Spiro Angjeli, intelektuali i Notit shqiptar, notari dhe studenti i shkëlqyer

PROFIL/ Historia e “heshtur” e një Mjeshtri të notit shqiptar, sot kujtohet me madhështinë e saj. Flasin edhe Mjeshtrat Sadik Mema, Sulejma Poda dhe Myrteza Didati

Nga Agron KAJA

 

NOA

Duke qënë një ish-notar dhe rekordmen i elitës, si e mbani mënd një shkrim apo një kronikë sportive që është folur për ju?

Së pari, ju falenderoj ju dhe gazetën “Telegraf” që po respektoni karrierën time sportive, si notar kampion dhe rekordmen. Gjatë karrierës, kanë shkruajtur për mua gazetat sportive, por edhe kronika në Radio Tirana dhe në Televizionin Shqiptar.

Ju keni qënë vetëm notar, apo jeni marrë edhe me sporte të tjerë në ushtrimin e tyre?

Kam qënë i dashuruar vetëm me sportin e notit. Në Sarandë ky sport sikur të “rrëmbente”, sepse e gjithë rinia e kohës e kishte pasion. Edhe unë zgjodha notin si sportin më tërheqës, i cili më dha emrin e mirë gjatë karrierës si kampion e rekordmen.

Gjatë karrierës suaj, sa e keni ndjerrë veten si pjesë e notarëve që kanë ditur të notojnë dhe të garojnë si kampionë? 

Gjithë qytetaria sarandiote na respektonte shumë si notarë. Kujtoj që kur zhvilloheshin garat, qytetarët sarandiotë i ndiqnin ato sikundër në stadiumet e futbollit. Mes notarëve ndjeheshim shokë dhe miq, tek qytetarët idhuj të respektuar.

Kur ka nisur rrugëtimi juaj sportiv, në cilën moshë dhe si i kujtoni rrethanat?

E kam nisur me sportin e notit në moshën 15 vjeçare (1968) në Sarandë. Ka qënë një start të cilin kur e kujtoj, ndjej emocion, por edhe krenari. Ishte trajneri Esat Mamaca që më afroi, dhe pas disa seancave stërvitore më angazhoi në garë.

Po karriera juaj që të notonit me një ekip të elitës në Shqipëri, kur dhe si ka nisur?

Në fundin e vitit 1970 kam qënë në ekipin e të Rriturve të Butrintit, dhe ky ishte ekipi im i parë dhe i fundit në elitën e notit shqiptar, të cilin e kam dashuruar si vetë sportin e notit. Butrinti dhe Noti, ishin si dy binjakët sportivë për mua si notar.

Cili ka qënë trajneri juaj i parë, dhe a mbeti ai një shembull për rezultatet tuaja?

Ja u përmënda më sipër trajnerin Esat Mamaca, i cili ka qënë trajneri im me Butrintin. Ndërkohë që në katër vite kur kam garuar me Studentin, trajner kisha Sulejman Podën, sot Mjeshtër i Madh. Me Kombëtaren kisha Petrit Casllin.

Garën e parë në karrierë, apo rekordin e parë që keni thyer, si e kujtoni?

Me të Rriturit e Butrintit, gara ime e parë ishte në vitin 1971 në Kampionatin Kombëtar në Durrës. Ka qënë një garë të cilën e kujtoj gjithë jetën, sepse kam mundur një Mjeshtër që atëhere ishte kampion absolut, Jani Hondron.

Keni garuar në garat 200 m dhe 400 m Katërnotim, cilët ishin rivalët në gara dhe në thyerjen e rekordeve kombëtare?

Ndoshta sot nuk do ti kujtoj me emra të veçantë, por do thoja se notarët e Lokomotivës dhe të Vllaznisë ishin rivalët në garat që unë bëja, 200 m dhe 400 m Katërnotim. Kemi qënë rivalë në ujë, shokë e miq jashtë tij.

Keni garuar në pishinë, në det të hapur apo në maratonë, ku e keni patur më të lehtë?

Karrierën time unë e kam zhvilluar kryesisht në det, ndërsa kur kam qënë në Kinë kam notuar në pishinë. Ndërkohë që kujtoj se, janë zhvilluar gara edhe në pishinën e Zall Herrit, por deti ishte pjesa ku kam notuar më shumë në karrierën si notar.

Cila është periudha e kohëzgjatjes së karrierës tuaj si notar, dhe cilët ishin ekipet që përfaqësuat?

Unë kam garuar në periudhën 1968-1977. Me Butrintin në periudhën 1968-1972, me Studentin 1972-1976, pasi isha student në Fakultetin Ekonomik në Tiranë, dhe me Butrintin 1976-1977. Jam larguar shumë i ri, por erdhën rrethanat të tilla.

Sa mbahet mënd në memorrien tuaj gara e fundit që keni bërë si notar i   elitës?

Karrierën si notar në elitën e notit shqiptar e nisa në Durrës në vitin 1970, dhe po në Durrës e mbylla në vitin 1977. Kujtoj që kam garuar në dy garat e mia të preferuara, 200 m dhe 400 m Katërnotim, duke e mbyllur me vënde nderi.

Në kohën kur ju keni garuar, si ka qënë infrastruktura në sportin e notit? 

Deti ishte për ne gjithçka, ishte shtëpia e notit. Ndërsa unë gjatë karrierës kam garuar në pishinën e Zall Herrit, por edhe në pishinë kur kam qënë në Kinë në vitet 1972 dhe 1975. Infrastruktura e notit atëhere ishte e dobët, por pasioni ishte i madh.

Pasi u larguat si notar, e keni patur mundësinë që të merreshit edhe me trajningun në sportin e Notit?

Po, pasi unë u largova në vitin 1977 si notar, kalova menjëherë trajner me ekipin e meshkujve të Rinj të Butrintit. Rreth dy sezone vazhdova, sepse rrethanat e punës nuk më mundësonin shumë kohë për tu angazhuar në trajning.

Në këtë periudhë jashtë notit aktiv, ju e ndiqni ritmikën e këtij sporti, në Shqipëri dhe në Europë e Botë?

Nëpërmjet televizorit ndjek çdo veprimtari kombëtare e ndërkombëtare të notit. Kam ndjekur me shumë interes garat e Notit në Olimpiadën Botërore të Parisit 2024, dhe gjithë të tjerat. Në takime me ish notarë, flasim shpesh për garat në notin shqiptar.

Si e mbani mënd garën e fundit që keni parë në notin shqiptar, pasi jeni larguar nga aktiviteti si notar e trajner?

Pasi u largova si notar në vitin 1977, duke qënë trajner me të Rinjtë e Butrintit kam ndjekur të gjitha garat sezonale. Në fakt, kur më është krijuar mundësië në Sarandë e Durrës, kam ndjekur gara dhe maratona të notit. Ndjehem mirë kur i shikoj.

Sot, ndjeheni emocionalisht dhe fizikisht që të jeni në aktivitet, pse jo edhe të trajnoni një ekip noti?

Emocionalisht unë ndjehem sikur notoj e garoj, por fizikisht e kam të pamundur. Ndërsa për të trajnuar nuk e kam menduar asnjëherë pasi u largova në vitin 1978. Me shpirt dhe me zemër jam gjithmonë aty ku Noti “noton”, në det dhe në pishinë.

Ka disa vite që funksionon SHKVN në Shqipëri, sa vlerë ka kjo për ju veteranët e Notit?

Një shoqatë si kjo, mendoj se ka vlera të mëdha për historinë e notit shqiptar. Duke u takuar brezat, e kanë hequr “pluhurin” e histories. Por mendoj se kjo duhet të ketë edhe më shumë breza notarësh. Do jem këtë sezon në Sarandë në takimin e përvitshëm që Shoqata e Vetaranëve do organizojë.

E kujtoni rastin më të fundit kur jeni larë në det, apo edhe në pishinë?

Patjetër që po, në verën e vitit të kaluar (2025). Emocionalisht dhe fizikisht jam ndjerrë mirë sa herë lahem në det, vite më parë shumë rrallë edhe në pishinë. Kam dashuri për detin, dhe këtë verë do jem përsëri në garë me veten në ujin e kripur.

Gjithë vitet e karrierës suaj si notar, sot kaluan në një film me metrazh të shkurtër dhe domethënës, sa ju ngacmuan emocionalisht?

Shumë! Unë mes emocionit u mundova të sjell kujtimet që edhe sot nuk më janë ndarë nga kujtesa. Në këtë moshë që jam, unë mendoj se është pozitive të kujtohet karriera për çdo sportisti. Kujtohet e kaluara e pakthyeshme, që  ne të jetojmë edhe mes nostalgjisë.

Kam qënë i dashuruar vetëm me sportin e notit. Në Sarandë, ky sport sikur të “rrëmbente”, sepse e gjithë rinia e kohës e kishte pasion. Edhe unë zgjodha notin si sportin më tërheqës, i cili më dha emrin e mirë gjatë karrierës si kampion e rekordmen

Karrierë e shkurtër, por vetëm kampion e rekordmen

“Unë kam garuar në periudhën 1968-1977. Me Butrintin në periudhën 1968-1972, me Studentin 1972-1976, pasi isha student në Fakultetin Ekonomik në Tiranë. U riktheva me Butrintin në 1976-1977 dhe jam larguar shumë i ri, sepse erdhën rrethanat të tilla. Karrierën si notar në elitën e notit shqiptar e nisa në Durrës në vitin 1970, dhe po në Durrës e mbylla në vitin 1977. Kujtoj që kam garuar në dy garat e mia të preferuara, 200 m dhe 400 m Katërnotim, duke e mbyllur me vënd nderi. Deti ishte për ne gjithçka, ishte shtëpia e notit”.

Mjeshtër i Madh

Trajneri Sulejman Poda

Spiro Angjeli ka qënë notar i kompletuar

Mjeshtri i Madh Sulejman Poda ka qënë në pesë vite trajner i Spiro Angjelit, dhe për këtë periudhë, ai tregon se Spiro ishte një notar i kompletuar, dhe mbi të gjitha,  një njeri i mirë. “Në vitet kur ishte student në Tiranë, Spiro ishte notar i ekipit të Studentit. Me performancën e tij ai e përfaqësoi me sukses këtë klub, madje edhe duke kapur edhe normat e Mjeshtrit të Sportit. Spirua ka qënë jo vetëm një nga notarët më kërkues dhe i rregullt në stërvitje, por edhe një student i shkëlqyer. E kujtoj si një notar shumë puntor në stërvitje, i kompletuar dhe me një pasion e vullnet të veçantë. Dallohej për korrektesën e tij të admirueshme, dhe sot të rinjtë e notit shqiptar duhet ta kenë si një shembull. Atëhere ai kishte edhe një pasion tjetër, gjuhët e huaja”, kështu e vlerëson trajneri Sulejman Poda ish-notarin e tij, Spiro Angjeli.

1

KARRIERA

Karriera e Spiro Angjelit si notar i elitës në notin shqiptar shtrihet në harkun e viteve 1968-1977, si kampion dhe rekordmen

2

EKIPET

Tre ishin ekipet që Spiro Angjeli përfaqësoi në karrierën e tij si notar i elitës në Shqipëri: Butrinti, Studenti dhe Kombëtarja

KONSIDERATA DHE VLERËSIME

SADIK MEMA, MJESHTËR I MADH

Spiro ishte kampion dhe rekordmen i pa diskutueshëm

Mjeshtri i Madh Sadik Mema, ka patur bashkëpunim gjatë karrierës së tij me Mjeshtrin e Sportit Spiro Angjeli. Madje ai kujton më shumë kohën kur ishin në Kinë, atje ku Spirua tregoi formën e tij më të mirë në Katërnotim. “Gjatë karrierës sime si notar, me Spiro Angjelin kam shumë kujtime, kryesisht kur në përbërje të ekipit kombëtar të notit ishim së bashku në Kinë. Si notar, Spiro ishte kampion dhe rekordmen i pa diskutueshëm, kryesisht në garat e stilit Katërnotim në distancat 200 m dhe 400 m. Në atë periudhë kur ai garoi, këto konsideroheshin si garat më të vështira, sepse kërkonin përgatitje të madhe fizike, si edhe një teknikë të lartë në të katër mënyrat e notimit. Kujtoj se Spiro ka garuar në nivele të larta edhe në stilin Shpinë dhe në Delfin, dhe në atë periudhë ai ka mbetur si intelektuali i ekipit kombëtar të notit, sepse fliste disa gjuhë të huaja. Por Spiron e rendit në brezin e artë të notarëve të Butrintit, me Muçon, Koten, Didatin e Çakulin, që ishin notarët më të mirë të kohës. Edhe sot, për Spiron ruaj kujtimet e një shoku të mirë dhe të respektuar”, kështu e vlerëson Sadik Mema ish-kolegun e tij notar, Spiro Angjeli.

Spiro ishte një notar këmbëngulës, serioz dhe me pasion

Mjeshtri i Sportit Myrteza Didati, ka qënë notar bashkëkohës me Spiro Angjelin. Te ekipi i Butrintit, Didati e kujton Spiro Angjelin me shumë respekt e vlerësim “Unë, Spiro Angjeli dhe Shpëtim Kote kemi qënë në një brez notarësh te Butrinti. Ndërkohë që Spiro kishte filluar të notonte Delfin, ndërsa Shpëtim Kote bënte Katërnotim, garë që më pas e morri Spirua. Ishte shumë pasionant, këmbëngulës dhe një kampion që në vitin 1971 ka thyer rekordin kombëtar të notarit të Madh, Jani Hondro. Në kampionatin kombëtar në Durrës, unë edhe ai së bashku thyemë 7 rekorde kombëtare. Në të gjithë këtë karrierë, për mua ai ka qënë një notar serioz, i sjellshëm dhe shumë këmbëngulës në stërvitje dhe garë. Trajneri Esat Mamaca, në gara kontrrolli e veçonte Spiron si notar elite, dhe këtë ai e shpërbleu edhe kur vajti në Kinë, sepse rezultatet e tij në Katërnotim erdhën në përmirësim të dukshëm. Kur shkoi me ekipin e Studentit, e vazhdoi karrierën në pesë vite si notar elite, ndërkohë që pasi përfundoi Fakultetin Ekonomik, kishte pasion për gjuhët e huaja. Ishte njeri studiues”, ishte ky vlerësimi i Myrteza Didatit për Spiro Angjelin.

 

CV Sportive

Spiro Angjeli

Datëlindja: 27 dhjetor 1953 

Vendlindja: Durrës   

Vendbanimi: Tiranë

Arsimi: Universiteti i Tiranës, Dega Ekonomi Politike

Profesioni: Ekonomist

Sporti që ka ushtruar: Notin

Starti i karrierës në elitë: Në vitin 1968 me Butrintin në Sarandë

Skuadra e parë elitare në karrierë: Butrinti i Sarandës në vitin 1968

Stili i preferuar në gara: Katërnotim, por edhe në stilet Shpinë dhe Delfin

Skuadrat në karrierë: Butrinti në periudhën 1968-1972, Studenti 1972-1976, Butrinti 1976-1977

Gara e parë kombëtare në karrierë: Në vitin 1971, Kampionati Kombëtar në Durrës

Rekordi i parë kombëtar: Në vitin 1971 në Durrës, ka mundur Mjeshtrin Jani Hondro në garën 200 m Katërnotim

Me Kombëtaren shqiptare të Notit: Në periudhën 1972-1977; dy herë turne ndërkombëtar në Kinë në vitet 1972 dhe 1975

Gara e fundit kombëtare në karrierë: Në vitin 1977 në Durrës, në 200 m dhe 400 m Katërnotim nënkampion

Rekordi i fundit kombëtar: Në vitin 1976 në Sarandë, në 200 m dhe 400 m Katërnotim

Fitues në gara: Në periudhën 1972-1977 fitues në të gjitha garat Katërnotim, distancat 200 m dhe 400 m

Tituj e trofe si notar: Kampion Kombëtar dhe fitues i të gjithë trofeve sezonalë në periudhën 1972-1977

Karriera si trajner: Në periudhën 1977-1978 trajner i ekipit të Rinj, Butrinti

Vlerësime, tituj e dekorime: Mjeshtër Sporti

Aktualisht: Në pension

Shprehet Spiro: Jam gjithmonë aty ku Noti “noton”!

Në bisedën me Spiro Angjelin, kishte shumë detaje ku mund të qëndroje më gjatë. Në ekstraktin e karrierës së tij, Mjeshtri sarandiot foli me “ekonomi” por saktë, dhe ky paragraf ndoshta flet më shumë se fjalët. “Emocionalisht unë ndjehem sikur notoj e garoj, por fizikisht e kam të pamundur. Ndërsa për të trajnuar nuk e kam menduar asnjëherë pasi u largova në vitin 1978 nga të Rinjtë e Butrintit. Unë me shpirt dhe me zemër jam gjithmonë aty ku Noti “noton”, në det e pishinë”.

Spiro Angjeli, kujtesë me “ekonomi”, të folur në disa gjuhë të huaja

Në karrierën time si gazetar sportiv, shumë rrallë kisha dëgjuar e takuar sportistë që të flisnin disa gjuhë të huaja (Anglisht,Gjermanisht,Filandisht,Greqisht,Italisht,Rusisht,etj). Por kur Ëngjëll Musai, Drejtori i gazetës “Telegraf”, dhe Mjeshtri i Madh, Sadik Mema më mundësuan të takohesha me Mjeshtrin e Sportit, ish-notarin Spiro Angjeli, njoha një personalitet që edhe fjalët i kishte të ekonomizuara, por të logjikshme. Përqëndrimi i tij për një kujtesë të përafërt, më trazoi në bisedë për të mi thënë në disa gjuhë të huaja (edhe pse unë kuptoja një ose dy prej tyre). Dhe jo vetëm kaq, sepse Spiro nisi ti tregonte në gjuhë të huaj edhe eventet që kishte kaluar gjatë karrierës, njëherësh edhe ato që ndiqte nga ekrani dhe lexonte në shtypin sportiv periodik. Një notar kampion e rekordmen që u bë ekonomist, sot jashtë detit dhe pishinës, është një kampion dhe rekordmen në gjuhët e huaja që zotëron. Respekt!