Trajneri i Kombëtares dje drejtoi ekipin e Bashkimit Europian në ndeshjen simbolike për 100-vjetorin
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, dje ishte një rol të pazakontë të karrierës së tij, pasi për herë të parë i duhej të drejtonte një ekip të përbërë jo prej futbollistësh të vërtetë, por prej pasionantë futbolli, përfshirë diplomatë të rangut të lartë ndërkombëtar, si ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Etore Sekui, por dhe aktorë të humorit, gazetarë. Italiani dje drejtoi ekipin e Bashkimit Europian në ndeshjen simbolike për 100-vjetorin, por pa mundur ta mundë Shqipërinë e drejtuar nga një tjetër ish-trajneri i Kombëtares, i mirënjohuri Astrit Hafizi.
– Zoti De Biazi, jeni një rol të pazakontë trajneri, atë të ekipit të Bashkimit Europian. Çdo të thotë kjo për ju?
– Gjithçka lindi pas një ftesë të ambasadorit të Bashkimit Europian, në Tiranë, ambasadorit dhe mikut tim, Etore Sekui, për kupën e Festës së Pavarësisë së Shqipërisë. Një iniciativë e bukur e ambasadorit Sekui për të festuar 100-vjetorin e vendit tuaj. Ju e dini se futbolli i bashkon të gjithë.
– Si u ndjetë me këtë skuadër mikse?
– Pata në skuadër lojtarë nga Shqipëria, por dhe nga shumë vende europiane. Kjo e bën shumë të bukur?
– Ju punoni prej një viti këtu në Shqipëri. Sa është shqiptarizuar De Biazi?
– Po, kam një vit që punoj në vendin tuaj dhe tani, Shqipëria është pjesë e jetës sime, dhe i zgjedhjeve të mia. Jetoj thuajse çdo ditë me Shqipërinë në mëndje.
– Jeni trajneri me statistikat më të mira përsa i përket Kombëtares…
– Ajo që më pëlqen është se kemi hedhur baza të mira për të ardhmen, për të bërë gjëra të mira. Kemi lojtarë të rinj shumë interesante dhe më të ardhme.
– Si do të përshkruanit vitin tuaj të parë?
– Si një vit të bukur. Nuk e kisha menduar kurrë kështu.
– Si mund ta quanim De Biazin në këtë 100-vjetor?
– Si një italian të shqiptarizuar.
_________________________________________________________________________
KUPA E 100-VJETORIT/ Shqipëria fiton me Bashkimin Europian
Shqipëria fiton 3-1 me penallti ndaj Bashkimit Europian, pas kohës së rregullt të mbyllur me shifrat e barabarta 6-6, duke fituar dhe Kupën e 100-vjetorit të Pavarësisë, në një ndeshje miqësore me karakter festiv të zhvilluar në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Një takim ku protagonistë ishin deputetë, diplomatë, aktorë dhe gazetarë, por dhe ish-lojtarë të ekipit Kombëtar, si Ervin Skela, Alban Bushi, Ervin Fakaj, Florian Myrtaj, Foto Strakosha, etj. Trajneri i ekipit të Bashkimit Europian ishte Xhani De Biazi, ndërsa kapiten ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui. Për ekipin shqiptar, trajner ishte Astrit Hafizi, ndërsa kapiten Erjon Bogdani. Ekipi i Bashkimit Europian i çoi shifrat në 3-0, pas dy golave të Florian Myrtajt (1-0 dhe 3-0) dhe Alban Bushit (2-0). Erjon Bogdani shkurtoi diferencën në 3-1, por sërish Bushi e çoi rezultatin në 4-1. Ervin Skela shënoi (4-2) për Shqipërinë, ndërsa Bogdani shënoi golin e 4-3. Daniel realizoi 5-3; Skela 5-4 dhe Bogdani barazoi rezultatin në 5-5. Moreno realizoi me penallti golin e 6-të për Shqipërinë, por Bushi barazoi shifrat 6-6 për europianët. Me rezultatin e ndeshjes të barabartë, ekipet shkuan në gjuajtjet e 11-metërshave: humoristi Julian Deda gaboi për europianët, ashtu si dhe Bega, ndërkohë që shënoi deputeti Eduard Shalsi. Për ekipin shqiptar realizuan Shkurti, Paja dhe Moreno, duke fiksuar shifrat në 3-1 dhe fituar Kupën e 100-vjetorit.
_________________________________________________________________________
Astrit Hafizi: Si e mposhta ambasadorin Sekui
Ish-trajneri i Kombëtares, Astrit Hafizi, drejtoi ekipin shqiptar në atë ndeshje kundër Bashkimit Europian, madje doli fitues. Për “Telegraf” ai tregoi emocionet e tij pas fitores.
– Zoti Hafizi, ju drejtuar skuadrën e Shqipërisë, që mundi 3-1 Bashkimin Europian, duke fituar dhe Kupën e 100-vjetorit të Pavarësisë. Cilat janë emocionet tuaja
– Ishte një ndeshje më të vërtetë emocionuese dhe shumë gëzueshme dhe me karakter festiv. Ishte një ndeshje e veçantë nga mënyra e organizimit. Është diçka e bukur kur bashkohen ish-futbollistë, njerëz të njohur të shoqërisë civile, por dhe politikanë dhe diplomatë. Kjo ishte një ndeshje në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë dhe unë jam i nderuar të marr pjesë në aktivitete të tilla. Dua të falënderoj dhe ambasadorin e Bashkimit Europian, që organizoi këtë aktivitet të bukur.
– Sa emocionuese ishte për ju të drejtonit një skuadër të tillë?
– Unë kam qenë pjesëtar i ekipit Kombëtar, dhe kam dhe unë një pjesë timen sa herë që flamuri Kombëtar është ngritur dhe është kënduar himni, sa herë janë zhvilluar ndeshje ndërkombëtare. Madje e kam ngritur edhe në momente shumë të vështira, si ato të vitit 1997, kur futbolli i mbante gjallë emocionet e gjithë popullit kur dukej se ky popull në atë kohë kishte rënë fare përtokë.
– Ju keni luajtur ndeshjen e parë në Granada të Spanjës, ndërkohë që ajo të luhej në Shqipëri, apo jo?
– Po, kemi luajtur në Spanjë kundër Ukrainës (29 mars 1997) dhe Gjermanisë, ndërkohë që kemi luajtur kundër Irlandës në Zvicër. Pata emocione të mëdha, pasi u ktheva në “Qemal Stafa” në rolin e një drejtuesi, dhe kisha në skaudër lojtarë të tillë si Fakaj, Strakosha, Bogdani, Skela, të cilët i kam pasur dhe në skuadrën kur drejtoja Kombëtaren.