Ylli Shehu: Me Serbinë të luajnë si 11 burra në fushë, pa komplekse

27
Sigal

KOMBËTARJA/ Bëhet publike lista anti-Serbi, ish-sulmuesi kuqezi Ylli Shehu,  tregon motivimin për lojtarët.

Agron KAJA

Dje në mesditë, trajneri i Kombëtares sonë Silvinjo, bëri publike listën e futbollistëve që ai do t’i ketë në dispozicion për dy ndeshjet e radhës të Botërorit 2026, me Serbinë me 7 qershor në Tiranë dhe me Letoninë më 10 qershor në Riga. Në 27 emrat e kësaj liste, trajneri brazilian ka gjetur vënd edhe për dy emrat që luajnë në Superioren shqiptare, dhe duke e komentuar këtë listë, ish-sulmuesi i Kombëtares sonë, Ylli Shehu, dje për gazetën “Telegraf” u shpreh se të dyja ndeshjet janë të vështira, por që duhet larguar fryma politike ndaj Serbisë në Tiranë. “Me Serbinë nuk them se do jetë një ndeshje jashtë normales, përpos historisë që ne kemi me atë skuadër. Por skuadra jonë duhet të dalë nga këto emocione dhe të përqendrohet te loja. Sepse ne kemi mundësi me këta lojtarë që të bëjmë mirë, të luftojmë me zemër dhe me shpirt. Natyrisht që është një ndeshje e vështirë, por ne kemi mundësitë tona, duhet të luajmë mirë futboll. Ju them lojtarëve tanë që me Serbinë të luajnë si 11 burra në fushë dhe pa komplekse”, kështu e nisi dje bisedën ish-sulmuesi kuqezi Ylli Shehu, i cili thirrjen e trajnerit Silvinjo, se në të dy këto sfida Kombëtarja dhe ai kanë nevojë për ta, e komenton si normale dhe të domosdoshme në politikat e trajningut. “Silvinjo është një trajner profesionist, dhe duke e njohur historinë tonë me Serbinë, ai e kthen fokusin te ndeshje, duke i motivuar lojtarët vetëm te fusha e lojës. Komenti që bëri për deklaratën e Presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i cili i ka bërë thirrje trajnerit të Kombëtares së vendit të tij që të shkonte në Shqipëri dhe të fitonte, në ndeshjen e 7 qershorit, mendoj se këtu futbollistët tanë duhet të gjejnë profesionalizmin e tyre, të ndajnë emocionet nga politika dhe të ruajnë identitetin tonë kuqezi. Futbolli është i bukur, sepse zgjat 90 minuta një ndeshje, por këtë herë ne kemi 180 minuta për të luajtur, ndaj dhe duhet të japim gjithçka aty”. Duke qëndruar tek emrat e listës që Silvinjo paraqiti zyrtarisht dje, Ylli Shehu kërkon prej të gjithëve që në të dy këto ndeshje ta vlerësojnë më shumë fanelën, pa ndikime të së kaluarës me këta kundërshtarë. “Natyrisht që me Serbinë do jetë një ndeshje speciale të themi, por në këto shtatë ditë përgatitje trajneri të këmbëngulë edhe në psikologjinë e lojtarëve. Teorikisht në letër Serbia është vendi i dytë në grup, por në futboll mund të ndodhë gjithçka”, ishte ky komenti i Ylli Shehut për listën e Kombëtares sonë për ndeshjet me Serbinë dhe Letoninë.

KAMPIONATI EUROPIAN U 17

 

Shqipëria e mbylli me kolonën zero, në pikë dhe gola

Të dielën në mbrëmje, Shqipëria e U17 vjeçarëve e mbylli aventurën e pjesëmarrjes në ndeshjet finale të Kampionatit Europian të kësaj moshe, duke mos ndryshuar asgjë në humbje, 0-4 edhe ndaj Francës. Tre humbje rresht me të njëjtën shifër, ku veç zero pikëve, edhe zero gola të shënuar me 12 të pësuar, shifra të cilat në leximin e tyre treguan diferencat e dukshme të skuadrës sonë me kundërshtarët. Por këto ndeshje, treguan se eksperimenti me trajnerin italian Andrea Tedesko doli i dështuar, njëherësh edhe një basti i humbur i drejtorit teknik Fulvio Pea që e bëri këtë vendosje. Dhe për fatin e keq të skuadrës sonë, ai nuk tregoi nivel në bankinë dhe la shumë për të dëshiruar. Loja pa ide në tre takimet e luajtura, e rëndojnë ndjeshëm pozitën e trajnerit Tedesko, ndërsa Kombëtaren tonë e zhveshi para skuadrave të mëdha të kësaj moshe, si një debutuese e dobët. Një zhgënjim ky që rëndon më se shumti edhe te drejtori teknik i Kombëtares shqiptare, Fulvio Pea. Sepse vetë situata me kolonën zero në pikë dhe gola, e tregon qartë këtë zhgënjim.

EUROPIANI U 17

FINALET

Ndeshjet – Grupi A

Shqipëri-Portugali                   0-4

Gjermani-Francë                     0-3

Shqipëri-Gjermani                   0-4

Francë-Portugali                      0-0

Francë-Shqipëri                       4-0

Portugali-Gjermani                  2-1

RENDITJA

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Franca                      3          7

2.Portugalia                 3          7

3.Gjermania                 3          3

4.Shqipëria                  3          0

 

 

LISTA E FUTBOLLISTËVE

Portierë: Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Alen Sherri, Mario Dajsinani

Mbrojtës: Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Naser Aliji, Marash Kumbulla, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Adrian Bajrami

Mesfushorë: Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Kristjan Asllani, Qazim Laçi, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Medon Berisha, Arbër Hoxha

Sulmues: Ernest Muçi, Jasir Asani, Armando Broja, Myrto Uzuni, Rey Manaj, Mirlind Daku

“BOTËRORI 2026”

Kualifikueset-Grupi K

Ndeshjet-Shqipëria

Angli-Shqipëri                         2-0

Shqipëri-Andorrë        3-0

RENDITJA

Skuadrat        Nd       P

1.Anglia          2          6

2.Shqipëria      2          3

3.Letonia         2          3

4.Serbia           0          0

5.Andorra        2          0

Datë 7 qershor 2025

Shqipëri-Serbi             20:45

Datë 10 qershor 2025

Letoni-Shqipëri           20:45

Datë 9 shtator 2025

Shqipëri-Letoni           20:45

Datë 11 tetor 2025

Serbi-Shqipëri             20:45

Datë 13 nëntor 2025

Andorrë-Shqipëri        20:45

Datë 16 nëntor 2025

Shqipëri-Angli                         20:45