Krishtlindje të hidhura, Skënderbeu shkarkon stafin dhe pezullon trajnerin

491
Sigal

Furtunë shkarkimesh te kampionët në fuqi, për shkak të deklaratave në media. Ikën zëvendëspresidenti

Teksa në Korçë prisnin të festonin në mënyrë madhështore Krishtlindjet, për atë që skuadra dha në fazën e parë të kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë, Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, shkarkoi zëvendëspresidentin Ardian Kollçaku dhe drejtorin ekzekutiv,  Ilirjan Përmeti, dhe gjithë zyrtarët e tjerë të klubit bardhekuq, duke i lënë të befasuar të gjithë me “blic”-in e tij.

 ARSYET E NDËSHKIMIT  – Kampion në fuqi dhe kampion i dimrit. Me dhjetë pikë më shumë se Teuta e vendit të dytë. Vetëm një hap pranë kalimit në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë (tri ndeshje, tri fitore), ky synon trofeun e parë. Asnjë humbje në 18 ndeshje. Por, është e thënë të mos ketë qetësi në kampin e skuadrës më të financuar në Shqipëri dhe favorite absolute për të fituar kampionatin.  Gjithçka ka të bëjë me deklaratat e publikuara së fundi në media, në të cilat përfliten largimet e disa futbollistëve kryesorë të skuadrës, e për më tepër për transferimin e Nuredin Orelesit në Gjermani (Volfsburgu) për një shifër rekord prej rreth 600 mijë eurosh. Në prag të largimit janë dhe Sebino Plaku (drejt Polonisë) dhe Pero Pejiç (drejt Turqisë). Pikërisht, këto deklarata të dala nga kampi korçar, dhe për më tepër që janë përmendur shifra, nuk janë përtypur nga Takaj, i cili ka marrë vendimin drastik për të shkarkuar drejtuesit kryesorë të klubit. sipas presidentit Takaj janë të pavërteta dhe mund të prishin harmoninë në skuadër dhe të sjellin konfuzion tek fansat bardhekuq. “Asnjëri nga këta nuk mund të tallet me tifozët e mrekullueshëm të Skënderbeut , të gjithë u larguan nga ana ime”, konfirmoi kreu i klubit bardhekuq, Takaj, i cili më pas uroi tifozët korçarë me rastin e festës së Krishtlindjeve: “U uroj të gjithë tifozëve të Skënderbeut gëzuar festën e Krishtlindjeve dhe u premtoj që skuadra do të jetë më e fortë në fazën e dytë dhe nuk do ta diskutojmë fitimin e titullit kampion”.

 PEZULLOHET JOSA – Ndëshkimit të rreptë nuk i ka shpëtuar edhe trajneri Mirel Josa, i cili është pezulluar për një Mësohet gjithashtu se është pezulluar për një afat të papërcaktuar edhe trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa si dhe dy asistentët e tij. Nëse për dy drejtuesit e klubit vendimi i presidentit Takaj ka qenë ekstrem, për trajnerin Mirel Josa dhe ndihmësit e tij ka qenë disi më i zbutur. Tekniku kryeqytetas dhe asistentët e tij janë pezulluar pa afat. Kjo masë ndëshkimore të paktën është më e lehtë, pasi në ditët në vazhdim trajneri edhe mund të falet. Në fakt, pezullimi i Josës për momentin nuk sjell asnjë problem, pasi skuadra i ka mbyllur impenjimet zyrtare për këtë vit dhe do t’i rikthehet përgatitjeve për gjysmën e dytë të sezonit në ditët e para të janarit. Në ditët e ardhshme mund të mësohet më shumë për të ardhmen e teknikut kryeqytetas, nëse do të vazhdojë punën në Korçë apo vendimi i presidentit Takaj e ka prekur dhe nuk do të pranojë më të qëndrojë në krye të kampionëve. Mirel Josa trashëgoi një Skënderbe kampion, të përgatitur me mjeshtëri nga ish-trajneri çek, Stanislav Levi, por të dobët në Ligën e Kampioneve. Ballafaqimi i parë i Mirel Josës në stolin korçar (në fakt, e ka drejtuar edhe dy herë të tjera Skënderbeun), nisi me finalen e humbur të Superkupës, pikërisht ndaj Tiranës në “Qemal Stafa”, kur tiranasi sapo e kishte marrë skuadrën.  Por, melodia e kampionatit ishte një tjetër histori. Suksesi. Josa i mposhti të gjithë kundërshtarët e mëdhenj: Shpëtim Duron te Vllaznia, Gentian Begenë te Teuta, Artur Lekbellon te Tirana dhe Hulian Rubion te Flamurtari.

“KAMPION DIMRI” – Skënderbeu është një skuadër interpretuese e shkëlqyer e fazës së parë. Asnjë humbje në 13 ndeshje, 33 pikë nga 39 të mundshmet. Suksesi durrsak nisi qysh në javën e parë, me atë fitore 3-1 në “Loro Boriçi”, kundër Vllaznisë. Fitorja e fundit është ajo me Kukësin, 2-0 në “Skënderbeu”. Korçarët janë në rrugë të mbarë për të fituar titullin e tretë rresht dhe të katërtin në historinë e tyre. Shifrat e fazës së parë janë entuziaste: 10 fitore, 3 barazime dhe 0 humbje, 35 pikë. Skënderbeu i ka fituar të gjashtë takimet e zhvilluara në Korçë, ndërkohë që të pathyer në shtëpi kanë dalë edhe Kukësi me Laçin. Skënderbeu është dhe ekipi i vetëm që nuk ka humbur asnjë ndeshje në transfertë, duke fituar katër nga shtatë takimet. Sulmin më efikas në 13 javët e para e pati Skënderbeu, që shënoi 24 gola. Golat për korçarët u realizuan nga Pero Pejiç (10), Sebino Plaku (6), Nuredin Orelesi (2), Zheljko Tomiç (2), Renato Arapi (1), Amarido Dimo (1), Sabien Lilaj (1). Në çerkfinalet e Kupës së Shqipërisë, në ndeshjet e deritanishme fitoi 4-1 me Shkumbinin, 4-2 me Kukësin dhe 2-1 me Kastriotin, duke mbajtur vendin e parë në Grupin A.

 SNIFRAT BARDHEKUQE – Sulmuesi i Skënderbeut, kroati Pero Pejiç (mbushi 30 vjeç, më 28 nëntor), shënoi 10 gola në 13 ndeshjet (1163 minuta në total) e tij në fazën e parë, duke kryesuar edhe renditjen e golashënuesve të Kategorisë Superiore, për sezonin 2012-2013. Sulmuesi i “Ujqërve të dëborës” realizoi një tripletë (kundër Vllaznisë), dy dopjeta kundër Tiranës dhe Flamurtarit, dhe nga një gol ndaj Bylisit, Laçit dhe Teutës. (Sezonin e kaluar, Roland Dervishi i Shkumbinit realizoi pesë gola brenda një ndeshjeje të vetme, pikërisht në fitoren 6-2 të Shkumbinit ndaj Tomorit). Në podium është dhe sulmuesi tjetër i Skënderbeut, Sebino Plaku, me gjashtë gola. Orges Shehi është pa padyshim ajka e portierëve të Kategorisë Superiore, duke fituar edhe një “fletëthirrje” nga ish-trajneri i ekipit Kombëtar, kroati Josip Kuzhe dhe nga ai aktual, italiani Xhani De Biazi. Durrsaku 35-vjeçar ka mbrojtur gjatë karrierës së tij portat e Teutës, Vllaznisë, Partizanit, Besës dhe Skënderbeut. Dy sezonet e fundit e ndihmoi skuadrën e Skënderbeut të fitonte titujt kampion, ndërkohë që edhe këtë sezon mbetet një nga pikat më të forta: vetëm 5 gola të pësuar në 13 javë e bëjnë atë gardianin më të mirë të Superligës. Pak ditë më parë u votua si “Lojtari më i mirë i vitit 2012”, në kampionatin shqiptar.

 Erjon Vuçaj drejt Polonisë

 Lideri i kampionatit polake, Slask Vroklav, synon seriozisht në merkaton e janarit blerjen e mesfushorit të Laçit, Erjon Vucaj. Sipas faqes sportive polake, Sport.pl, shkodrani 23-vjeçar, i cili deri dy vite më parë ka qenë pjesë e U-21 të Shqipërisë, është një ndër më të pëlqyerit e trajnerit Cek Stanislav Levi, i cili kërkon të shfrytëzojë lidhjet që ka pasur me vendin tonë për të forcuar skuadrën e tij me elementë cilësorë. Prej javësh flitet transferimin e mundshëm te Slaks të Sebino Plakut, por edhe të nigerianit Nuredin Orelesi, që është pa dyshim një nga lojtarët më të mirë të huaj që ka luajtur në Superligë. Por në interesat e skuadrës polake shkojnë përtej afrimit të këtyre dy futbollistëve. Sipas portalit polak, Erjon Vucaj lojtari i duhur për mesfushën, pasi për cilësitë e tij ka hyrë garant Stanislav Levi, nën drejtimin e të cilit shkodrani ka luajtur vetëm dy takime të Ligës së Kampioneve me bluzën e Skënderbeut, por që kanë mjaftuar për t’u konfirmuar edhe në sytë e të huajve si një nga prodhimet më cilësore të futbollit shqiptar. Fakti që vetë Vucaj e ka pranuar në mediat shqiptare që mund të transferohet jashtë Shqipërisë i rrit mundësitë e nënshkrimit me Slask Vroclav, skuadër që mund të mbushë arkat e Laçit.

TIRANA

Lika dhe Dushku bojkotojnë stërvitjen

Skuadra e Tiranës po përjeton një seri problemesh ditët e fundit, kjo pasi rrogat e prapambetura nuk po shlyen ende, fakt që e ripranoi për të disatën herë edhe trajneri Alban Tafaj, njëherësh edhe drejtori sportiv i 24 herë kampioneve. Disa prej futbollistëve titullarë si Sina, Gilman Lika apo Erjon Dushku, nuk u paraqitën në “Skënder Halili”, pavarësisht se sipas programit, përgatitjet do të mbyllen në mesjavë. Mbrojtësi Arjan Pisha e ka shprehur në mënyrë demonstrative ankesën e tij, duke lënë të nënkuptohet se edhe mund të prishë kontratën për të vijuar në fazën e dytë me ndonjë ekip tjetër të Superiores. Problemet financiare të Tiranës mund të jenë arsyeja kryesore për largimin përfundimtar të Gilman Likës nga Tirana, ndonëse trajneri Tafaj është i bindur se nëse nuk do të largohet jashtë Shqipërisë, shkodrani do të vazhdojë të jetë pjesë e bardhebluve. Por tek Tirana nuk ka të pakënaqur vetëm nga ana financiare. Pas prishjes me mirëkuptim të kontratës me Zec e Hoxhën, Tafaj është i hapur të bisedojë me të tjerë lojtarë bardheblu, të cilët kanë pretendime për sa i përket aktivizimit. “Kam qenë i hapur me të gjithë dhe kam biseduar pak a shumë situatën. Ne duam të ruajmë një grup prej rreth 18 lojtarësh, por do të futemi në merkato për të bërë afrime cilësore, për të formuar një skuadër kompetitive”, tha trajneri për mediat sportive. Tafaj theksoi se Tirana, pavarësisht ngërçit financiar që po kalon, do të bëjë merkato cilësore, për të realizuar në fazën e dytë objektivin që ka në kampionat. “Merkato do ketë, lojtarë do afrojmë dhe Tirana do të jetë shumë herë më e fortë në fazën e dytë”, përfundoi trajneri i 24 herë kampionëve, Alban Tafaj.

 Vllaznia

Duro turbullon Shkodrën

 Prania e Shpëtim Duros në festën e fundvit të Partizanit është pritur me reagimet të ndryshme në Shkodër. Duro është trajneri i Vllaznisë, por mesa duket ndryshimet e mundshme që priten të ndodhin në administrimin e klubit kuqeblu mund t’i hapin rrugë largimit të tij. Në fakt, Duro e ka përsëritur se nuk dëshiron të largohet, ndërsa për të pasur një Vllazni në Ligën e Europës duhen të bëhen të paktën katër blerje. Bashkia e Shkodrës do ta jap në administrim klubin.

 Miqësore

Partizani-Kukësi 0-2

 Partizani humbi 2-0 në miqësoren me Kukësin, në testin e zhvilluar dje në kompleksin “Dinamo”. Golat u shënuan nga Suleiman Baio. Sulmuesi portugez është në provë të skuadra e drejtuar nga Armando Cungu. Fillimi i tij është bindës, dhe nëse ai do të marrë aprovimin e stafit teknik do të nënshkruajë kontratë me presidentin Safet Gjici. Kukësi pretendon një vend në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë dhe synimin kryesor ka Ligën e Europës.

 Januzi: “Dua të rifitoj bluzën e Kombëtares”

 Sulmuesi kosovar i Vorskla Poltavës, në kampionatin ukrainas, dëshiron të rifitojë fanellën e Kombëtares shqiptare. Sulmuesi 24-vjeçar, tre gola në këtë sezon (kundër Krivbasit, Dnipros dhe gjigantëve të Shahktar Donteskut), nuk është thirrur qysh prej grumbullimit për ndeshjet me Qipron dhe Zvicrën, kjo edhe për shkak të dëmtimeve, por lojtari i Vorsklas në kampionatin ukrainas është i bindur që do të vijë sërish koha e tij. Lojtari që vitin e kaluar ishte pranë kalimit te Hanoveri në Bundesligën gjermane, këtë herë mendon vetëm për klubin e tij ukrainas. “Unë kam kontratë dhe ndihem shumë mirë për momentin te Vorskla. Do të mundohem ta respektoj atë, gjithnjë nëse nuk vjen ndonjë ofertë e një ekipi që paguan dëmshpërblimin e klubit”, tha Januzi.