Xhevdet Zekaj/ Duka, “mbreti pa kurorë” i futbollit shqiptar

529
Sigal

Edhe pak orë na ndajnë nga fitorja plebishitare e Dukës, më plebishitare se fitoret e Enver Hoxhës, pa kundërshtar përballë, në mbretërimin e katërt si president i FSHF-së. Natyrisht, kushdo mund ta gjykojë vetë se sa e merituar është një fitore e tillë, që ngjason shumë me fitore-humbjet e trukuara të kampionatit tonë, por jo vetëm. “Mbretin” pa kurorë të futbollit shqiptar (kurorë do të ishte pasja e një stadium më kushte optimale për ndeshje ndërkombëtare, që na e ka premtuar sa e sa herë Duka dhe kryeministrat që ai ka pritur e përcjellë, plot tre të tillë) na e justifikoi në rizgjedhjen e tij pa rival për herë të katërt as më pak dhe as më shumë, por vetë Platinia i UEFA-s. Ai që nuk ngurroi të kërcënonte me gjuhën e njëllojtë sit ë Dukës Gjermaninë gjatë shortit të eliminatoreve të “Euro 2016”, vetëm pse Klop nuk pajtohej me strukturën e re të këtij kompeticioni. Thënë ndryshe, arroganca, drejtimi diktatorial, është një “sëmundje globale” e futbollit. E dëshmon këtë historia e Blaterit në krye të FIFA-s, e mbushur me akuza nga më të rëndat, ashtu sikurse ka qenë edhe drejtimi i Dukës në këtë futbollin tonë pa besueshmëri, pa stadiume që përmbushin kushtet ndërkombëtare, pa cilësi, pa tifozë. E megjithatë, kjo “familje” shtrëngon radhët kundrejt çdolloj zëri për pak dritë, pak transparencë, pak kompeticion në garat zgjedhore. Të ngjashmit i bëjnë fresk njëri-tjetrit dhe kështu kemi drejtues që kanë “hedhur rrënjë” në karriget e tyre. Platinia erdhi për ta uruar paraprakisht kanakarin e vet, Duka, në rizgjedhjen e sigurt në krye të FSHF-së, por nuk u shqetësua aspak pse nuk ka garë në asambletë zgjedhore të futbollit shqiptar. Thjesht i la të kuptojë Kryeministrit Rama, ashtu sikurse paraardhësit Berisha, se Duka është i paprekshëm, se çka ndodh në zyrat e institucionit në krah të Ambasadës Amerikane në Tiranë, apo në tërë futbollin tonë, duhet të mos shqetësojë qeveritarët. Të gjitha i zgjidhin brenda “familjes”, pa pasur nevojë për dritën e tjetërkujt, njëlloj sikur funksionojnë organizatat mafioze. Kur iku nga Shqipëria dhe u pyet nga gazetarët, kreu i UEFA-s e demantoi objektivin madhor të Dukës, që e ka premtuar në të gjitha fushatat zgjedhore: ndërtimin e një stadium të hajrit për të luajtur kombëtarja. Francezi tha se nuk mund të bëhet realitet kjo gjë, pasi “kryeministri Rama më tha që nuk ka para”. Pra, stadiumi u ndërtoka me paratë e qeverisë shqiptare, por kjo e fundit s’ka asnjë të drejtë të kërkojë sadopak transparencë apo llogari për bjerrjen e futbollit tonë, në të gjitha nivelet. Pika e përbashkët FSHF-qeveri na qenka futja e futbollit nëpër shkolla, aty ku s’ka hapësira infrastrukturore për asgjë në këtë drejtim. Sikurse nuk ka në tërë Tiranën, në fakt, por jo vetëm, ndaj edhe të rinjtë s’kanë ku ta luajnë lojën më të dashur. E megjithatë Duka po rizgjidhet si president i FSHF-së vetëm duke na shitur për të satën herë si arritje zyrat e federatës, për blerjen e të cilave ka pasur mjaft akuza, apo kostumet për ekzekutivasit, që janë kthyer në manekinë shumëpërdorimësh të “mbretit pa kurorë”. E meqë siguroi 4 mandate me kaq pak “investim”, meqë nuk del asnjë kryeministër të vërë dorë realisht në futbollin shqiptar, ku “peshku është qelbur nga koka”, ku president të ndryshëm klubesh e akuzojnë gjithfarëllojesh herë pas here, por lëpijnë atë që kanë pështyrë në ditë zgjedhjesh, Duka e meriton të zgjidhet 10 mandate, sa t’ia lejojë mosha biologjike! I keni parë ushtarët servilë të Komitetit Ekzekutiv, të njëjtët si edhe Duka, që mbyllin sytë para çdolloj të vërtete të hidhur të futbollit shqiptar dhe bekojnë shefin, pavarësisht se jemi të parët në Europë për trukime, se jemi i vetmi vend në Europë pa Ligë Profesioniste, i vetmi vend në Europë pa stadium ku të luajë kombëtarja, etj. etj. E meqë edhe vetë shtetarët pajtohen me këtë realitet, gjithë të tjerëve që e duan pa interes futbollin s’u mbetet gjë tjetër veçse t’u ngrenë statuja dhe buste Dukës dhe komitetasve, këtyre servilave të shpëlarë e pa dinjitet. Po si zhvillohen këto asamble zgjedhore të futbollit tonë? Mjafton të themi që mandat-votimi i delegatëve nuk rrjedh nga asambletë e klubeve apo shoqatave anëtare të FSHF-së. Nuk ka një klub që bën mbledhjen e asamblesë së vet për të dalë në vendimmarrje se kë do të propozojë apo votojë, por të gjithë, të lumtur e të mrekulluar nga situata e futbollit tonë, kanë vetëm një “yll polar”, Dukën dhe sejmenët e tij në Komitet Ekzekutiv. Dhe ky trukim asamblist zgjedhor e institucional nuk ka si mos të mos derivojë pa asnjë problem në trukimin e vetë futbollit shqiptar. Pra, asamble klubesh nuk ka, kandidat rivalë për president jo, mandate të rregullta delegatësh jo, uzurpim të propozimeve për anëtar të ekzekutivit me ata që do “mbreti pa kurorë” po, atëherë imagjinojeni vetë se çfarë legjitimiteti kanë drejtuesit e këtij sporti në vendin tonë…