Zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie në Kolonjë, që mbahen këtë të dielë, zhvillohen pas atyre për kryebashkiak në Dibër dhe janë një tjetër provë për palët politike, një vit para zgjedhjeve parlamentare të 2017-s.
Procesi i votimit ka nisur në orën 07:00 me hapjen e 36 Qendrave të Votimit. Janë 8 njësi administrative në Kolonjë, ku pritet të ushtrojnë të drejtën e votës 16 mijë votues.
Votimi nisi normalisht, dhe parashikohet të mbyllet në orën 19:00. Procesi ka nisur i qetë, dhe deri më tani nuk ka patur asnjë incident.
Zgjedhjet e parakohshme për kryetar të bashkisë Kolonjë erdhën pas ndarjes së papritur nga jeta të ish-kryebashkiakut, Arben Malo.
Në një njoftim për media, KQZ bën të ditur se “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon se ka filluar procesi i votimit në të gjitha qendrat e votimit në Bashkinë Kolonjë. Të gjithë qendrat e votimit janë hapur në përputhje me të gjitha procedurat ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor dhe aktet e KQZ-së.
Ndërsa Policia e Korçës bën me dije se ka marrë të gjitha masat dhe ka nisur zbatimin e tyre për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor për kryetar bashkie në Kolonjë.
Sipas një njoftimi për shtyp, agjentët kanë marrë nën ruajtje objektet zgjedhore që prej orës 18.00 te se shtunes, kur kanë mbërritur dhe materialet elektorale.
Gjatë këtij procesi janë angazhuar 65 punonjës policie dhe janë vendosur në dispozicion 11 mjete.
Në Bashkinë Kolonjë jane 36 qendra votimit, të cilat janë marrë nën mbikëqyrjen e policisë e po ashtu edhe 8 njësi administrative, saktësohet në njoftimin zyrtar.
Ndërkohë, në Drejtorinë e Policisë së Korçës është ngritur një grup i posaçëm për mbledhjen dhe përpunimin e informacionit që do të vijë ditën e diele. Autoritetet njoftojnë se situata në Kolonjë sa i takon rendit dhe sigurisë ka qenë e qetë dhe pa probleme.