Tirana ka arritur të marrë një fitore shumë të rëndësishme në shtëpi përballë Skënderbeut. Bardheblutë kanë mundur me rezultatin 3-1 skuadrën korçare, duke u shkëputur edhe në krye të klasifikimit me 10 pikë në 4 ndeshje, dy më shumë tashmë se Teuta që u ndal nga Vllaznia.
Takimi u duk se po shkonte në barazim pas golave të Ngo dhe Pollozhanit, por pak minuta pasi hyri në fushë, Halili kaloi skuadrën e tij në avantazh. Vetëm dy minuta më vonë, ishte Hoxhallari ai që shënoi edhe golin e tretë për Tiranën duke vulosur kështu fitoren e bardhebluve.
Tirana shpreson tashmë që Kukësi të ndalet ditën e nesërme pasi me një fitore, do të barazonin bardheblutë në krye të klasifikimit. Nga ana tjetër, Skënderbeu pëson humbjen e dytë radhazi pas disfatës 0-3 nga Bylisi pak ditë më parë. me këtë rezultat, Skënderbeu zbret në vendin e pestë. Javën e ardhshme, Tirana luan ndaj Kukësit në transfertë ndërsa Skënderbeu pret Teutën.
Tirana-Skënderbeu 3-1
Shënues: 45+2’Ngo, 86’Halili, 89’Hoxhallari / 67’Pollozhani