Simeone i “pangopur”, kërkon edhe Edinson Cavanin

430
Sigal

Atletico Madrid gjatë verës bëri një merkato të fuqishme duke afruar Joao Felix për shifrën e 126 milionë eurove, por kjo duket se nuk mjafton për trajnerin Diego Simeone, i cili kërkon përforcime të tjera në repartin e sulmit. Edinson Cavani është në vitin e fundit të kontratës me Paris Saint Germain dhe negociatat mes tij dhe klubit francez për të zgjatur bashkëpunimin nuk po shkojnë aspak sipas pritshmërive.

Francezët duke parë moshën thuajse 33-vjeçare të sulmuesit uruguaian, janë gati t’i ofrojnë zgjatje të kontratës për një tjetër vit, por me pagë më të ulët sesa ajo aktualja. Cavani, aktualisht është duke u rikuperuar nga një dëmtim, vijon të ngulmojë se do të pranojë të ulë pagën vetëm nëse i ofrohet një kontratë e vlefshme për 3 vitet e ardhshme.

Uruguaiani mund të vendosë që të transferohet te Atletico Madrid, ku do të formonte një sulm të frikshëm me Diego Costën dhe Joao Felix. “Los Colchoneros” ka filluar kontaktet e para me menaxherët e sulmuesit dhe janë gati t’i ofrojnë atij një kontratë 3-vjeçare me pagë 7 milionë euro në sezon, shifra këto që duket se kënaqin edhe vetë Cavanin.