë këtyre tre viteve.

Cilët janë peshëngritësit shqiptarë që do të garojnë në këtë Kampionat Botëror?
Deri tani janë të konfirmuar Erkand Qerimaj dhe Briken Calja, ndërsa Daniel Godelli ende ka probleme me këtë pjesëmarrje. Gjithsesi, ne po përgatitemi të bëjmë më të mirën në këtë event të madh botëror.
35 shtete
Marrin pjesë në Kampionatin Europian të peshëngritjes për moshën e të rinjve dhe deri në U23, me 85 femra, 123 meshkuj, gjithësej 200 peshëngritësa
SHQIPËRIA
Kategoria 23 vjeç
Romario Avdiraj 62 kg-A
Marsil Xhamallari 77 kg-A
Alban Hoxha 77 kg-A
Kategoria të Rinj
Arbër Çerçizi 62 kg-A
Roalb Kuqja 62 kg-B
Kristi Ramadani 77-kg B
Denald Gjata 105 kg-B
Në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes për Junior dhe U-23, që po zhvillohet në Durrës, peshëngritësi shqiptar Arbër Çerçizi fitoi Medaljen e Argjendë në peshën 62 kg, ku bëri paraqitje të mirë në stilin e shkëputjes. E nisi provën e parë me 120 kg, dhe të dytën me 126 kg. Në provën e tretë ngriti131 kg dhe siguroi Medaljen e Argjendit, ndërsa Medalja e Artë u fitua nga bjellorusi Henadz Lapsteu me 132 kg
Kombëtarja U17, start me humbje në kualifikueset për Euro 2018
Dje në “Selman Stërmasi”, Shqipëria U17 është mundur minimalisht 1-0 me Kroacinë. Skuadra jonë e drejtuar nga Xhemal Mustedanagiç, zhvilloi një ndeshje të mirë, ku kishte përballë një kundërshtar shumë të fortë e pretendent në Grupin 2, Kroacinë. Por, përpos lojës, kuqezinjtë 17 vjeçarë u ndëshkuan dy minuta para përfundimit të takimit, pas penalltisë që shkaktoi Smajlaj, të cilën e shndërroi në gol nga Krizmaniç në minutën e 78-të. Ky ishte takimi i parë i kualifikueseve të Kampionatit Evropian U17, “Angli 2018”, ndërsa në takimin tjetër të këtij grupi që u luajt në Durrës, Spanja mundi Litehnshtejnin 3-0. Takimi i ardhshëm për kuqezinjtë do të jetë ditën e diel përballë Spanjës, Kroacia luan ndaj Litehnshtejnit .
Grupi 2
Ndeshjet e luajtura
Dje, 19 tetor 2017 
Shqipëri-Kroaci 0-1
Spanjë-Litehnshtein 3-0
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Spanja 1 3
2.Kroacia 1 3
3.Shqipëria 1 0
4. Lihtenshtein 1 0 
Ndeshjet e radhës
Datë 22 tetor 2017 
Spanjë-Shqipëri 12:00
Kroaci- Litehnshtein 14:00
Datë 25 tetor 2017
Kroaci-Spanjë 14:00
Litehnshtein-Shqipëri 14:00
Sigal