Super Salihi, Super Berisha; Shqipëria fiton në -10 gradë

499
Sigal

 NORVEGJI-SHQIPËRI 0-1/ Shkodrani realizon një gol spektakolar. Etriti, një hero kuqezi midis shtyllave

 Një Super Shqipëri! Një Super Salihi! Një Super Berisha! Një fitore madhështore 1-0 me Norvegjinë, në “Uleval”, edhe pse e mbyllim takimin me dhjetë lojtarë – karton i kuq i Lilës, duke u shpërblyer sakrificat financiare të mbi 3000 tifozëve kuqezinj kënduan gjatë gjithë ndeshjes. Fitorja e tretë në pesë ndeshje; vendi i dytë në grup me nëntë pikë. Ëndrrat për të shkuar në “Brazil 2014” janë më të gjalla se kurrë më parë. Kurrë më parë, Kombëtarja jonë s’e ka pasur këtë bilanc. Mirënjohje ndaj trajnerit Xhani De Biazi dhe djemve të tij, nga Berisha në portë, kapiteni Cana, energjiku Dallku, i pagabueshmi Mavraj, për të vazhduar me debutimin fantastik të Migjen Bashës, e kulmuar me perlën e Hamdi Salihit. Me golin e tij të artë, njëherësh edhe goli i tij i 10-të me fanellën kuqezi, duke u barazuar kështu me Igli Taren dhe Sokol Kushtën. Një ansambël i mrekullueshëm në “Uleval”, në atë stadium ku 15 vjet më parë kishim barazuar 2-2, por pasi kryesonim 2-0 me golat e Alban Bushit dhe Igli Tares. Kombëtarja regjistroi fitoren e 14-të në 89 ndeshje në eliminatoret e Europianëve, qysh kur mori pjesë për herë të parë në fushatën e Euro 1964. Golin e parë të Shqipërisë, në eliminatoret e një Europiani e ka realizuar legjenda Panajot Pano, në atë fitore 1-0 ndaj Danimarkës, në “Qemal Stafa”, në maj të vitit 1963.

 PJESA E PARË  – Trajneri De Biazi hodhi në fushë një formacion të rreshtuar në 4-4-1-1, me Hamdi Salihin pas shpinës së sulmuesit kryesor, Edgar Çani. Momenti i parë i ndeshjes i përket pikërisht Shqipërisë, teksa në minutën e 3-të, mbrojtësi energjik Armend Dallku në një nga nga daljet e tij krosoi në zonën norvegjeze;  Hamdi Salihi e uli bukur, por gjuajtja e tij në gjysmëroveshatë gjeti pikërisht portierin norvegez, Run Jarstein. Reagimi i vendasve ishte i menjëhershëm, dhe vetëm fati i shpëtoi kuqezinjtë nga momenti i golit. Një top i hedhur në zonën e vogël të Shqipërisë kaloi të të gjithë pasqyrën e portës, por Aleksandër Soderlund nuk arriti ta dërgojë atë në rrjetë. Momenti kulmor i pjesës së parë është kuqezi. Në minutën e 27-të, mbrojtësi i PAS Janinës, Andi Lila, në rolin e një mesfushori në ndeshjen e Norvegjisë, krosoi në zonë; topi mbërriti te Migjen Basha, mesfushori i Torinos – në debutimin e tij të parë me Kombëtaren shqiptare – i vetëm në zonë nuk arriti të gjejë kuadratin. Një rast i humbur. Në të 36’, është Dallku ai që bëhet heroi i Shqipërisë: kundërsulm i norvegjezëve, Adelaoue pasoi për Eljounousin në zonë, ku i fundit gjuajti, por Armendi e largoi atë në goditje këndi, duke evituar një gol thuajse të sigurt. Pjesa e parë u mbyll pa gola, me një lojë të pëlqyeshme të Shqipërisë, që u tregua kompakte.

  PJESA E DYTË – Tekniku italian s’bëri asnjë ndryshim, teksa ishin norvegjezët ata që këmbëngulin, për të përfituar nga faktori fushë. Në të 50’, Xhon Arni Rise ndërmori një galopim individual, por kapiteni Lorik Cana i bën bllokadë, me një ndërhyrje tipike të tij, në afërsi të zonës së 16-metrave. Goditja e Jensenit u përplas në murin e gjatë të Shqipërisë, që largoi rrezikun. Trajneri norvegjez, Egil Olsen, ai e që i konsideroi futbollistët tanë si “mushkonja bezdisëse”, kërkon nga të tijtë të këmbëngulin, por në Rise nuk është i qartë në goditjet fundore. Migjen Basha, i cili dje luajti 90 minutat e para me Shqipërinë, tregoi klasin e tij, duke shpërndarë topa të bukur nga krahët, duke e dëshmuar veten si një lojtar me horizont tipik mesfushe. Minuta e artë e ndeshjes është ajo e 67-të: Shqipëria doli shpejt në kundërsulm me Andi Lilën, ky u fundi u pengua në mënyrë të parregullt mbi vijën e zonës së 16-metrave të vendësve, duke fituar një goditje dënimi. Kombinim i bukur i Bulkut me Salihin, dhe “goleadori i tre kontinenteve”, realizoi një gol të mrekullueshëm në trekëndëshin norvegjez. 0-1 për Shqipërinë! Tifozëria shqiptare, e veshur e tëra me ngjyrat kuqezi është në delir, teksa shijon avantazhin në stadiumin “Ulevall”. Janë të goditur psikologjikisht norvegjezët, që vijojnë të gabojnë tashmë në pasime, tepër të dëshpëruar dhe në paqartësi të plotë. Trajneri De Biazi nisi “lojën” e zëvendësimeve: Bogdani zuri vendin e Çanit, ndërsa disa minuta më pas Dallku, i dëmtuar i lë vendin Hysajt të Empolit dhe në të 90’, pas largimit me kartonit të kuq të Lilës, në vend të Salihit u fut në fushë Debatik Curri. Gjithsesi, në minutën e 76-të, Etrit Berisha eviton një gol mëse të sigurt, duke grushtuar një top të goditur fort nga sulmuesi kryesor i vendësve (i gjendur te pika e penalltisë). Fundi ka një hero, Etrit Berishën, që bën të paimagjinueshmen me pritjet e tij, duke i vënë “kyçin” portës së kuqezinjve.

  Kualifikuese për “Botërorin 2014″, grupi E

Stadiumi “Ulevall”, Oslo

NORVEGJI-SHQIPËRI  0-1

Golat: Salihi 67’

NORVEGJIA: R.Jarstein, Høgli, Forren, Hangeland, J.Riise, Søderlund (V.Berisha 74’), M.Henriksen, Nordtveit, R.Jenssen, Elyounoussi (King 62’), Moa. Trajner: E.Olsen

SHQIPËRIA: E.Berisha, Dallku (Hysaj 80’), Cana, Mavraj, Agolli, A.Lila, E.Bulku, Basha, Roshi, Salihi (90’ Curri), Çani (Bogdani 75’). Trajner: De Biazi

Gjyqtarë: Kevin Blom, Rob Van De Ven, Dave Goossens (Holandë)

Kartonë të verdhë: Forren 53’ / Roshi 43’, Cana 77’, Lila 85’, Agolli 90+3’

Karton i kuq: Lila 88’

DEKLARATAT

De Biazi: “Berisha, mbrojti fitoren”

 Trajneri kuqezi, De Biazi, deklaroi pas ndeshjes në Oslo se kjo fitore në transfertë provoi se mund të shkohet më tej në një ëndërr, e cila quhet “Botërori 2014”. “Skuadra po përmirësohet dhe tanimë kemi fatin me vete. Duhet të mbajmë këmbët në tokë dhe të ecim përpara, pa kaluar në eufori.

Sigurisht që në pjesën e parë ishim më mirë, ndërsa në të dytën e patëm diçka më të vështirë. Pas golit u nervozuan norvegjezët dhe bënë më shumë gabime ata”, – shtoi trajneri i Kombëtares. De Biazi nuk i rezistoi tundimit për të veçuar portierin Berisha, por nënvizoi faktin se e gjithë skuadra bëri një lojë të mirë. “Të zgjedh një lojtar nuk më pëlqen, ndaj po them se të gjithë bënë më të mirën. Berisha bëri dy-tri pritje shumë të mira, që mbrojtën fitoren tonë të çmuar”, – tha ai.

 Salihi: “Golin ia dedikoj Shkodrës!”

  Futbollisti Hamdi Salihi është shfaqur shumë i gëzuar për fitoren që erdhi si pasojë e golit të mrekullueshëm të tij, aq më tepër që u sigurua në një transfertë të vështirë, në Oslo. “Golin ia dedikoj Shkodrës, atij qyteti që gëzohet shumë kur shënoj, sikur të ishte familja ime. Ua dedikoj shkodranëve, sepse kjo më gëzon. Sikur jam unë duke luajtur, sikur është duke luajtur çdo qytetar në atë qytet. Kam vendosur që golin më të rëndësishëm me kombëtaren tua dedikoj atyre. Unë e kam ditur dhe kam besuar se mund t’ia dalim këtu në Oslo. Edhe sot kemi bërë gabime të vogla, por me pak fat patëm, me një ditë të mrekullueshme të portierit Berisha, e mbrojtëm rezultatin. Duhet të përmirësohemi dhe të bëjmë të njëjtën gjë edhe në ndeshjen tjetër”, – u shpreh Salihi.

  “Salihi shënoi fitoren. Berisha e garantoi atë”

 Për fitoren e Kombëtares sonë në Oslo reagoi në faqen e tij në rrjetin social “Facebook” edhe kryeministri Sali Berisha. “Të dashur miq! Në Oslo, lojë dhe fitore e merituar e dinjitoze e kombëtares sonë. Salihi shënoi golin e shkëlqyer të fitores së ekipit tonë dhe ogurin e fitores së 23 qershorit. Berisha tigër në portë, garantoi fitoren historike të ekipit tonë më 22 mars, ditën e bardhë të demokracisë. Urime Salihit, Berishës, të gjithë skuadrës, kapitenit, trajnerit të saj për këtë fitore dinjitoze dhe të merituar, që na bëri krenarë dhe zbukuroi kaq shumë ditën tonë të parë të demokracisë. Gëzuar!” – shkruan Berisha në statusin e tij.

Kundërshtarët

 Islanda fiton me Slloveninë

 Sllovenia po kalon një krizë të madhe futbollistike, teksa humbi dje 2-1 në shtëpi me Islandën, edhe pse shënoi e para me anë të Novakoviçit (34’). Islandezët përmbysën gjithçka me dy golat e realizuar nga Sigurdson (55’ dhe 78’).

 Sot, Qipro-Zvicër

Zvicra, kryesuesja e grupit tonë – me 10 pikë – do të luajë sot në Qipro, vendin e fundit. Zviceranët vijnë pas fitores 2-0 me Islandën, ndërkohë që Qipro ka pësuar tri humbje në katër ndeshje, përfshirë dhe atë me Shqipërinë (3-1).

 Shqipëria hakmerret ndaj basteve

 Para ndeshjes, kompanitë e basteve u treguan të “pamëshirshme” ndaj Shqipërisë, duke e konsideruar dukshëm një ekip shumë inferior në raport me Norvegjinë, ndoshta dhe për faktin se takimi luhej në Oslo. Fitorja e Shqipërisë vlerësohej me koeficientin 8.35, ndërkohë që ajo e Norvegjisë me 1.36. Barazimi është fiksuar në 4.5. Por, ajo që doli fitimtare nga fusha ishte Shqipëria, teksa ata që kanë mundur të venë “2”-sh për Shqipërinë mund të jenë shndërruar në milionerë.

Blom-Lila, dueli i të kuqeve vazhdon

 Gjyqtari holandez, Kevin Blom, dhe mbrojtësi i Shqipërisë, Andi Lila, s’kanë për ta harruar kurrë njëri-tjetrin. Të dy i bashkon një statistike e pabesueshme! Gjyqtari Blom, i cili

na ka gjykuar në ndeshjen Bosnjë-Shqipëri 2-0, më 7 qershor 2011 (në Zenica), për eliminatoret e Euro 2012, ndëshkoi me karton të kuq mbrojtësin Andi Lila. Dhe këtë e bëri sërish edhe dje, kur Lila u detyrua të linte fushën e lojës pas dy kartonëve të verdhë dhe rrjedhimisht të kuq. Andi mungon ndaj Norvegjisë në “Qemal Stafa”.

 Eliminatoret “Brazil 2014”

GRUPI E

 Dje, 22.03.2013

Slloveni-Islandë           1-2

Norvegji-Shqipëri    0-1

Sot, 23.03.2013

Qipro-Zvicër         17:30

RENDITJA

 Ekipi            N    F    B    H    P

1. Zvicra       4    3    1    0    10

2. Shqipëria    5    3    0    2    9

3. Islanda      5    3    0    2    9

4. Norvegjia    5    2    1    1    7

5. Sllovenia    5    1    0    3    3

6. Qipro        4    1    0    3    3

NDESHJET E SHQIPËRISË

 2012

Shqipëri-Qipro       3-1

Zvicër-Shqipëri            2-0

Shqipëri-Islandë           1-2

Shqipëri-Slloveni    1-0

2013

Norvegji-Shqipëri    0-1

Shqipëri-Norvegji    07.06

Slloveni-Shqipëri    06.09

Islandë-Shqipëri           10.09

Shqipëri-Zvicër      11.10

Qipro-Shqipëri       15.10

TRI NDESHJET ME NORVEGJINË

NORVEGJI-SHQIPËRI 2-2

E mërkurë, 14 tetor 1998

Shënues: Rekdal 82’ (p), Berg 88’ / Bushi 38’, Tare 52’

Stadiumi “Uleval”, Oslo, 17 700 shikues

Kualifikueset e Euro 2000

Shqipëria: Strakosha; Shulku, Xhumba, R.Vata, Lala, Fakaj, Haxhi, Bushi (84’ Halili), B.Kola (90’ Dalipi), Tare, Rraklli (81’ Bogdani). Trajner: Astrit Hafizi

SHQIPËRI-NORVEGJI 1-2

Shënues: Tare 13’/ Iversen 3’, A.Flo 83’

E shtunë, 5 qershor 1999

Stadiumi “Qema Stafa”, Tiranë, 12 mijë shikues

Kualifikueset e Euro 2000

Shqipëria: Strakosha; Shulku, Xhumba, R.Vata, Lala, Fakaj (63’ Bellai), Haxhi, Bushi, B.Kola (70’ Duro), Tare, Rraklli (81’ Bogdani). Trajner: Astrit Hafizi

NORVEGJI-SHQIPËRI  0-1

Shënues: Salihi 67’

Stadiumi “Ulevall”, Oslo, 12 mijë shikues

Kualifikueset “Botërori 2014″

SHQIPËRIA: E.Berisha, Dallku (Hysaj 80’), Cana, Mavraj, Agolli, A.Lila, E.Bulku, Basha, Roshi, Salihi (90’ Curri), Çani (Bogdani 75’). Trajner: Xhani De Biazi