Agron KAJA/ “Derbi” i kryeqytetit transferohet në “shtëpi me qira”!

822
Sigal

TIRANA-PARTIZANI/  Ndeshja më e madhe e Kategorisë Superiore shqiptare hallakatet për një fushë, luhet në Peqin!

Ka disa ditë që ndeshja e 141-të mes Tiranës e Partizanit nuk po gjen një strehë ku do të luhet, një gogël e ngatërruar kjo për shkak të infrastrukturës së dobët që ka kryeqyteti. Kjo ndeshje e javës së 24-t u fol se do të luhej në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, sot në ora 19:00, ku edhe për biletat publikisht u tha se ku do të shiteshin. Mandej, në këtë ndeshje, nga drejtuesit e stadiumit ishte thënë se njëherësh do të përurohej edhe tapeti i ri i fushës, çka e bënte edhe më interesante këtë sfidë të 141-të mes këtyre dy skuadrave më të mëdha të historisë së futbollit shqiptar. Por nëse historia është me to, realiteti i ka zhvendosur të dyja këto skuadra në provincë, pasi asnjëra prej tyre nuk ka një stadium se ku ti zhvillojë ndeshjet. Kësisoj, nga Tirana si pritëse kishte thënë zyrtarisht se ndeshja do të luhej në “Qemal Stafa”, por kjo mbeti vetëm dëshirë në tentativë, e për të mbetur besnikë të impiantit, u tha se do të luhej pas 10 ditësh. Këtu duket qartë që kampionati merr një amulli, të cilën ndoshta e ka kapur në kohë shefi i ri i sektorit të garave në FSHF, i cili dje publikisht ka deklaruar se për këtë derbi nuk do të ketë shtyrje date, veç zhvendosjes së stadiumit dhe se ai do të luhet në ditën e përcaktuar prej saj, pra sot në ora 19:00. Hajde merre vesh kështu se çfarë infrastrukture futbolli kemi në kryeqytet, e kësisoj duket se shkojmë drejt një rekordi “Guiness”, ku me këtë rast duhet të jemi vendi më unik në botën e futbollit që në kryeqytet nuk kemi të gatshëm një stadium për Superligën! Në “Qemal Stafa” nuk mundet të luhet, ku teknikisht tapeti i ri ende s’është i gatshëm, e Tirana, si pritëse, e ndodhur nën presionin e FSHF-së, e ka transferuar sfidën në Peqin, që me një terminologji jo gjuhësore do të thoshim se e ka transferuar këtë derbi në provincë. Pra, skuadrat e kryeqytetit kërkojnë stadium me qira si jabanxhinjtë e shumtë në Tiranë. Është kthyer së prapthi koha e futbollit, ndërsa impianti “Ruzhdi Bizhuta Arena” në Elbasan u kyç për ndeshjen e radhës së Kombëtares me Armeninë. Nuk është keq që të luhet edhe në Peqin, një qytet historikisht futbolldashës që me skuadrën e tij “Shkumbini” vite më parë ka qenë protagonist në Superiore. Kjo është veç një histori, pasi realiteti në vitin 2015 nuk mund ti shkojë për shtat aspak një handikapi të tillë si në Tiranë, që si kryeqytet nuk ofron një stadium për një ndeshje të madhe, nga më të mëdhatë e historisë së 76 kampionateve të futbollit tonë. Ngado që ta kapësh këtë hallakatje, “shigjetat” e kritikave mbeten në Tiranë, sa në FSHF, aq edhe në ambientin bardheblu si skuadër pritëse. Ndoshta kryeqytetasit që janë tifozë të Tiranës duhet të mësohen kësisoj ta shohin skuadrën e tyre vetëm në “imigracion-fushe”, pasi si nga drejtuesit e klubit, ashtu edhe nga FSHF-ja ende nuk po bëhet e mundur që stadiumi “Selman Stërmasi” të vihet në funksion për lojë, jo vetëm për vaditje dhe për kullotje të ndonjë bagëtie në orët e mbrëmjes. Gjithsesi, duke e lënë paksa problematikën që shthuri këtë “derbi” të 141-të, le të themi se ai sot do të luhet me një gjendje thuajse të barabartë të këtyre skuadrave në tabelën e renditjes. Tirana në vendin e 2-të me 47 pikë dhe Partizani në vendin e 4-t me 44 pikë, e çojnë këtë sfidë të javës së 24-t të Kategorisë Superiore përtej interesantes. Në dy ndeshjet e luajtura në fazën e parë dhe në fazën e dytë, është regjistruar një barazim 0-0 dhe një fitore 2-0 për Partizanin, çka i thotë Tiranës si pritëse se kjo është dita për të “marrë hak”, momenti për të balancuar gjithçka e për të ruajtur vendin e dytë në kreun e renditjes. Të dyja skuadrat vijnë nga java e 23-të me rezultate të ndryshme, ku Tirana u mund thellë në Laç 3-0, ndërkohë që Partizani fitoi 2-1 ndaj Teutës. Kësisoj, ky është një realitet që si skuadra të mëdha, e bën këtë “derbi” vendimtar të vazhdimësisë së kreut të renditjes, atje ku skuadra e Kukësit e ka kapur kreun pas barazimit 1-1 me Skënderbeun javën e kaluar, e që këtë javë do të ketë një ndeshje teorikisht të lehtë për ta fituar, ndaj Apolonisë në Fier. Përtej “derbit” të kryeqytetit dhe sfidës së Kukësit në Fier, kjo javë ofron edhe dy ndeshje të tjera, sa interesante aq edhe të vështira për t’u përcaktuar. Skënderbeu luan në transfertë me Teutën, ku do të kërkojë të jetë në hapin e kryesueseve, ndërkohë që skuadra durrsake kërkon sa më shumë pikë për të qenë në rrugën e mbijetesës. Në Vlorë do të jetë mysafir Laçi, i cili vjen pas një fitoreje të madhe në javën e kaluar ndaj Tiranës dhe do të kërkojë të jetë sa më komfort në mesin e tabelës së renditjes. Këtë e kërkon edhe Flamurtari, madje një fitore e tij e afron me 1 pikë me Laçin dhe e fut në pozicione kërkuese për një vend në Europë. Kjo do të jetë java e 24-t e Kategorisë Superiore shqiptare, e cila nis me ndeshjen e madhe Tirana-Partizani që do të luhet në ora 14:00 në Peqin.

Statistikat e “derbit”

Tirana dhe Partizani kanë zhvilluar mes tyre 140 ndeshje, nga të cilat Tirana ka fituar 43 dhe Partizani 55, ndërsa në 42 takime janë ndarë në barazim. Golavarazhi mes tyre është 159:199, çka tregon se në të gjithë treguesit Partizani është superior ndaj Tiranës

 Përballjet 2014-2015

Në dy fazat e para

Java e  6-të, 26.09.2014

Tirana-Partizani   0-0

Java e 15-të, 08.12.2014

Partizani-Tirana   2-0

Ndeshjet-java e 24-t

Nesër, 28.03.2015

Tirana-Partizani           14:00

Vllaznia-Elbasani         14:00

Apolonia-Kukësi          14:00

Teuta-Skënderbeu        17:00

Flamurtari-Laçi            17:00

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1. Kukësi               23      48

2. Tirana               23      47

3. Skënderbeu       23      45

4. Partizani            23      44

5. Laçi                   23      38

6. Flamurtari         23      34

7. Vllaznia             23      28

8. Teuta                 23      19

9. Elbasani            23      12

10. Apolonia         23      9

Për ta kujtuar

Ka një histori jo fort të mirë Partizani në Peqin, teksa kujtojmë që disa kampionate më parë, kur luante me Shkumbinin vendas, ka ndodhur një incident, teksa ish-futbollisti i Partizanit, Paulin Dhëmbi, në protestë ndaj arbitrit Bardhyl Pashaj, për kundërshti i ka veshur fanellën e tij në kokë. Nga kjo ndeshje ka dalë edhe shprehja qesharake e lëshuar nga institucionet e rendit dhe të drejtësisë të asaj kohe se: …  Arbitri s’ka motër …!