Agron KAJA/ Ja pse Duka meriton “poltronin” e presidentit

480
Sigal

Futbolli në skaner, sot Asambleja e FSHF-së për të ristartuar vlerat e futbollit tonë

Ditët e muajit shkurt duket se kaluan shumë shpejt dhe data 28 tashmë trokiti për të startuar në ora 09:00 punimet e Asamblesë Zgjedhore të FSHF-së. Pas vizitës gjatë javës së kaluar të Presidentit të UEFA-s në Shqipëri, Mishel Platini, në një farë mënyre u “bekua” paraprakisht Armand Duka edhe për një mandat të katërt në krye të FSHF-së, ndërkohë që në këtë event të rëndësishëm të futbollit tonë vend të rëndësishëm zë, edhe analiza e punës 4-vjeçare dhe zgjedhja e forume drejtuese për një mandat të ri katër vjeçar. Për këtë event pati edhe një fushatë që filloi muaj më parë mediatikisht, madje, edhe e ashpër me akuza e thënie të çuditshme, e cila sot ka pozicionuar persona të ndryshëm, të medias e jashtë saj, në kahjet PRO dhe KUNDËR atyre që kandidojnë në postet drejtuese. Kujtojmë se Armand Duka e konfirmoi qysh në fundin e vitit të kaluar rikandidimin e tij për mandatin e katërt, ndërkohë që vetëm gjatë ditëve të para të muajit shkurt biznesmeni tiranas Kujtim Gjuzi ishte emri i dytë që kërkonte të kandidonte për këtë post. Nuk u bë e mundur që ai ta çonte deri në fund dëshirën e tij për postin e Presidentit të FSHF-së, e për këtë post mbeti i vetëm Armand Duka, çka do të thotë se ai e ka fituar mandatin e katërt në krye të FSHF-së. Gjithsesi, ky moment demokratik në mediat e ndryshme të Shqipërisë meritonte të quhej edhe si një lajm i mirë për futbollin tonë, parë në këndvështrimin real e serioz, përkundër këndvështrimeve individuale që ka gjithkush që i mundësohet të shkruajë në gazetë, të flasë në radio apo në televizion. Sepse cilido që kërkon të zgjidhet në krye të FSHF-së, nuk mendoj se i ka zënë rrugën medias së lire dhe se rikandidimi i Dukës nuk është prishje e demokracisë së brendshme në institucionin e futbollit, apo se ai na qenka në krye të FSHF-së si “ujë i ndenjur” në tre mandate, na paska drejtuar si një diktator që nuk ka sjellë ndryshime në FSHF! Jo, se duke e njohur diagramën e punës të Armand Dukës si një personalitet në krye të futbollit tonë, nuk mund të qëndrohet indiferent për të thënë atë çka është përjetuar me këtë rast, dhe pse? Sepse duke renditur në këto radhë fakte që tregojnë se Duka në futboll ka bërë histori me bilanc pozitiv, le të bindim paksa lexuesit dhe skeptikët se mandati i katërt do të jetë më i suksesshmi në harkun e 4 mandateve në tërësi. Nëse do të përmendim mandat pas mandati rrugën 12- vjeçare të FSHF-së me President Armand Dukën, do të ishte një rrugë e gjatë, por duke i kaluar ato me momentet më të veçanta, kujtojmë se kur Zoti Duka u zgjodh në mandatin e tij të parë si President i FSHF-së, selia e saj ka qenë e ngujuar në një “garsoniere” poshtë shkallëve të stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” dhe vetëm disa ditë më pas ajo u akomodua në ambientet e ish-Hotel “Internacional”. Më pas, deri në vitin 2002, kur Armand  Duka u zgjodh për herë të parë President i FSHF-së, në Shqipëri vetëm fusha e stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” ishte e përdorshme në standard nën mesatarin e kohës, ndërsa në stadiumet e tjera të ndërtuara para vitit 1990 fushat kanë qenë si “parcela patatesh”. Ndërkohë që tani, 12 vjet më pas, janë ndërtuar mbi 30 fusha në stadiume të ndryshme, diku edhe dy apo tre herë, është vendosur ndriçimi në 8 stadiume, kryesisht atje ku ka skuadra të Kategorisë Superiore, por edhe në Kategorinë e Parë. Për të kaluar më pas tek skuadrat tona Kombëtare të të gjitha niveleve, ku gjatë kësaj periudhe kohe thuajse është bërë një revolucion në menaxhim e drejtim. Po gjatë kësaj periudhe Kombëtaren e madhe e kanë drejtuar 7 trajnerë të huaj, ku janë afruar dhjetëra talente, të cilëve vetëm fati u ka munguar për të dalë nga ngërçi i renditjes kualifikuese. Njëherësh është rritur shumë interesi për ndeshjet e Kombëtares sonë, aq sa tifozë nga Kosova, Maqedonia, Mali i  Zi e më gjerë, kanë sjellë emocionet e tyre në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, gjë që më parë dukej si një shaka kur e mendoje. Por në këtë hark kohor të drejtimit të FSHF-së nga Armand Duka si President i saj, standardet janë rritur jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në menaxhimin sportiv e administrativ të futbollit, gjë që më parë nuk ishte menduar nga ish-drejtuesit e FSHF-së. Por gjatë kësaj periudhe qeverisëse të futbollit shqiptar nga Armad Duka kanë ndodhur edhe ngjarje prej të cilave mund të reagosh kur të duash, por jo si të duash, sepse po të sillen në kujtesë shumë detaje të tjera për punën e FSHF-së në harkun e 12 viteve të fundit, ka pasur edhe problematika, ngjarje e momente prej të cilëve edhe futbolli në Evropë e në Botë nuk ka shpëtuar. P.sh, në këtë periudhë shumë skuadra të Superiores sonë janë përfshirë në vorbullën e trukimit të ndeshjeve të futbollit, duke i vendosur ato në vendin e parë në Europë. Kjo ka ndodhur dhe nuk mohohet, por vetëm gjatë periudhës që President i FSHF-së është zoti Duka është zbardhur de fakto futbolli ynë i trukuar, pasi më parë trukimet bëheshin hapur fare dhe atëherë Evropa nuk tregonte ndonjë interes të veçantë. Por duke ndarë rolin e FSHF-së si organizatore dhe rolin e klubeve si pjesëmarrës në garë, del se trukimet nuk janë “pronë” e FSHF-së dhe e presidentit të saj. Sepse klubet që kanë trukuar ndeshje nuk e kanë pasur këtë detyrë nga FSHF-ja, ndërkohë që gjatë tre mandateve që Duka ka drejtuar FSHF-në kanë provuar skajet e renditjes thuajse të gjitha skuadrat e kryeqytetit, aq sa “Legjenda” si Partizani e Dinamo provuan edhe kategoritë inferiore, ndërkohë që edhe Tirana duket se po endet në ujërat e turbullta”të rënies në Kategorinë e Parë. Thuajse të gjitha skuadrat e Superiores, por edhe në nivelet e tjera, kanë treguar luhatje në financa dhe në fushën e lojës, por këto dallgë nuk vijnë nga puna e FSHF-së, pasi ato janë pjesë e futbollit kudo edhe në Botë dhe Evropë e jo vetëm në Shqipëri. Kështu që po ta trajtonim këtë situatë si pjesë e mangësive të FSHF-së dhe të Armand Dukës si president i saj do të thoshim se jemi nën efektin e mentalitetit e të gjykimit të njëanshëm për institucionin e futbollit. Dhe midis të tjerave ka edhe një pyetje, se: Çfarë nuk bëri dot zoti Duka gjatë tre mandateve të tij në krye të FSHF-së? Po, ai si president nuk arriti që ta qartësonte politikën qeverisëse shqiptare për stadiumin e ri (gjë e cila u bë fakt këtë vit me stadiumin “Ruzhdi Bizhuta”të Elbasanit), ai nuk e futi futbollin nën “shalët” e politikës së kohës dhe nuk ka ushtruar presion të fortë për skuadrat e trukuara që ato të dilnin edhe jashtë gare. Njëherësh, gjatë këtyre 12 viteve Presidenti Duka është treguar më shumë se zemërgjerë në rastet kur skuadra të veçanta kanë vuajtur lëngatën e dritëhijeve të tyre financiare e administrative. Ja pse Duka meriton “poltronin” e presidentit në FSHF dhe duke e quajtur këtë një rezyme të punës 12 vjeçare të këtij personaliteti në krye të institucionit të futbollit tonë, nuk do ta kuptonim kontekstin si paragraf e nen avokatie për atë që në punën e tij nuk ka patur nevojë për avoketër! Parë në këtë këndvështrim, topkëmba jonë sot kalon në skaner dhe se Asambleja e FSHF-së do të ristartojë vlerat e futbollit tonë.