Tragjedia e notit, ndahet nga jeta Klavio Meça

877
Sigal

Shuhet kampioni i Notit  Shqiptar gjatë një aksidenti. Agim Çiraku, Presidenti i Federatës së Notit: Klavio Meça, simboli i njeriut të mirë!

 

Rekordmeni kombëtar i 400 metrave, por dhe i shumë garave në stilin e lirë, ka humbur jetën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas një arresti kardiak

GJERGJ VYSHKA

Noti shqiptar është goditur nga një tragjedi e madhe, ndërsa në moshën 24-vjeçare ka humbur jetën Klavio Meçe. Një arrest kardiak, të paktën kjo është e dhëna e parë që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në të njëjtën kohë është duke u zhvilluar dhe ekspertiza për të gjetur shkaqet e vërteta të humbjes së jetës. Ka shuar një engjëll që bënte gjithçka për notin shqiptar. Rekordmen dhe kampion i padiskutueshëm, ndonëse ndryshe nga fëmijët e tjerë e ka nisur notin shumë më vonë në moshë.

CILI ËSHTË KLAVIO MEÇA?

I lindur më 9 prill 1996, me një pasion të veçantë për notin, në moshën 14- vjeçare do të hidhte hapat e para në sportet e ujit. Shpëtim Hoxha, trajneri i ‘Tirana Delfina Sport’, është ai që i ka mësuar hedhjet e para të krahut në pishinë, apo dhe startet. Me dy herë në ditë në stërvitje, Klavio Meça jo vetëm që do të kapte bashkëmoshatarët, të cilët e kishin nisur më herët notin, por do të mbizotëronte në pishinë. Së bashku me Sidni Hoxhën janë notarët që kanë pikët FINA (Federata Botërore e Notit) më të larta në Shqipëri. Rekordmen absolut në 100, 200, 400, 800 dhe 1500 metra stil i lirë. Me periudha të veçanta ka qenë edhe pjesëtar i ‘Te Stela’ me trajner Sadik Mema, ndërsa për herë të fundit ka bërë not në Shqipëri më 2019-ën, teksa përfaqësoi ‘Teutën’. Sot është përsëri në librin e artë të rekordeve, sepse mban rekordin e 400 metrave në stilin e lirë me 4’04”03, realizuar në Kampionatin Botëror të Budapestit më 23 korrik 2017. Largohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa u diplomua për Financë e Kontabilitet, madje duke bërë dhe masterin deri për administrim e biznes. Një humbje e rëndë, që le një boshllëk të madh në notit shqiptar.

DHIMBJE E MADHE PËR KLAVIO MEÇAN

Humbja dhe ndarja e parakohshme nga jeta e Klavio Meças, ka shkaktuar një dhimbje shumë të madhe. Në një status në facebook, këngëtari Dashnor Diko e ka cilësuar një humbje të madhe dhe tragjike për notin shqiptar, ndarjen e parakohshme nga jeta të Klavio Meças. “Ndahet nga jeta në mënyrë të papritur dhe në moshën më të bukur të jetës Klavio Meça, shokë të një ekipi me fëmijët e mi, kampioni i sportit të notit, që vazhdonte studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhimbje që nuk gjej dot fjalë për të ngushëlluar prindërit e tij, të cilët lumturoheshin nga rezultatet pozitive të fëmijës së tyre si në studime, ashtu dhe në sportin e notit”, shkruan Dashnor Diko. Por një status të veçantë për Klavio Meçan ka bërë dhe sekretari i përgjithshëm i Federatës së Notit të Kosovës, Astrit Haliti: “O Kampion, o sportist i madh, sa shumë na trishtove sot!!! O Kampion i parajsës, sa i madh ishe!! Nuk kam fjalë ta përshkruaj madhështinë tënde. Kampion pusho i qetë, do të mbetesh përjetësisht Kampion Klavio!!!!!”. E ndërkohë dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka bërë ngushëllimin e vet për humbjen e parakoshme të Klavio Meças: “Një lajm i pabesueshëm na erdhi si bombë për ndarjen nga jeta të sportistit shqiptar Klavio Meça në moshën 24 vjeç. Nuk gjejmë fjalë për të shprehur dhimbjen e madhe. Ishte një djalë i shkëlqyer me sjellje shembullore dhe disiplinë sportive. KOKSH i shpreh ngushëllime familjes dhe komunitetit sportiv. Prehu në paqe kampion! Do të na mungosh…!”. Ndarja e parakohshme nga jeta e Klavio Meçes ka shkaktuar një dhimbje të madhe, ndërsa tanimë ai do të jetë një “engjëll” që të gjithë do t’i përshëndes nga lart.

SADIK MEMA: KLAVIO MEÇA, NOTAR

I NJË NIVELI SHUMË TË LARTË

E ka të vështirë të flasë për Klavio Meçan kryetrajneri i ‘Te Stelas’, Sadik Mema, ndërsa lajmi i ndarjes së tij nga jeta ka rënë si bombë mëngjesin e së dielës. Për Memën, që e ka pasur sportist në periudha të caktuara Klavion, noti shqiptar ka humbur shumë me ndarjen nga jeta të tij. “Një notar me nivel shumë të lartë – thotë Mema – dominues i të gjitha garave të stilit të lirë, nga 100 deri në 1500 metra. Fatkeqësia e tij ishte se e ka nisur notin shumë vonë, që do të thotë se nuk e ka shijuar moshën e fëmijërisë. Megjithatë me shumë përkushtim, me dy herë në ditë stërvitje, arriti të bëhej ai që sot është dhe do të mbetet në historinë e notit shqiptar. Noti shqiptar ka humbur kampionin e rezultateve të punës, që është ndeshur me sfida të mëdha dhe që me shumë vullnet u bë notari me potencial të jashtëzakonshëm. Jo rrallëherë i kam thënë që kishte mundësi të ishte rekordmen dhe në delfin, apo shpinë. Janë të pakët notarët si ai dhe do të jetë e vështirë të gjesh sot sportist me vullnet si Klavio Meça. Ka spikatur në të gjitha veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare, sidomos në mitingjet ndërkombëtare ballkanike, apo dhe Kampionatet Botërore. I jashtëzakonshëm dhe nuk kam fjalë ta përshkruaj dëshirën dhe vullnetin e tij për të bërë not”.

 

ÇIRAKU: KLAVIO MEÇA, SIMBOLI I NJERIUT TË MIRË

Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit: “Sapo të lirohen masat e anti Covid-19 do të bëjmë një event për të përkujtuar këtë figurë të notit tonë.”

Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, ka mbetur i shokuar nga lajmi i ndarjes nga jeta në mënyrë të parakoshme të Klavio Meças. Për të parin e notit shqiptar, Klavio ishte simboli i notit shqiptar, sportisti i bërë me shumë sakrifica dhe që me gërma të arta gdhendi emrin e tij në historinë e notit shqiptar. Një event në të ardhmen për të kujtuar këtë figurë të notit shqiptar, ndërsa Çiraku do të shprehej për të në një intervistë për gazetën “Telegraf”:

  • Një tragjedi e madhe godet notin shqiptar me ndarjen nga jeta të Klavio Meças…
  • Shumë e vështirë të përshkruhet ky moment. Një ngjarje që vjen si bombë për sportin tonë. Klavio Meça ishte simboli i notit shqiptar. Njeriu që me pasion dhe këmbëngulje bëri gjithçka për të qenë në majat e sportit dhe të gdhendur emrin e tij në librin e rekordeve tona. Rekordmen në pjesën më të madhe të garave të stilit të lirë, notar me rezultate të larta në aktivitetet ndërkombëtare. Por mbi të gjitha njeri shumë i mirë.
  • Çfarë ka humbur sot noti shqiptar?
  • Noti shqiptar ka humbur një kampion dhe rekordmen model. Komuniteti i notit ka humbur shokun e mirë që bënte gjithçka për të tjerët. Shumë e vështirë të mbyllet si plagë, por që Klavio Meça ka lënë një emër që do të kujtohet gjatë.
  • A mundet të ketë noti shqiptar një tjetër Klavio Meça?
  • Është e vështirë, por jo e pamundur. Megjithëse secili ka vendin e tij në notin shqiptar dhe Klavio Meça është në muzeun e artë të notit tonë. Kaq mjafton për të thënë se cili ishte ky notar i jashtëzakonshëm.
  • Së fundi, si do ta kujtoj noti Klavio Meçan?
  • Sapo të hapemi dhe lirohemi nga masat e anti Covi-19, ne si Federatë e Notit, do të zhvillojmë një event me emrin e Klavio Meças. Kjo i mbetet të ardhmes, por që vetëm kështu mund të kujtohet emri i tij, që nuk do të harrohet asnjëherë. Sepse është në zemrat e të gjithëve.

SHPËTIM HOXHA: KLAVIO, NOTARI

I REZULTATEVE TË JASHTËZAKONSHME

Klavio Meça e ka nisur notin me ‘Tirana Delfina Sport’, ndërsa Shpëtim Hoxha ishte ai që i mësoi hedhjet e para të krahut në pishinë. “Në fakt – kujton Hoxha – Klavio e ka nisur vonë notin. Ka pasur probleme shëndetësore, ndërsa e shqetësonte azma, dhe notin e nisi me dëshirën e madhe. I kaloi të gjitha problemet shëndetësore, ndërsa nuk e nisi notin me pritshmëri të mëdha. Por me punë u bë rekordmen i padiskutueshëm në garat e stilit të lirë. Dominues në garat ndërkombëtare, ndërsa edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku dhe studionte, vazhdonte punën si trajner. Pra në tërësi një notar që erdhi në shpërthim në rezultate, falë punës së madhe që bënte. Një humbje e jashtëzakonshme”.