Tirana bën gati marrëveshjen me Shehin pas derbit, në pritje është Partizani

47
Sigal

Tirana dhe Orges Shehi dhe anasjelltas, me Partizanin në hije. Deri në nisjen e Kombëtares, sytë e mediave sportive ishin mbi shkarkimin apo pezullimin e trajnerit Orges Shehi nga klubi bardheblu. Tani në skenë kanë dalë të kuqtë, por problemi është tjetër kund. Do të jetë Orges Shehi i lidhur me kontratën te bardheblutë apo do të marrë drejtimin e një skuadre tjetër.

FILLIMET – Edhe para se Orges Shehi të largohej nga drejtimi i Tiranës jozyrtarisht ka pasur disa tentativa për mbylljen e marrëveshjes. Tirana do të paguante trajnerin deri në nëntor dhe palët do të ndaheshin.

Situata më pas precipitoi dhe asnjë nga aktorët nuk pranoi marrëveshje. Tirana e pezulloi trajnerin, ndërsa Shehi e sheh veten të shkarkuar. Tirana tani kërkon të paguajë rrogën deri në fund të kontratës dhe trajneri dëshiron të pushojë. Lëvizje këto që i çojnë palët në dy “llogore lufte”.

NEGOCIATAT – Edhe pse tani pas luftës situata është në qetësi, burime bëjnë me dije se indirekt mund të ketë një marrëveshje. Palë të treta kanë hyrë për të negociuar çështjen.

Gjasat janë që mund të ketë një marrëveshje brenda pak ditësh. Tirana mund të paguajë disa muaj dhe trajneri të jetë i lirë. Nuk dihet nëse palët do të arrijnë një marrëveshje, por palë të treta janë të sigurta që ekziston mundësia.

KALIMI – Me një mbyllje marrëveshjeje me Tiranën, Orges Shehi do të ishte trajner i lirë. Kjo do të thotë se durrsaku mund të firmosë me skuadra të tjera.

Mësohet se Partizani është te dera, por nëse gjërat shkojnë siç parashikohet, Shehi do t’i merrte të kuqtë pas derbit. Tirana është e vendosur që të mos e lëshojë Shehin, por nëse e bën do ta lejojë vetëm pas derbit me Partizanin që luhet më 19 tetor.