Vangjel Laluci: Kjo kategori ka nivel të ulët, përjashtuar tre skuadra

66
Sigal

KATEGORIA E PARË/ Specialisti i futbollit, Vangjel Laluci, sjell vlerësimin profesional të garës.

 

Agron KAJA

Java e 29-të ka nisur me një rezultat surprizë, ku Pogradeci ka fituar në Vlorë 1-2 ndaj Flamurtarit vëndas. Kjo i ka kushtuar edhe vëndin e punës trajnerit italian Andrea Agostineli, i cili është shkarkuar menjëherë pas humbjes. Madje edhe pjesa tjetër e stafit të tij është larguar pas kësaj humbjeje, ndërsa menjëherë drejtuesit kanë vendosur në vëndin e tij Artim Pollozhanin. Por për gazetën “Telegraf”, si e mendon këtë situatë Vangjel Laluci, ish-futbollist dhe drejtues në futbollin vlonjat.  “Dy ditë pas largimit të trajnerit Agostineli, sikur ka një situatë çakordimi. Sepse kur largohet një trajner, ka një lloj hutimi, e cila më shumë erdhi nga humbja me Pogradecin. Por duhet thënë se trajneri Agostineli ishte njeri i butë, sillej me kulturë. Është pjesë e tregut shqiptar të trajningut dhe nuk do t’i shpëtonte një situate të tillë, ndoshta më pas. Por edhe ky Pollozhani është njeri shumë i qetë dhe besoj se do sjellë diçka të re në ekip. Flamurtari hyn në Superiore, por duke parë lojën e formatimin e skuadrës, Agostineli asnjëherë nuk ma ka mbushur mëndjen në sensin pozitiv”, kështu e nisi dje bisedën ish-drejtori i Flamurtarit, i cili edhe me këtë largim, Flamurtarin e sheh në Superiore, por nga vëndi i dytë në renditjen përfundimtare. “Edhe pas largimit të Agostinelit, Flamurtari në vëndin e dytë e mbyll, dhe kësisoj, ky rrugëtim nuk quhet i plotësuar. Sepse një fitore me Pogradecin, mbeteshim në distancë të vogël me Vorën dhe lufta me të do vazhdonte deri në fundin e kampionatit. Duhet thënë edhe një tjetër fakt, se Agostineli kishte diçka të mirë në ndeshjet deçizive, pasi mbante ekuilibër dhe nuk nisej nga emocioni. Ishte pragmatist, nuk kërkonte lojën sulmuese apo manovrën nga mesfusha në sulm. Prandaj edhe rrugëtimi i Flamurtarit nuk është i plotësuar në objektivin e tij final për të qënë ai kampioni i kësaj kategorie në këtë sezon, që është drejt përfundimit”. Ndërsa për nivelin e Kategorisë së Parë, drejtori Laluci shprehet se ka nivel të ulët, duke përjashtuar tre skuadrat kryesuese, ndoshta edhe Pogradecin. “Kategoria e Parë ka nivel të ulët, përjashto tre skuadra: Vora, Flamurtari e Besa, ndoshta edhe Pogradeci që ka patur ndryshim me trajnerin Ardi Mema. Në Vlorë e tregoi këtë vlerësim. Por do ta mbyllja bisedën me ju me parashikimin tim, se Flamurtari do t’i fitojë të gjitha ndeshjet e mbetura deri në përfundimin e kampionatit. Madje që këtë javë ku luan në transfertë me Burrelin”, kështu e mbylli bisedën ish-drejtori i Flamurtarit, Vangjel Laluci.

RËNIA E BANKINAVE

Trajnerët largohen në çdo javë, Vora dhe Burreli më besnikë

Java e 29-të e Kategorisë së Parë nuk i shpëtoi fenomentit të bankinave. Edhe këtë javë kiishim një trajner të shkarkuar, ku Flamurtari nuk duroi shumë pas humbjes në fushën e tij me Pogradecin, dhe shkakun e disfatës e gjeti te largimi i teknikut italian Andrea Agostineli. Ai e drejtoi Flamurtarin në 31 ndeshje, duke arritur 22 fitore, 5 barazime dhe 4 humbje, por kjo statistikë nuk u shkoi për shtat synimeve të drejtuesve vlonjatë. Kështu, italiani është trajneri i 13-të që shkarkohet brënda këtij sezoni, ku më parë kanë larguar trajnerët e tyre dhjetë skuadra. Apolonia, Erzeni, Valbona, Kukësi, Besa, Korabi, Kastrioti, Pogradeci, Lushnja dhe Flamurtari i trazuan bankinat e tyre, ndërsa Vora dhe Burreli po ju qëndrojnë besnikë trajnerëve, Arjan Bellai te vorakët dhe Ditmar Bicaj te matjanët. Kësisoj, shkarkimet e trajnerëve në sezonin 2024-2025 mbeten një ndër të veçantat e tij, përpos edhe dukurive të trjera që e kanë shoqëruar në këtë sezon. Zyrtarisht, kampionati në Kategorinë e Parë ka edhe 4 javë deri në mbylljen zyrtare të tij, e më pas vendosin verdiktet e tij. Ai startoi më 24 gusht 2024 dhe do të mbyllet më 19 prill 2025.

Kanë larguar trajnerët

Flamurtari, Erzeni, Kukësi, Apolonia, Korabi, Kastrioti, Valbona, Besa, Pogradeci dhe Lushnja i kanë ndryshuar trajnerët këtë sezon.

Trajnerë të palarguar

Vora dhe Burreli janë të vetmet skuadra të Kategorisë së Parë që nuk i kanë ndryshuar trajnerët e tyre brënda këtij sezoni.

 

Përcaktohen verdiktet në krye dhe fundin e renditjes

Pas ndeshjeve të javës së 29-të, disa verdikte të skuadrave në renditje thuajse u përcaktuan përfundimisht. Vora dhe Flamurtari janë të ngjitur në Superiore, me fitoren që Korabi arriti ndaj Erzenit ka dalë nga zona e Play-out, ndërsa në këtë zonë u bë pjesë Kastrioti pas humbjes me Valbonën. Erzeni dhe Valbona janë të rënë zyrtarisht në Kategorinë e Dytë, ndërsa Besa, Burreli e Pogradeci e kanë siguruar zonën Play-off.

KATEGORIA E PARË

Ndeshjet-Java 30

E dielë, 30 mars 2025

Apolonia-Korabi         14:00

Burreli-Flamurtari       14:00

Lushnja-Valbona         14:00

Besa-Erzeni                 14:00

Kastrioti-Kukësi          14:00

Pogradeci-Vora           14:00

RENDITJA        

Skuadrat                    Nd       Pikë    

1.Vora                         29        73

2.Flamurtari                 29        68

3.Besa                         29        62

4.Burreli                      29        51

5.Pogradeci                 29        40

6.Apolonia                  29        37

7.Lushnja                    29        37

8.Kastrioti                   29        31

9.Korabi                      29        29

10.Kukësi                    29        28

11.Valbona                  29        16

12.Erzeni                     29        11