Sulejman Mema: Uroj kampionat cilësor, dhe sa më shumë tifozë

55

Flet ish-futbollisti dhe trajneri bardheblu, Sulejman Mema

Sigal

Agron Kaja

Sot fillon sezoni 2023-2024 i Superiores, cili është përshkrimi juaj historik për topkëmbën shqiptare?

Nga viti 1930 e deri më sot që janë luajtur gjithsej 84 kampionate, futbolli shqiptar ka kaluar shumë ulje e ngritje. Edhe shqiptarët kanë luajtur futboll, e kanë dashur futbollin, ka patur futbollistë e skuadra të mira dhe janë zhvilluar kampionate.

Skuadra e Tiranës ka fituar më shumë tituj e trofe në futbollin shqiptar, sa do i vlejë kjo CV për këtë sezon?

Unë them se njohja e historisë vlen, dhe duhet që këtë gazetaria sportive ta publikojë më shpesh. Ndoshta kur publikohen këto të dhëna, mundet që lojtarët të bëhen euforikë, por njerëzve u duhet kujtuar historia, se ku ka kaluar futbolli ynë.

Në pragun e këtij sezoni të ri, sa e njihni ritmikën e përgatitjeve dhe të merkatos të skuadrave të Superiores?

Shoh që Partizani ka ndërhyrë në merkato me rracionalitet, ndërsa Tirana është pak më e zbehtë, por skuadrën e ka të mirë. Në tërësinë e merkatos dhe të përgatitjeve, të gjitha skuadrat kanë lëvizur sipas buxheteve e mendësive të tyre.

Tirana nuk shkoi shumë në Europë, po përgatitjet dhe merkaton e saj si e shikoni?

Kur them se merkatoja ka qenë më e zbehtë se Partizani, nënkuptoj se Tirana e ka zhvilluar këtë hapësirë përgatitore, edhe për merkato, por edhe për organizimin e mirë të saj. E shikoj si një skuadër pretendente për të gjitha trofetë e sezonit.

Deri ditën e djeshme, në Abissnet Superiore janë bërë lëvizje të shumta në merkato, e rrisin këto cilësinë e nivelin e lojës?

Numri i lëvizjeve është i lartë gjatë kësaj merkatoje vere, dhe ky numër mendoj se do jetë një merkato jo shumë cilësore. Por në ndeshjet e vërteta do tregojnë se sa cilësore janë, natyrisht që në kampionat kjo shifër e lartë i tregon vlerat e saj.

Çfarë mendoni se do sjellë skema e “Final 4” pas mbylljes së katër fazave të Superiores 2023-2024?

Ajo skemë është miratuar për katër skuadrat e vendeve të para të renditjes. E mendoj si të vështirë në fillim, por edhe interesante. Kështu, fundi i kampionatit do bëhet edhe më i bukur, dhe unë e shoh si një risi me interes për t’u parë.

E drejta televizive u përzgjodh me vonesë nga FSHF-ja, po prej saj, çfarë risie do presim në këtë sezon të ri?

Kjo tregon se FSHF-ja kërkon të marrë maksimumin nga e drejta televizive. Kjo besoj se është vonesa, sepse do thithen më shumë të ardhura që do shkojnë në interes të futbollit shqiptar. Këtu FSHF-ja është treguar korrekte për përfitimin.

Në javën e parë do luhet “Derbi” i kryeqytetit, Dinamo-Tirana, si e prisni këtë sfidë?

Do jetë një “derbi” me emocione, në fushë dhe në shkallët e stadiumit. Janë dy skuadrat me historinë më të mirë në futbollin shqiptar dhe meritojnë të shikohen. Nisur nga përgatitjet dhe merkatua që kanë bërë, e shoh si një sfidë të barabartë.

Urimi juaj për Abissnet Superiore të sezonit 2023-2024?

Uroj që të zhvillohet një kampionat sa më cilësor. Dua që ky kampionat të afrojë sa më shumë shumë tifozë në stadium, sepse vajtja e tyre do ta rritë më shumë interesin, nivelin, cilësitë dhe të ardhurat. Futbolli do marrë atë që do na japë.

Starti i kampionatit, historia dhe realiteti

Futbolli në Shqipëri ka ekzistuar para se të krijohej Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), në vitin 1930. Kjo është dëshmuar nga regjistrimi i ekipit në turneun e Kupës Ballkanike në vitet1929-1931, i cili filloi në vitin 1929. Më 6 qershor 1930, Qeveria e Zogut nxori dekretin që njohu Themelimin e FSHF-së dhe organizoi kampionatin e parë Kombëtar të Futbollit, me pjesmarrjen e gjashtë shoqërive sportive. Kampionia e parë është Tirana në vitin 1930, ndërsa kampioni i fundit është Partizani në sezonin 2022-2023. Kampionati është quajtur Kategoria e Parë (1930-2003), Kategoria Superiore (2003-2021) dhe Abissnet Superiore (2021- ).

 

85 Kampionate

Ky është numri i kampionateve që ka organizuar FSHF-ja, nisur nga

kampionati i parë i zhvilluar në vitin 1930.

26 Tituj

Ky është numri i titujve kampionë të fituar nga skuadra e Tiranës, në 84 kampionatet që ka marrë pjesë në Superiore

“DERBI” i 142-të DINAMO- TIRANA

Bilanci: Ndeshje 141, Fitore Tirana 60, Barazime 34,

Fitore Dinamo 47, Golat 213:182

Ndeshja e parë, viti 1950            Ndeshja e fundit, viti 2022

Tirana-Dinamo 0-1                        Dinamo-Tirana 2-1

 

ABISSNET SUPERIORE

SEZONI 2023-2024

Fillon më 26.08.2023

Luhet me katër faza.

Në fund, skema “Final 4”.

Mbaron në 11.05.2024.

 

Ndeshjet, java e parë

E shtunë, 26 gusht 2023.

Egnatia-Skënderb.       17:00.

Vllaznia-Kukësi 20:00.

E dielë, 27 gusht 2023.

Laçi-Erzeni         17:00.

Dinamo-Tirana   20:00.

Luhet në “Elbasan Arena”.

Partizani-Teuta (e shtyrë).

E drejta televizive “ankorohet” në MCN TV

Vetëm dje është mbyllur “telenovela” për të drejtën televizive të kampionateve shqiptarë të futbollit: Abissnet Superiore, Kategoria e Parë, Kups dhe Superkupa e Shqipërisë. FSHF-ja ka gjetur akordin me MCN Televizion. Për tre vite, ky televizion do të transmetojë ndeshjet e këtyre kategorive, duke nisur nga dita e sotme, që starton sezoni 2023-2024 në Abissnet Superiore. Me ndeshjet Egnatia-Skënderbeu ora 17:00, dhe Vllaznia-Kukësi në ora 20:00, nis ky rrugëtim televiziv.