“Tërbohet” Vllaznia: S’kemi marrë asnjë lek, ku është FSHF-ja?!

406

Sigal

Klubi i Vllaznisë ka dalë dje me një tjetër qëndrim zyrtar për fondin e solidaritetit që jep UEFA që prej sezonit 2001- 2002. Në fakt, shkodranët janë një prej klubeve që duhet të kishin më shumë se kushdo përfitime për zhvillimin e futbollit të moshave. Mirëpo, sipas drejtuesve aktualë të Vllaznisë, institucioni i futbollit nuk ka qenë transparent për fondin që UEFA ka shpërndarë në këto vite.

Administratori Astrit Gjyrezi, në konferencën e djeshme për shtyp, ka theksuar se klubi shkodran nuk është aspak në dijeni. “Për hir të së vërtetës, nuk kemi marrë asnjë fond nga UEFA. Këtë e kam lexuar vetëm në gazetë, pasi FSHF-ja nuk na ka njoftuar për shpërblimin që na takon ne si klub. Pra, nuk kemi asnjë njoftim për një gjë të tillë. Tani jemi në pritje të asaj që do të reflektojë federata në lidhje me këtë fond”, ka thënë fillimisht Gjyrezi.

Buxheti dhe stadiumi

I pyetur për menaxhimin e stadiumit “Loro Boriçi”, Gjyrezi nuk dha detaje, duke lënë të hapur gjithçka të hapur. Megjithatë, ai është i kënaqur që për momentin klubi ka marrë fonde të mjaftueshme nga bashkia e Shkodrës për të përballuar sezonin 2016-2017.

“Do t’ia lëmë kohës, sepse është edhe në varësi të marrëdhënies që do vendosë bashkia me FSHF-në për menaxhimin e stadiumit. Ne presim të ardhura të mëdha nga stadiumi, por këto janë marrëdhënie që i përkasin bashkisë me FSHF-në, të cilat do të ndikojnë edhe te klubi.

Nëse do kemi probleme financiare, do t’i drejtohemi sërish bashkisë. Momentalisht gjendja është e mirë, sepse fondet janë lëvruar me shpejtësi të madhe pas miratimit në Këshillin Bashkiak. Për këtë falënderoj institucionet që e bënë të mundur”, ka përfunduar kreu i klubit kuqeblu.

Ndërkohë, vlen për t’u theksuar se ende nuk është gjetur gjuha e përbashkët mes bashkisë Shkodër dhe institucionit të futbollit shqiptar sa i përket menaxhimit të tij. FSHF ka bërë një ofertë konkrete, por bashkia nuk ka vendosur ende nëse do ta pranojë apo do ta refuzojë përfundimisht.