Eduard Dervishaj: “Pesë ditë janë për punë, siç thotë bibla. Dita e shtatë është e zotit, perëndia juaj. Dita e gjashtë është për futboll”

110
Anthony Burgess, shkrimtar, kompozitor.
Sigal

Historia e një kolazhi fotografish.

Ky kolazh i përgatitur nga gazetarët e gazetës historike “Sporti Popullor” (që sot nuk ekziston) përkon me Kampionatin e 40-të Kombëtar të Futbollit të Kategorisë së parëë, sezoni 1985-86 (në atë kohë nuk numëroheshin kampionatet e paraluftës). Në të jane 14 ekipet pjesëmarrëse. Aty jam edhe unë, me KF Shkëndinë, si ndihmës-trajner me Miço Ndinin, ish futbollisti i shquar i KS Partizanit dhe miku im i çmuar. I ri në moshë, 24 vjeç, pata fatin nga stoli ku ulesha për të drejtuar ekipin, javë mbas jave, të shikoja dhe të kënaqesha duke parë futbollin e bukur që shpalosnin ekipet pjesëmarrëse në këtë kampionat.

Është shumë i bukur ky kolazh!

Sa shumë histori pune, pasioni dhe sakrifice mund të “lexohet” në të…!

Shikoheni, janë të pranishëm pothuajse të gjitha “kryeqendrat” e futbollit shqiptar!

Ju ftoj të lexoni emrat e futbollistëve! Talente pa fund…! Emocionuese!

Lexoni emrat e trajnerëve! Aty do të gjeni disa nga strategët më të shquar të historisë së futbollit tonë.

Por si u arrit në këto nivele? Duke parë me vëmendje fotografitë mendoj se duhet të zbresim pak në kohë për të shpjeguar, shkurtimisht, si është arritur deri këtu. Ky kolazh fotografish tregon qartësisht punën e madhe dhe mjaft mirë të organizuar që bëhej me futbollin në Shqipëri. Breza të tërë specialistësh i ishin dedikuar me shumë pasion dhe rezultatet e punës së tyre u shfaqën, në mënyrë të veçantë, në fillimin e viteve ’70. Por fatkeqësisht, kjo periudhë, e cilësuar në botë si “dekada më e lavdishme e mbretit të sporteve”, përkoi me “çmendurinë” e izolimit të mëtejshëm të vendit tonë, e këtu nuk do të përjashtohej edhe futbolli. Për fatin tonë të keq morëm një drejtim krejtësisht të kundërt, u larguam nga bota dhe ia mbyllëm derën erës së këtyre ndryshimeve. Kështu, pas përfundimit të sezonit 1972-1974, që korrespondonte me ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Botëror, ekipi kombëtar u ndalua të merrte pjesë në aktivitetet ndërkombëtare. Kjo masë u zbatua në mënyrë të pamëshirshme dhe me klubet, të cilët u ndaluan që nga viti 1973 deri në vitin 1978. Ky vendim ekstrem do të ishte tejet negativ, me pasoja të rënda e të pallogaritshme, që do të reflektoheshin për vite me radhë në futbollin tonë. Një plejadë të shkëlqyer futbollistësh, rezultat i një pune 30-vjeçare me futbollin në të gjithë skajet e vendit, iu mohua aktiviteti ndërkombëtar dhe në këtë mënyrë iu frenua zhvillimi i mëtejshëm profesional. Po ashtu trajnerët nuk kishin asnjë mundësi të dilnin jashtë shtetit dhe të merrnin eksperiencën e përparuar. Literatura e huaj hynte me pikatore dhe më shumë sigurohej në rrugë private. Megjithatë komuniteti i futbollit nuk u demoralizua. Trajnerët u mbështetën në shkollën e futbollit shqiptar që me vështirësi u konsolidua dhe perfeksionua falë kontributit të specialistëve të mirënjohur si Miço Papadhopulli, Skënder Dede, Zyber Konçi, Shyqyri Rreli, Thanas Jançe, Din Zhega, Bahri Ishka, etj., që më vonë hapën dhe kursin pasuniversitar për kualifikimin e trajnerëve. Prioritet ishte bërë puna me fëmijët. Megjithëse niveli i infrastrukturës dhe baza materiale nuk ishte në nivelin më të mirë, fushat me qymyr dhe shtufë nëpër lagjet apo shkollat e qyteteve anekënd Shqipërisë gumëzhinin nga qindra fëmijë të të gjitha kategorive e grupmoshave të inkuadruar në ekipet zinxhir pranë klubeve, klasave sportive si dhe pallateve të pionierit. Dhe prindërit nuk bënin asnjë pagesë…! Një armatë e tërë trajnerësh të apasionuar punonin në përgatitjen e fëmijëve dhe të rinjve. Në çdo qytet do të gjeje emrin e referencës. Kush nuk e njihte Xhavit Demnerin në Tiranë, Shefqet (Lala) Lamçen në Elbasan, Filip (“Qorrin”) Xhain në Durrës, Xhelal Jukën në Shkodër, Jani Botin në Gjirokastër, Skënder Ibrahimin në Vlorë etj., etj.? Ata kishin vënë themelet dhe ishin simboli i stërvitjes së fëmijëve dhe të rinjve. Emri i tyre ishte i lidhur me zbulimin e shumë talenteve të vegjël, që më vonë kishin bërë histori në futbollin tonë. Nëse mjeshtër Xhaviti apo mjeshtër Filipi do të thoshte se ky apo ai djalë ka talent, nuk diskutohej më. Dhe ishin të gjitha gjasat që ai futbollist i vogël të mbërrinte në nivelet më të larta. Po ashtu, në janar të vitit 1968 me inisiativën e Profesor Zyber Konçit ishte hapur në Tiranë dhe Shkolla e Mesme e Mjeshtërisë Sportive, e cila mund të konsiderohet si një nga “fabrikat” më prestigjioze të përgatitjes së futbollistëve në historinë e futbollit tonë. Falë kësaj pune, dekadën pasardhëse (vitet ’80) mund ta quajmë pa frikë periudhën e lulëzimit të futbollit. Kishte një “superprodhim” të talenteve në të gjitha kategoritë, gjë që ndikoi në rritjen e konkurrencës së garave duke i bërë më të bukura e interesante. Për herë të parë në historinë e Kampionateve të Kategorisë së Parë, për pesë sezone rresht nga 1979-1980 deri në 1983-1984, u shpallën kampionë pesë ekipe të ndryshme (Dinamo, Partizani, 17 Nëntori, Vllaznia, Labinoti)! E paimagjinueshme më parë! Ku jemi sot, 33 vjet mbas ndërrimit të sistemit? Si ka mundësi që Klubet tona të mos jenë në gjendje të formojnë më futbollistë të nivelit të mësipërm? Para disa ditëve presidenti i një klubi historik kritikonte institucionin drejtues të futbollit per kampionatin me 10 ekipe i cili sipas tij po e “vret futbollin në Shqipëri”. “Futbolli i një skeme me 10 skuadra- vazhdon presidenti në fjalë- është një dështim total. Më thoni një ekip që nuk ankohet për skemën, për arbitrimin! Ne kemi vetëm lojtarë të huaj në Kombëtaren tonë (…). 90% e atyre që ne i quajme “legjionarë” nuk janë prodhim shqiptar. Federata menaxhon lojtarët nëpër botë dhe nuk e kanë primare Shqipërine.” Po ashtu presidenti i klubit citonte dhe një artikull të gazetarit të mirenjohur Besnik Dizdari. Por zoti Dizdari ka vite që shkruan për këtë temë! Shkruan…, shkruan…dhe vazhdon e shkruan! Dhe më së fundi ka reaguar presidenti i një klubi…por jo komuniteti i asfiksuar i futbollit, nëse ekziston…! Sa keq! Në artikullin: “Kampionati “i pakuptueshëm” i Shqipërisë…”, 29 janar 2023, Besnik Dizdari ndër të tjera shkruan: ” E kanë goditur rëndë. E kanë denatyruar tejet, e kanë deshqiptarizuar deri aty saqë një skuadër si Erzeni i Shijakut nga 11 lojtarë, plot 9 nuk i ka shqiptarë të Republikës së Shqipërisë. Është vërtet e çuditshme, se si po ndodh që edhe te skuadrat e qyteteve tradicionale të flakura tej në Kategorinë e Dytë, përditë dëgjon veç fjalën “mercato”. Atëhere, si mund të formohen futbollistë të nivelit të fotografive të mësipërme kur mungojnë fushat për fëmijët? Kur ekipet historike si Dinamo, Flamurtari, Elbasani, Tomorri, Lushnja, Besa, Skënderbeu, Apollonia…, “toka pjellore” të futbollit shqiptar, po treten në një të ashtuquajtur Kategori e parë? Kur klubet vazhdojnë të sjellin futbollistë dhe trainerë të huaj! Përse i duhen futbollit shqiptar gara të tilla?