U përballëm pas shumë kohësh
Ti dhe Unë, si atëherë.
Ti nuk munde të më njohësh!
Unë të njoha, menjëherë …
Dorën dhamë si dy të huaj
kokën ulur, fjalët prerë,
por diçka nisi të luaj
në stomak, si atëherë …
Flutura trupin e përshkuan
Toka tundej poshtë ndër këmbë
Ç’dreqin donin që ngacmuan
Atë plagë që aq shumë dhëmb!?
Por s’i lash të fluturonin!
I ndalova, qëllimisht!
Mos më pyesni si u munda
Nuk përshkruhet, natyrisht …
Ti më the ”sa kam ndryshuar”
Ikin vitet the, si era!
The që nuk më ke harruar
e të tjera, e të tjera!
Dhëmbët fort, shumë fort shtrëngoja!
Ti kërkoje nga unë fjalë.
Por unë vetëm të dëgjoja
e së fundmi thash, ”më fal” …
Më duhet të ik, thash nxituar
Sytë si ngrita që përdhe.
S’isha gati për të zgjuar
atë ç’ka në shpirt më fle!
S’mund t’harroj as unë vërtetë!
E ti nga unë, s’i ndaje sytë…
Të desha njëherë në këtë jetë
nuk mund të dua’ për herë të dytë!




















