Xhevdet ZEKAJ/ Superliga e sulmuesve të huaj, përse?!

429
Sigal

Superliga Shqiptare deri më tani mund të quhet kampionati i sulmuesve të huaj. Dhe me arsye. Në “Top 10” shënuesit më të mirë të 22 javëve kampionat, vetëm dy janë shqiptarë. Elis Bakaj i Tiranës, i dyti, me 9 gola, ndërsa Arbër Abilaliaj i dhjeti, me 6 gola. Të tjerët janë të gjithë “mall importi”. Kryeson një bomber kroat, si Pero Pejiç i Kukësit, “Këpuca e Artë” në fuqi, që ka gjetur tokën e premtuar në Shqipëri. Pas tij dhe Bakajt vjen Ndikumana i Tiranës, me 8 gola, për të vijuar me emra të tjerë të huaj, si Olayinka (Skënderbeu), Xhejms, Cetkovic (Laçi), Soza (Vllaznia), Martins (Skënderbeu) dhe Raçiç (Partizani). Po çfarë ka ndodhur kështu? A është ky një kampionat ku “numrat 9” stonojnë, e kanë të vështirë të gjejnë rrugën e golit, apo ata thirren për t’u sakrifikuar për “numrat dhjetë”. Pikërisht për këtë, tani të gjitha “kopertinat” duhet të jenë për sulmuesit e huaj. Kauza e një anomalie të tillë është për faj të importit cilësor e të gatshëm nga jashtë në këtë drejtim, apo i mungesës së vëmendjes së trajnerëve për të punuar me vendësit në aspektin ofensiv, qysh te moshat e deri në majën e piramidës. Po t’i shohësh nga vetitë dhe pozicionet ku luajnë nëpër skuadrat e tyre, shumica e sulmuesve të huaj të “Top 10” janë “pyka”, apo e thënë ndryshe qendërsulmues. I tillë është Pejiç, Raçic, Xhejms, Soza dhe Olayinka. Kjo do të thotë, të paktën teorikisht, se sistemi i ngritur në perfeksion prej Spanjës së Aragones dhe Del Boskes mungon në futbollin tonë. I ashtuquajturi model loje me “nëntën false” nuk praktikohet, për arsye objektive dhe subjektive ndoshta. Diskutim që mund të ezaurohet më mirë nga trajnerët e Superligës apo specialistët përkatës. Produkti tregon se te ne nuk është lënë mënjanë qendërsulmuesi i mënyrës “së vjetër”. Pero Pejiç te Kukësi e dëshmon më së miri këtë. Sidoqoftë, shqetësimi që ngre ky shkrim nuk ka të bëjë aq me anën tekniko-taktike, se sa me drojën e zhdukjes së bomberave shqiptarë. Kjo, duke pasur parasysh statistikën e sipërcituar të 22 javëve kampionat. Sulmuesi shqiptar që ka spikatur dhe ka fituar për së fundi dy herë radhazi “Këpucën e Artë” është Daniel Xhafaj. Aktualisht pjesë e Dinamos në Kategorinë e Parë. Vlonjati ka qenë tmerr i portave kundërshtare në dy sezone radhazi, në vitet 2009-2011, me dy fanella të ndryshme. Sezonin e parë te Besa, pastaj me Flamurtarin. Pas tij do të dilte në pah Roland Dervishi te Shkumbini, me 20 gola, në sezonin 2011-2012. Sulmuesi i fundit shqiptar që ka fituar “Këpucën e Artë” është Migen Memelli me Flamurtarin, kur realizonte 19 gola në sezonin 2012-2013. Edhe ky “bomber” ka përfunduar tashmë si Xhafaj një kategori më poshtë, si pjesë e Tërbunit. Normalisht, vitet e bëjnë të vetën. Vjet triumfoi Pero Pejiç me 20 gola të shënuar në Korçë, i ndjekur nga pas prej kavajasit Sokol Cikalleshi, si pjesë e Kukësit. Kroati kryeson sërish në kampionatin aktual dhe duket se nuk do të ketë kundërshtarë në këtë drejtim, duke bërë “bis” me trofeun e golashënuesit më të mirë të Superligës. Elis Bakaj dhe Arbër Abilaliaj janë dy të vetmit shqiptarë që na përfaqësojnë modestisht në këtë drejtim. I pari, pjesë e Tiranës, jo sulmues i mirëfilltë, por që ka shënuar 9 gola në 22 javë të Superligës. Të gjithë nga aksione të ndryshme, vetëm një nga pika e bardhë. Tjetri është pjesë e Flamurtarit, sulmues tipik, që ka provuar të veshë fanellën e disa skuadrave, me 6 gola. Edhe ai nuk ka shënuar asnjë nga penalltia. Në fakt mungesa e të ashtuquajturve goleadorë, apo “sulmues race”, të tipit të Fortuzit, Sinanit, Salihit e ndonjë tjetri në dekadën e fundit tregon se ky “soj” po zhduket në futbollin tonë. Pse ndodh kjo? Nuk u japim shanset të rinjve për të treguar veten, duke sjellë nga jashtë sulmues të sprovuar, nuk punohet mirë në këtë drejtim nga trajnerët, apo diçka tjetër? Kjo është një temë e gjerë debati, që mund të bëhet me njerëzit e kësaj loje në Shqipëri. Ndokush mund të thotë se sulmuesit e mirë rrëmbehen nga klube të huaja, por s’është se na ka ndodhur kështu. Vetëm Cikalleshi është “eksport” i dy sezoneve të fundit. Nuk është se edhe reparti ofensiv i kombëtares, apo i përfaqësueseve të tjera kuqezi, po shkëlqejnë në planin ofensiv. Shkëlzen Gashi, golashënuesi më i mirë i Zvicrës, por edhe lojtari më i mirë i këtij kampionati, çuditërisht nuk është i parapëlqyer nga De Biazi, madje në dy miqësoret e fundit të luksit nuk u thirr fare. Bala, Cikalleshi, Kapllani, Salihi, po ashtu, nuk po shënojnë në klubet e tyre. Asnjëri nuk është në atë lartësi, sa të jetë zgjedhje e parë e padiskutueshme në kombëtaren aktuale. Pra, mungesa e goleadorëve duket më tepër një shqetësim i futbollit shqiptar, se sa i Superligës, e cila dominohet nga “malli i huaj”, i gatshëm. Vetë ç’po prodhojmë, ç’po bëjmë në këtë drejtim, ky është shqetësimi dhe debati që ia vlen të ngërthejë specialistë të ndryshëm pas këtij shkrimi.

Të burgosurit “fitojnë “lirinë me futboll, shpallen kampion në turneun miqësor

Një iniciativë e bukur ka marrë jetë nga ana e FSHF për të organizuar turne miqësor futbolli me të dënuarit e burgjeve të Peqinit, Kavajës, Fushë Krujës etj., ku këta të fundit luajtën pikërisht dje, në stadiumin “Besa” të Kavajës, ndeshjen finale të këtij turneu, ku kundërshtarët ishin ish-futbollistë të Kombëtares së Shqipërisë, ndeshje që përfundoi me fitoren e të dënuarve me rezultatin final 5-3. Ndeshja e djeshme, finalja e këtij turneu, ishte edhe ndeshja ku fituesit morën kupën dhe medaljet e aktivitetit. Ato u dorëzuan nga Presidenti i FSHF, Ministri i Drejtësisë dhe Kryetari i Bashkisë së Kavajës. Ky aktivitet i organizuar kishte si qëllim përfshirjen edhe të të dënuarve në të tilla turne, madje FSHF ka investuar edhe në ndërtimin e fushave minifutbolli, duke i pajisur institucionet edhe me bazë materiale për ekipe të dënuarish.

Vllaznia hap dyert e stadiumit për tifozët, pritet prani e madhe e tyre

Një vendim i marrë në ndihmesë të pasjes së një tifozerie sa më të madhe në numër, ka bërë që përsëri klubi i Vllaznisë të hapë dyert e stadiumit “Loro Boriçi” duke lejuar të gjithë tifozët të futen në stadium pa nevojën e biletës. Një vendim ky që vjen më shumë në rritjen e interesit të tifozëve, duke parë se Vllaznia kohët e fundit ka qenë përballë humbjeve të shumta, duke marrë një fitore vetëm në ndeshjen ndaj Apolonisë javën e kaluar. Në fakt, ndeshja me Elbasanin pritet që të rikthejë një numër të madh tifozësh në stadium, për të qenë pjesë e një tjetër fitoreje të Vllaznisë.