Vjola dhe Valbona, dy “delfinet” durrsake që notuan me rekordet 

PROFIL/ Dy motrat kampione që garuan me Lokomotivën dhe Kombëtaren, tregojnë rrugëtimin e karrierës. Një vlerësim i veçantë edhe nga Mjeshtri i Madh Sadik Mema

Agron KAJA

Sigal

Vjola, e vetmja notare shqiptare me shkollë federale italiane të notit


Duke qënë ish-notare e elitës, si e mbani mënd një shkrim apo një kronikë sportive që është folur për ju?

Mua më kanë intervistuar shumë herë gjatë karrierës. Po kujtoj dy prej tyre, Baku Gjoni dhe Bujar Qesja. Kam folur disa herë në Radio Tirana dhe në Televizionin Shqiptar. Në fundin e çdo gare, mediat kanë folur e shkruar për mua dhe Valbonën.

Ju keni qënë vetëm notare, apo jeni marrë edhe me sporte të tjerë në ushtrim e trajning?

Përveç Notit, kam marrë pjesë edhe në Atletikë, madje edhe atje kam dalë kampione, kryesisht në garat e 400 m, 800 m dhe 1500 m, por edhe në stafeta dhe garat me pengesa. Noti kryesisht dhe atletika, janë dy sporte të dashur për mua.

E keni ndjerrë veten si pjesë e notareve që kanë ditur të notojnë dhe të garojnë si kampione? 

Natyrisht që po, sepse karriera ime në Shqipëri në 17 vite, ishte e tillë. E them me krenari se jam femra durrsake me jetëgjatësi të madhe në sportin e notit. Madje kujtoj se kam garuar edhe kur kam qënë shtazanë, ku edhe kam dalë kampione.

Kur ka nisur rrugëtimi juaj sportiv, në cilën moshë dhe si i kujtoni rrethanat?

Në vitin 1972 me Lokomotivën, dhe jam larguar në vitin 1990 po me Lokomotivën. Më kanë kërkuar edhe te Butrinti, se e kam bashkëshortin nga Saranda, por nuk shkova. Unë vazhdova në Durrës, ku edhe e mbylla karrierën.

Cilët kanë qënë trajnerët e parë për formimin tuaj si notare?

Sportin e kemi filluar 8 vjeçe në vitin 1971 ku kemi mësuar Notin me hallën tonë, Luçie Varvara Bekridheli, Mjeshtre e Merituar e Sportit. Garat e para i bëmë në Lushnje në vitin 1972. Pastaj kaluam me babain tonë Prof. Kristaq Bekridheli, Mjeshtër i Merituar i Sportit.

Po karriera juaj që të notonit me një ekip të elitës në Shqipëri, kur dhe si ka nisur?

Gjithmonë Lokomotiva e Durrësit. Unë isha në moshë të re, viti 1972 kur thyeva rekordet e të Rriturve. Në moshën 18 vjeçare kam hyrë zyrtarisht me ekipin e të Rriturave të Lokomotivës. Atëhere trajner ishte Niko Korani, e kujtoj me respekt.

Garën e parë në karrierë, apo rekordin e parë që keni thyer, si e kujtoni?

Në pishinën e Lushnjes me Pionieret në vitin 1973, në garat e stilit të Lirë. Më pas, në vitin 1974 me të rejat në vëndin e dytë në Stafetë, të parin në 100 m Shpinë. Të gjitha garat quheshin si të parat, sepse vlerësimi im i tillë ishte në çdo garë.

Cili ka qënë trajneri juaj i parë, a mbeti ai një shembull për rezultatet tuaja?

Së pari e kam nisur me Luçie Varavara (Bekridheli), që është edhe halla ime. Më pas me babain tim, Kristaqin, ku do thoja se ndikimi i tyre ishte i madh, sepse formuan një kampione të madhe. Për të dy ata unë jam krenare.

Cilat  ishin rivalet tuaja në gara, apo në thyerjen e rekordeve kombëtare?

Tatjana Sheshmini e Lokomotivës, e cila erdhi nga Saranda në Durrës, kjo në Stilin e Lirë. Ndërsa në Shpinë, rivale kisha Alida Leka e Lokomotivës, dhe më pas Vasilika Bejo e Flamurtarit. Por unë isha absolute në çdo garë, nuk kisha emocion.

Keni garuar në pishinë, në det të hapur, ku e keni patur më të lehtë?

Në pishinën e Durrësit isha më e lehtë, në Shkodër në Liq    en ishte ujë i ëmbël dhe notoja me vështirësi. Ndaj edhe rezultatet më të larta unë i kam arritur në pishina, ndërsa në Durrës kisha lehtësinë dhe kënaqësinë më të madhe të garimit.

Cila është periudha e kohëzgjatjes së karrierës tuaj si notare, dhe cilët ishin ekipet që përfaqësuat?

Nga viti 1973 e deri 1990 me Lokomotivën me trajner babain tim Kristaq Bekridheli, por edhe me Kombëtaren në disa takime miqësore ndërkombëtare. Ja u përmënda Butrintin, por që nuk e tradhëtova Lokomotivën deri sa u largova në vitin 1990.

Sa mbahet mënd në memorrien tuaj gara e fundit që keni bërë si notare e elitës?

Edhe kjo garë e mbylljes së karrierës ka qënë në Durrës në vitin 1989, ku unë garova n 50 m dhe 100 m Stil i Lirë, si dhe 50 m Shpinë. Bëra edhe stafetë dhe në të gjitha kam dalë kampione.

Pasi jeni larguar nga aktiviteti, e ndiqni ritmikën e garave të notit në Shqipëri?

Po, kam ardhur shpesh në Shqipëri dhe kam bërë disa maratona. Në Itali ku banoj në Liguria punoj si trajnere e Notit Filato, trajnere Paraolimpike, Trajnere Normo Dotatto (Absolute) e Notit, si dhe Trajnere e Komitetit Paraolimpik Italian.

Në kohën kur ju keni garuar, si ka qënë infrastruktura në sportin e notit? 

Në atë periudhë ka qënë një infrastrukturë normale për kohën e shtetin që kishim. Por në atë periudhë ne e mendonim si më të mirën, dhe unë e kam shfrytëzuar në maksimumin e talentit tim këtë infrastrukturë të asaj kohe.

Ju keni karrierë edhe si trajnere, kryesisht në Itali, si e ushtroni këtë ?

Po e përmënd edhe një herë aktualitetin tim në Itali. Aktualisht punoj si Trajnere e Notit Filato, trajnere Paraolimpike, Trajnere Normo Dotatto (Absolute) e Notit, Trajnere e Komitetit Paraolimpik Italian. Besoj një karrierë elitare në notin Italian.

E keni dëshirën, apo mundësinë që të trajnoni një ekip noti këtu në Shqipëri?

Jo në Shqipëri, sepse kam ardhur një herë vite më parë për të krijuar federatën e brigjeve të lumtur, në brigjet e detit e të liqenit. Kjo nuk u arrit, edhe pse projekti im ishte për det e liqen, të cilët Shqipëria i ka me shumicë dhe shumë të bukur.

Ka disa vite që funksionon SHKVN në Shqipëri, sa vlerë ka kjo për ju veteranët e Notit?

Shoqata e veteranëve të Notit, mendoj se ka një rol shumë të madh mirënjohës dhe argëtues për notarët veteran, por edhe për ti dhënë trashëgimëninë e notit brezave sot. Besoj se do jem në një të ardhme të afërt. E vlerësoj maksimalisht.

Në historinë e notareve, motrat “Bekridhel”ka edhe një të veçantë, sepse ato e kanë vazhduar sportin e notit edhe në shtetin Italian; madje në Itali edhe me një karrierë shumë më të pasur si trajnere. Vjola është e vetmja shqiptare me shkollë federale italiane, së bashku me motrën dhe vëllain e saj, Xhoxhin.

Viola Bekridheli

Datëlindja: 8 qershor 1962

Vendlindja: Durrës

Vendbanimi: Itali, në Xhenova

Arsimi: Shkollën e Mesme Teknologjike dhe Shkollën e Mesme të Përgjithshme, Universiteti i Sporteve

Profesioni: Trajnere Noti (Norm Dotatti)

Sporti që ka ushtruar: Not

Starti i karrierës në elitë: Në vitin 1973 me Lokomotivën

Skuadra e parë elitare në karrierë: Në vitin 1973 me Lokomotivën e Durrësit

Stili i preferuar në gara: Stil i Lirë kryesisht në 50 m, 100 m, 200 m, 400 m dhe  800. Në stilin Shpinë 50 m, 100 m, 200 m. Në Stilin Delfin në 50 m, 100 m. Në Katërnotim 4X50 m, 4×100 m. Specialitet ishin garat e thellësisë në 200 m, 400 m dhe 800 m, Stil i Lirë dhe Stil Shpinë

Skuadrat të tjera në karrierë: Në Atletikë me Lokomotivën

Gara e parë kombëtare në karrierë: Në vitin 1973 në Stilin e Lirë 50 m, 50 m Shpinë dhe 50 m Bretkocë

Rekordi i parë kombëtar: Në vitin 1975, në 50 m, 100 m, 200 m dhe 400 m dhe 800 m Stil i Lirë

Gara e fundit kombëtare në karrierë: Në vitin 1989 në Durrës, gara 50 dhe 100 m Stil i Lirë, si dhe 50 m Shpinë

Rekordi i fundit kombëtar: Në vitin 1990, në 50 m Stil i Lirë

Fituese në gara: Në të gjitha garat

Tituj e trofe si notare: Mjeshtre e Sportit

Karriera si trajnere: Në vitin 1979 me Para të rejat e Lokomotivës, në vitin 1995 trajnere në Itali

Tituj e trofe si trajnere: Trajnere e Notit Filato, trajnere Paraolimpike, Trajnere Normo Dotatto (Absolute) e Notit, Trajnere e Komitetit Paraolimpik Italian

Vlerësime dhe tituj sportivë: Dottorato in scienze motorie e fisioterapia presso U.S.Genova Mare Blu A.S.D.

Aktualisht: Trajnere profesioniste në të gjitha disiplinat e Notit, Fizioterapiste në ujë

VLERËSIMI I SADIK MEMËS, MJESHTËR I MADH

Valbona dhe Vjola, pasardhëset e denja të familjes së madhe sportive

Teksa shkruaj vlerësimet e Mjeshtrit të Madh Sadik Mema, dy motrat Valbona dhe Vjola Bekridheli vijnë në madhështinë e karrierës së tyre në notin shqiptar. Në këtë vlerësim, Pupi nuk harron edhe babain e tyre Kristaqin, si një nga ikonat e sportit shqiptar, dhe të notit në veçanti. “Të dyja motrat Bekridheli kanë qënë notare shumë të mira dhe kampione në disa gara. E veçantë ishte se si motra binjake, evidentoheshin edhe më shumë në gara e jashtë tyre. Kanë qënë njëherësh edhe vjaza shumë të mira dhe përfaqësuese të një familje shumë sportive në Durrës. Kujtoj babain e tyre, Profesor Kristaqin, si personalitet i shumësporteve në Durrës dhe i notit në veçanti. E vlerësoj si “ikona” e sportit të Notit, por edhe në të gjitha sportet. Por njëherësh kujtoj edhe hallën e tyre Luçie Bekridheli, e cila ishte ndër të parat femra kampione noti në Shqipëri. Madje kontributi i tyre ka qënë deri vonë edhe si gjyqtarë në aktivetet e ndryshme të notit, ndërsa Valbona dhe Vjola janë pasardhëset e denja të kësaj familje të madhe sportive. Ato e kanë vazhduar punën me notin edhe si trajnere në Itali”.

 

Brenga e Valbonës: Për shkollën sportive u largova nga noti

 

Duke qënë ish-notare e elitës, si e mbani mënd një shkrim apo një kronikë sportive që është folur për ju?

Për mua është shkruajtur gjithmonë si notare e talentuar dhe me displinë sportive, e edukur nga babai im, Kristaqi. Më 5 gusht 1975, Sporti Popullor shkruante: Elida Xhindi dhe dy motrave Bekridheli, atyre u përkasin më shumë rekorde.

Ju keni qënë vetëm notare, apo jeni marrë edhe me sporte të tjerë në ushtrim e trajning?

Në fëmini me gjimnastikë dhe atletikë, por në moshën 13 vjeçare, unë dhe motra ime Viola zgjodhëm notin, edhe me përkrahjen e babait tonë Kristaqit që punonte në shkollën e notit “16 shtatori” në Durrës, e cila përgatiste fidanishten e notit.

E keni ndjerrë veten si pjesë e notareve që kanë ditur të notojnë dhe të garojnë si kampione? 

Po, jam e kënaqur dhe krenare në këtë karrierë të shkurtër në kohë, port ë pasur në rezultatet e larta, sepse babai ynë  na mësoi një teknikë të shkëlqyer. Kjo na ka bërë edhe më të ndjeshme në ambientet sportive publike.

Kur ka nisur rrugëtimi juaj sportiv, në cilën moshë dhe si i kujtoni rrethanat?

Karriera ime në sportin e notit ka nisur dhe është mbyllur te skuadra e Lokomotivës së Durrësit, në hapësirën kohore 1973-1979. E nisa me trajner babanë tim, duke u larguar nga gjimnastika dhe atletika.

Po karriera juaj që të notonit me një ekip të elitës në Shqipëri, kur dhe si ka nisur?

Gjithmonë me Lokomotivën, unë garoja në katërnotim, por edhe në stile të tjera. Me Kombëtaren vetëm në vitin 1976 kam marrë pjesë në një turne ndërkombëtar me kinezët, ku babai im Kristaq Bekridheli ishte trajner i Kombëtares së vajzave.

Garën e parë në karrierë, apo rekordin e parë që keni thyer, si e kujtoni?

Po e kujtoj në Lushnje në 50 m Bretkocë ku zura vëndin e parë. Ishte garë me emocion, por me entuziazëm se kisha edhe hallën trajnere, Varvara Bekridheli.

Cili ka qënë trajneri juaj i parë, a mbeti ai një shembull për rezultatet tuaja?

Trajneri im i parë ishte babai im, Kristaqi, në vitin 1974 kur edhe krijoi shkollën e notit në Durrës. Me babain ishim të gjitha kampione, dhe u larguam sepse nuk na dhanë një bursë shkolle në Durrës. Ai mbeti shëmbulli i trajningut në notin durrsak.

Keni garuar në Katërnotim, cilët ishin rivalet në gara apo edhe në thyerjen e rekordeve kombëtare?

Aty jam ndjerrë më mirë dhe më e sigurtë, ku gjithmonë kam dalë kampione në këtë garë, duke përjashtuar një rast në vitin 1974 në Durrës që zura vëndin e dytë, pas mjeshtres së madhe Vasilika Bejo.

Keni garuar në pishinë, në det të hapur, ku e keni patur më të lehtë?

Më lehtë ishte notimi në pishinë, sepse në det nuk kam qënë shumë guximtare. Kam garuar edhe në distancën nga Porti i Durrësit tek Stacioni i Plazhit “Hekurudha”, dhe nuk garova më në det vetëm për këtë arsye.

Cila është periudha e kohëzgjatjes së karrierës tuaj si notare, dhe cilët ishin ekipet që përfaqësuat?

Në vitin 1979 u largova, pasi kërkova për të ndjekur shkollën sportive në Durrës, dhe nuk ma dhanë. Edhe pse e kërkova rreth një vit, por nuk përsëri nuk ma dhanë. Bëra gjimnazin natën, dhe aty më larguan se nuk isha e punësuar!

Si mbahet mënd në memorrien tuaj gara e fundit që keni bërë si notare e elitës?

Ishtë gara 200 m Katërnotim, viti 1984. Gara e gëzueshme për mua, sepse e ula kohën poshtë 3 minutëshit. Luftoja shumë dhe ja arrita kësaj kohe, ndaj e mbaj mënd dhe e kujtoj. Edhe në 200 m Delfin u rendita në vëndin e parë, si edhe 400 m katërnotim me kohën 6’42”3. E mbylla me kohë rekorde.

Pasi jeni larguar nga aktiviteti, e ndiqni ritmikën e garave të notit në Shqipëri?

Në vitin 1980 mendova që mos ta vazhdoja më notitn, për arsyet e mësipërme, të cilat nuk më motivonin. Ishte një periudhë e rëndë që një kampione nuk mund të shkollohej. Ndërsa tani, e ndjek ritmikën e veprimtarive të notit në Shqipëri.

Në kohën kur ju keni garuar, si ka qënë infrastruktura në sportin e notit? 

Në atë periudhë infrastruktura e notit ishte shumë e dobët, stërviteshim në det nën  erën e naftës së anijeve. Më vonë shkuam te Zadrat në Currila, deri sa u bë pishina në vitin 1973. Një infrastrukturë e mirë për kohën.

Ju keni karrierë edhe si trajnere, kryesisht në Itali, si e ushtroni këtë ?

Aktualisht jam trajnere private, pas një karriere te “Mare Blu Xhenova 1993”. Jetonim me pagesat që jepnin notarët të cilët i përgatisnim. Kur erdhi Covid 19 e ndëpremë këtë aktivitet dhe tani punojmë privatisht, por edhe si gjyqtare në gara.

E keni dëshirën, apo mundësinë që të trajnoni një ekip notit këtu në Shqipëri?

Nuk kthehem dot në Shqipëri për arsye familjare. Vjola ka tentuar në një rast, por i dështoi. Tashmë mendoj se vetëm këtu në Itali mbahen gjallë ëndrrat e mia për notin.

Ka disa vite që funksionon SHKVN në Shqipëri, sa vlerë ka kjo për ju veteranët e Notit?

Ka shumë vlerë kjo shoqatë. Nuk kam patur mundësinë të jem e pranishme, sepse kushtet më kanë imponuar që të jem e tërhequr. Jam rritur me ujin, dhe kështu besoj se do jetë gjithë jetën.

Rekordi kombëtar i Valbonës në garën 200 m Katërnotim, u thye pas 15 viteve.

Ndërsa në “Noto Pinato”, Valbona ka qënë kampione në Itali për disa vite. Në vitin 1975, Valbona dhe Viola janë shpallur “Notaret me moshën më të re, me cilësi e nivel të lartë garimi që historia e Notit shqiptar ka njohur”

Valbona Bekridheli

Datëlindja: 8 qershor 1962

Vendlindja: Durrës

Vendbanimi: Itali, në Xhenova

Arsimi: Të mesmen e Përgjithshme

Profesioni: Trajnere private dhe gjyqtare e Notit në Itali

Sporti që ka ushtruar: Not

Skuadra e parë elitare në karrierë: Në vitin 1973 me Lokomotivën

Stili i preferuar në gara: Stil Bretkocë, Katërnotim dhe Delfin

Gara e parë kombëtare në karrierë: Në vitin 1972 me Pionierët në pishinën e Lushnjes

Garat e preferuara: Specialiste e garave Katërnotim 4×50 m, 4×100 m. Në Stilin Delfin në garat 50 m, 100m dhe 200 m. Garonte edhe në Stilin Bretkocë  në50m, 100 m dhe 200 m

Rekordi i parë kombëtar: Në vitin 1975 me Lokomotivën në 200 m Katërnotim

Gara e fundit kombëtare në karrierë: Në vitin 1979 në Durrës

Rekordi i fundit kombëtar: Në vitin 1976 barazuar me rekordet e Elida Xhindit dhe Ludmilla Meçes

Fitues në gara: Në garat 200 m Katërnotim dhe në Bretkocë

Karriera si trajnere: Në Durrës trajnere me Paratërinjtë e Lokomotivës

Tituj e trofe si trajnere: Në Itali, në vëndet e kreut me skuadrën “Mare Blu” Xhenova 1993

Vlerësime dhe tituj sportivë: Në vitin 1979 Mjeshtre e Sportit

Aktualisht: Trajnere profesioniste private në Itali