Spanja kualifikohet me “manita” ndaj Sllovakisë, Suedia fiton dhe e mbyll në krye (VIDEO)

203
Sigal

Spanja nuk lë vend për surpriza, duke fituar me një lehtësi të frikshme duelin e fundit. Skuadra e Luis Enriques zhvilloi një ndeshje perfekte në duelin e fundit të luajtur ndaj Sllovakisë, duke fituar me lehtësi 5-0 në Sevilla. Iberikët kishin shansin që të kalonin në avantazh që në minutën e 10-të, teksa Koke fitoi një 11-metërsh pas një faulli brenda zonës, arbitri Kuipers u ndihmua nga VAR. Nga pika e bardhë shkoi Alvaro Morata, por sulmuesi i Juventusit do të ndalej nga një pritje fantastike e portierit Dubravka. Portieri i Sllovakisë do të vijonte që të bëhej protagonist në këtë ndeshje. Në minutën e 30-të, Sarabia gjen traversën, ndërkohë që më pas “gardiani” e devijon vetë në rrjetën e portës së tij.

Spanja nuk u mjaft me kaq, teksa në shtesën e pjesës së parë gjeti edhe golin e dytë me mbrojtësin Laporte që bën sulmuesin me një goditje të saktë me kokë. Në fillimin e fraksionit të dytë, ekipi i Enriques do të gjente një tjetër gol me Alaba-n, që shërbeu pasim në zonë për Sarabia. Ky i fundit me një goditje të saktë e dërgon topin në kuadrat.  Goleada në fakt nuk do të merrte fund këtu. Ferran Torres dhe Pau Torres menjëherë pas hyrjes së tyre në fushën e lojës, në harkun e pak sekondave arritën që të shënonin. Talenti i City-it, shënoi me një goditje me thembër, ndërkohë që Pau me një goditje me kokë. Në minutat e fundit iberikët ulën ndjeshëm ritmin, ndërkohë që trajneri Enrique u dha hapësirë edhe futbollistëve të tjerë. Në raundin e 1/8-ve, Spanja do të përballet me Kroacinë më 28 qershor në orën 18:00.

Suedia mori një fitore 3-2 vetëm në sekondat e fundit kundër Polonisë dhe e mbyll në vendin e parë në Grupin E. Dueli nisi menjëherë me gol, teksa që në minutën e dytë, Forsberg pas një këmbëngulje të gjatë arriti që të shënonte. Sulmuesi i Suedisë bëri të njëjtën gjë edhe në fillimin e pjesës së dytë, pas një asisti të dhënë nga Kulusevski. Polonia reagoi menjëherë duke rihapur ndeshjen me një “perlë” të Lewandowskit. Bomberi i Bayernit shënoi një gol shumë të bukur me një goditje me të djathtën. 6 minuta nga fundi i ndeshjes, Lewandowski do të kontrollonte mjaft mirë topin në zonë dhe më pas me një kthesë të bukur arriti që të shënonte. Në fundin e kohës shtesë të ndeshjes, Claesson shënoi dhe golin e fitores, që e kualifikon si e para skuadra e Suedisë.