Trajneri Shpendi Kumbarçe: “Korabi”, skuadër e ndërtuar për në Superiore, ja ndeshjet e radhës në Kategorinë e Parë

20
Sigal

KATEGORIA E PARË/ Flet për “Telegraf” trajneri i skuadrës dibrane, Shpendi Kumbarçe, i kënaqur me renditjen

 “Korabi”, skuadër e ndërtuar për t’u ngjitur në Superiore

 Agron Kaja

 Skuadra e Korabit i mbylli dy fazat e para të kampionatit të Kategorisë së Parë 2023-2024 me një renditje në vendet e kreut në tabelë. Këtë paraqitje, kjo skuadër e ka patur në vazhdimësi në tre-katër sezonet e fundit, madje është ndeshur në dy raste edhe me skuadra të Superiores për t’u ngjitur në këtë kategori. Edhe në këtë sezon, dibranët renditen në grupin e katër skuadrave që do ndeshen mes tyre në Play-off, për të përcaktuar skuadrën që më pas ndeshet me skuadrën e vendit të 8-të të Superiores, për t’u ngjitur në atë kategori. Për formën që po kalon skuadra, dhe për problematikat që ajo ka ndeshur në këtë rrugëtim 23 javor, trajneri Shpendi Kumbarçe tregoi për gazetën “Telegraf” se është një skuadër e riorganizuar mirë, ku ka alternime të brezave të lojtarëve. “ Duke ju referuar mënyrës se si e nisëm fazën përgatitore dhe probleatikave që na dolën, fillimisht kishim një ngërç që po na mbante në fundin e renditjes. Por më pas u organizuam, edhe pse bëmë një nisje të vështirë, kryesisht në fazën e parë. Kështu që gjërat erdhën në rritje, në përmirësim, edhe pse gjatë këtyre 23 javëve kemi patur edhe luhatje, por këto janë pjesë e organikës që aktualisht kemi në skuadrën tonë. Sepse skuadra nuk e ka eksperiencën e duhur, ndaj edhe luhatjet i kemi quajtur të pranueshme, pa ndikim në rezultatet që kemi arritur”, -kështu e nisi bisedën tekniku dibran Kumbarçe, i cili më pas thekson se mbështetja që kanë pasur nga Presidenti i skuadrës dhe nga Bashkia e Peshkopisë, e ka bërë më të fortë skuadrën. “Në këtë sezon, si edhe në gjithë të kaluarit, Korabi ka patur mbështetjen e fuqishme të presidencës, por edhe të Bashkisë, të cilët unë gjej rastin që t’i falenderoj.

Kjo mbështetje i ka dhënë më shumë moral skuadrës, duke u përfaqësuar denjësisht në kampionat. Nuk e teproj të them se nga të dy këta, ne jemi mbështetur me grumbullime, akomodime e ambiente stërvitore, sikundër një skuadër e Abissnet Superiore”. Ndërkohë, tekniku Kumbarçe thekson se Korabin nuk e tremb asnjë skuadër rivale, ku ai thekson se të gjitha ekipet, që renditen poshtë tyre në tabelë, mund të jenë rivalë deri në fundin e kampionatit. “Futbolli ka ulje e ngritje dhe të papritura, ndaj dhe ne i shohim rivalë të gjitha ekipet, sepse janë edhe 24 pikë deri në mbylljen e kampionatit. Korabi ka disa vite që është në këtë zonë, një nga skuadrat për t’u ngjitur në Superiore dhe këtë vit jemi në rrugën e duhur. Me kontigjentin ku kemi ndërthurur eksperiencën me elementin e ri, ne kemi një ekip të denjë për t’u ngjitur në Superiore. Kemi lojtarë si Mziu, Vila, Marku e Kasalla me shumë përvojë, por edhe një grup të rinjsh ku spikatin Shehu, Buci e disa të tjerë që premtojnë shumë”.

 

Futbolli ka ulje e ngritje dhe të papritura, ndaj dhe ne i shohim rivalë të gjithë ekipet. Korabi ka disa vite që është një nga skuadrat e ndërtuar për t’u ngjitur në Superiore, dhe këtë vit jemi në rrugën e duhur.

 

 23 JAVË

 Kategoria e Parë ka luajtur 23 javë të kampionatit, ku Bylisi dhe AF Elbasani kryesojnë renditjen dhe janë pranë ngjitjes direkte në Superiore. Ndërsa Tomori dhe Luzi 2008 renditen në dy vendet e fundit që të zbresin direkt në Kategorinë e Dytë. Katër skuadrat në vendet 3, 4, 5, dhe 6 luajnë Play-off me skuadrën e vendit të 8-të të Abissnet Superiore.

KATEGORIA E PARË

NDESHJET, JAVA 24

E shtunë, 9 mars 2024

Lushnja-Apolonia                 14:00

Kastrioti-Flamurtari    14:00

Burreli-Vora                 14:00

Besa-AF Elbasani                  14:00

Luzi 2008-Bylis           14:00

Korabi-Tomori            14:00

RENDITJA

Skuadrat            Nd    Pikë

1.Bylis                 23     55

2.AF Elbasani     23     53

3.Vora                 23     45

4.Flamurtari                 23     42

5.Apolonia                   23     34

6.Korabi              23     32

7.Lushnja            23     26

8.Burreli              23     25

9.Kastrioti           23     23

10.Besa               23     19

11.Luzi 2008      23     15

12.Tomori           23     14