Viron BEZHANI:Sporti, arma për të luftuar duhanin dhe alkoolin te rinia shqiptare

2692
Sigal

Politikanët shqiptare nuk duhet të heshtin, por të përkrahin dhe të orientojnë rininë drejt rrugës më të mirë

Duhani dhe alkooli, dy fenomene që gjithnjë e më shumë sot konsiderohen si negative për jetën dhe që ndikojnë drejtpërsëdrejti në jetën e shëndetin e njerëzve vijojnë të jenë të pranishme edhe në vendin tonë, madje çdo ditë e më shumë. Fenomen që ka prekur pothuajse të gjitha grup-moshat e veçanërisht kohët e fundit po prek rininë, e cila kalon një kohë të gjatë në mjedise të ndryshme, kryesisht në lokale, duke konsumuar duhan dhe alkool. Mosha kur fillon pirja e duhanit ka një ndikim të madh mbi shëndetin, sepse individët që e fillojnë atë herët kanë mesatarisht një periudhë më të gjatë ekspozimi ndaj produkteve të rrezikshme të shpërbërjes. Por jo vetëm kaq, pasi edhe personat që shoqërohen rrezikojnë të thithin erërat e alkoolit dhe duhanit. Megjithëse sot ekzistojnë ligje që ndalojnë pirjen e duhanit në lokale ato thuajse nuk zbatohen dhe kështu, rinia shqiptare, që gjithnjë e më shumë ndihet e ekspozuar karshi të resë, bie shpejt viktimë e veseve të reja. Të rinjtë sot e fillojnë alkoolin me përdorimin e pijeve të “lehta” alkoolike, siç është birra, por shumë shpejt kjo varësi i hap rrugë pijeve alkoolike edhe më të forta. Stresi, problemet e ndryshme brenda familjes por edhe gjendja psikologjike e të riut, ndikojnë në krijimin e një varësie ndaj alkoolit, duke mos e kuptuar rrezikun që i kanoset nga ai. Edhe në këtë rast, ndonëse ligji ndalon përdorimin e tregtimin e pijeve alkoolike nën 18 vjeç, sërish ky ligj nuk zbatohet, përkundrazi. Kontrollet mungojnë ose janë periodike, thjesht për propagandë, ndërkohë që politikanët nuk përpiqen për t’i treguar rinisë rrugën e duhur. Rrugën e sportit, një rrugë që të largon nga veset dhe rritin një rini të shëndetshme. Ministria përkatëse duhet të bëjë më shumë për ta larguar rininë nga këto vese dhe humbje kohe e kotë, duke nxitur hapjen e mjediseve sportive, ku rinia të ndihet e përkrahur dhe e fortë, siç i takon. Për fat të keq statistikat janë kokëforta dhe flasin qartë. Shumica e njerëzve fillojnë me përdorimin e duhanit dhe alkoolit në vitet e adoleshencës dhe bëhen përdorues të rregullt, ashtu si të rriturit. Pse të rinjtë fillojnë të pinë duhan dhe alkool kur sot ekzistojnë kaq shumë informata për efektin e dëmshëm të këtyre veseve? Përse rinia shqiptare sot harxhon shuma të mëdha parash nëpër lokale, kur ato para mund të shpenzohen në mënyrë shumë më të mirë? Miliona lekë harxhohen çdo ditë nga të rinjtë për alkool dhe duhan, duke dëmtuar shëndetin, ndërkohë që ato para mund të shpenzoheshin më mirë, për të pasur një shëndet më të mirë. Palestrat e fitnesit janë një mundësi shumë herë më e mirë për të kaluar jo vetëm kohën por edhe për të qenë më të fortë fizikisht e mendërisht. Marrja me sport e të rinjve është një tjetër mënyrë për të qenë gjithnjë e më shumë larg duhanit e alkoolit, këtyre veseve që shkatërrojnë këdo që i përdor, për të qenë një individit më produktiv. Sporti ka qenë gjithnjë dritarja kryesore për të qenë larg veseve të këqija si duhani e alkooli, një rrugë të drejtë dhe pa pengesa, ku njeriu ndihet i lirë. Ligjet nuk mungojnë për të krijuar një rrjet social tek të rinjtë, që të qëndrojnë sa më larg lokaleve, alkoolit dhe duhanit, por ato nuk zbatohen. Rinia qëndron shpesh pasive, duke kaluar orë të tëra nën efektin e këtyre veseve, ndërkohë që mund të shfrytëzonte më së miri kohën e saj. Vërtet mjediset e gjelbërta nuk janë të shumta, por palestrat sportive dhe marrja me një aktivitet sportiv sot nuk mungojnë dhe janë një mundësi reale për t’iu larguar veseve. Orientimi i rinisë shqiptare drejt sportit është një betejë që të gjithë politikanë duhet ta bëjnë pa reshtur asnjë moment dhe jo sa për të kaluar radhën, për të krijuar një brez të ardhshëm jo vetëm të edukuar por edhe të shëndetshëm, pasi pa sport nuk ka shëndet. Me një rini të fortë dhe të shëndetshme kemi një të ardhme më të mirë, me njerëz më të aftë në të ardhmen. Përdorimi i pijeve alkoolike po bëhet sot edhe shkak i aksidenteve të shumta rrugore, me pasoja të rënda për jetën e të rinjve, që nga euforia gabojnë më kollaj. Jo vetëm kaq, por përdorimi i tepruar i alkoolit sjell shpesh dhunë brenda familjes, mbi fëmijën apo bashkëshorten, të cilat më pas krijojnë probleme edhe më të rënda familjare. Sot, 22% e personave shprehen se janë të varur nga alkooli dhe një pjesë e tyre janë edhe të rinj, që kalojnë kohën lokaleve në pritje të një të ardhme më të mirë. Alkooli vlerësohet sot si faktori i tretë më i lartë i rrezikut të vdekjes dhe paaftësisë. Konsumi i alkoolit e rëndon edhe më shumë problematikën e familjeve, problemet e tjera sociale dhe të punësimit. Probleme si varësia nga alkooli, aksidentet, sjelljet kriminale, dhuna, vrasjet dhe vetëvrasjet. Mosha mesatare në të cilën femrat dhe meshkujt fillojnë të pinë duhan në Shqipëri është përkatësisht 21 dhe 19 vjeç. Por fakti keq është se mosha në të cilën femrat dhe meshkujt fillojnë duhanpirjen po ulet me kalimin e viteve, në 20 vjeç për femra dhe 18 për meshkujt. Por të gjithë harrojnë se konsumi i duhanit është një faktor i njohur rreziku për sëmundjet kardiovaskulare, shkakton kancer të mushkërive dhe forma të tjera kanceri si dhe ndikon në shfaqjen e pneumonisë, emfizemës dhe bronkitit kronik. Por problemet e përdorimit të duhanit janë edhe më të mëdha, pasi 31% e femrave raportojnë komplikacionet në shtatzëni si një problem madhor shëndetësor të shkaktuar nga duhani krahasuar me 17%  të meshkujve. Në kontrast me këtë, 29% e meshkujve raportojnë impotencën si problem madhor nga duhanpirja, krahasuar me 11% te femrat. Pra, sëmundje dhe një jetë në varësi të veseve, ndërkohë që paratë e shpenzuara në këtë mënyrë nuk kanë vlerë. Ato para mund të “përkthehen” në një jetë më të shëndetshme nëse ato përdoren në sport. Jo vetëm kaq, por kjo mënyrë është më e mira për të treguar se rinia shqiptare po sheh nga e ardhmja me besim dhe në shërbim të brezave që vijnë, pasi ajo do të jetë gjithnjë rinia e vrullshme që kërkon të fitojë çdo sfidë. Politikanët shqiptare nuk duhet të heshtin, por të përkrahin dhe të orientojnë rininë drejt rrugës më të mirë, për të qenë krenarë për brezin të cilit do t’i lënë stafetën në të ardhmen.