Sot ndeshjet e Superligës, faza e dytë fillon me qëllime të reja

575
Sigal

Sot hapet faza e dytë e Superligës, me ndeshje që përsërisin edhe një herë radhën e nisjes së këtij kampionati në gusht. Rinisin edhe një herë të gjitha sfidat për skuadrat që pretendojnë të fitojnë kampionatin por edhe për skuadrat që pretendojnë të jenë edhe sezonin e ardhshëm pjesë e këtij kampionati. Partizani-Tirana, dyshja kryesuese, do të përpiqen të ndjekin të njëjtin hap ndaj njëra-tjetrës, me “demat” që kanë një takim shumë të vështirë me Laçin, që dita-ditës po forcohen edhe më shumë. Kujtojmë këtu që edhe në ndeshjen e parë, Partizani ka arritur vetëm një barazim të  mundimshëm ndaj laçianëve. Ndërkohë që Tirana do të ndeshet me Apoloninë, që përsëri nuk pritet të ketë ndonjë problem të madh për bardheblutë, edhe pse fierakët janë shumë të vështirë për tu mundur në territorin e tyre. Ndeshje tjetër e rëndësishme është edhe ajo mes Kukësi dhe Vllaznisë, një takim që i jep shpresë kuksianëve për të marrë fitoren e dytë rresht, duke qenë se përballë do të kenë një Vllazni edhe më të dobët se në fillimin e sezonit. Fitorja për Kukësin është vetëm detyrim, duke parë që janë vetëm 2 pikë larg kreut të renditjes dhe mjafton një barazim apo rrëshqitje rezultati nga dy të parat për të rimarrë kreun edhe një herë, pas dy javësh që ia lëshuan Tiranës. Skënderbeu duket se do ta ketë si një shëtitje ndeshjen ndaj Elbasanit, që edhe pas kaq javësh, vetëm e ka fuqizuar formën e dobët por nuk e ka ndryshuar atë. Fitorja e Skënderbeut do të ishte e dyta rresht, pas asaj ndaj Vllaznisë javën që shkoi dhe me këtë rezultat dhe sidomos lojë, korçarët treguan se janë rikthyer në formë dhe rivalizojnë seriozisht për titull. Ndërkaq, takimi i pestë është mes Teutës dhe Flamurtarit, dy skuadra që vijnë pas humbjesh në javën e 9-ë dhe fitorja është shpëtim për të dyja, që nga Teuta që do ti shmanget rënies së lirë nga kategoria por edhe për Flamurtarin, që po përfshihet çdo ditë e më shumë në një krizë rezultatesh.

Në javën e parë të Superligës, janë luajtur të njëjtat takime, tani do jenë ndeshjet e kthimit, por mbetet për tu parë nëse do të kemi të njëjtat rezultate apo jo. Në fakt që në ndeshjen e parë, skuadrat kanë pësuar ndryshimet e tyre, mes të cilave Tirana, Partizani dhe Laçi kanë arritur të bëjnë më mirë, duke lënë në hije disi kampionen në fuqi, Skënderbeun. Gjithashtu edhe Flamurtari që pritej nga të gjithë si pretendente, deri më tani nuk e ka thënë akoma fjalën e vet. Faza e dytë sigurisht që i gjen skuadrat më të përgatitura dhe më në formë, e tani mbetet vetëm për të parë rezultatet e secilës dhe ndryshimet që mund të pësojnë në vazhdimësi.

Java e 10-ë

Kukësi 14:00 Vllaznia

Skënderbeu 14:00 Elbasani

Teuta 17:00 Flamurtari

Partizani 17:00 Laçi

Apolonia 17:00 Tirana

 

Rezultatet e Javës së 1-rë

Vllaznia 1-2 Kukësi

Elbasani 0-1 Skënderbeu

Flamurtari 2-1 Teuta

Laçi 1-1 Partizani

Tirana 3-0 Apolonia

# Skuadra ND F B H GSH GP P
1 Tirana 9 5 3 1 11 5 18
2 Partizani 9 5 3 1 7 2 18
3 Laçi 9 4 4 1 12 5 16
4 Kukësi 9 5 1 3 10 7 16
5 Skënderbeu 9 4 3 2 9 4 15
6 Flamurtari 9 3 4 2 9 6 13
7 Vllaznia 9 3 2 4 6 10 8
8 Teuta 9 2 1 6 8 9 7
9 Apolonia 9 2 1 6 3 14 7
10 Elbasani 9 1 0 8 4 17       3

 

FSHF, e para Kombëtare në Gjykatën e Arbitrazhit

 Federata Shqiptare e Futbollit mund të bëhet e para Kombëtare që dërgon për rishqyrtim vendimin e Komisioneve të UEFA-s në shkallën e tretë dhe të fundit të gjykimit sportiv, në Komisionin e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës.

Deri më tani, asnjë Federatë Europiane nuk ka kontestuar asnjë vendim të UEFA-s, deri në këtë shkallë, por maksimumi deri në gjykatën e Apelit, duke e pranuar atëherë tërësisht vendimin e UEFA-s, cilido qoftë ai. Kjo shkallë gjykimi në fakt është e hapur vetëm për çështjet e Kombëtareve Përfaqësuese, ose A siç quhen dhe për çështje që vetë futbollistët mund të kenë ngritur kundër federatës, por çdo gjë ngelet në brendësi të Kombëtares A..

Humbja e ndeshjes në tavolinë ndaj Serbisë, u quajt si një vendim absurd dhe i pa drejtë nga pala shqiptare dhe e kanë parashtruar Gjykatën e Arbitrazhit si mundësi që para se të merrej vendimi. Ndërkohë që interesi kryesor i Shqipërisë nuk është përsëritja e ndeshjes apo rëndimi i pozitave të Serbisë, por vetëm fitorja në tavolinë e ndeshjes që në bazë të të gjitha rregullave i takon me të drejtë Shqipërisë. Kuptohet që një rrugë e tillë, do të ndiqet nga FSHF vetëm në qoftë se Apeli do të marrë po të njëjtin vendim ashtu si edhe Komisioni i Disiplinës pranë UEFA-s. Në qoftë se ndodh kështu, trajtimi i çështjes nga CAS(Gjykata e Arbitrazhit) paraqitet me një interes të veçantë nga të gjithë dhe jo vetëm nga palët e interesuara.