KATEGORIA E PARË/ Flet për “Telegraf” trajneri i skuadrës dibrane, Shpendi Kumbarçe, i kënaqur me renditjen
Agron Kaja
“Futbolli ka ulje e ngritje dhe të papritura, ndaj dhe ne i shohim rivalë të gjithë ekipet. Korabi ka disa vite që është një nga skuadrat e ndërtuar për t’u ngjitur në Superiore, dhe këtë vit jemi në rrugën e duhur.”
Skuadra e Korabit i mbylli dy fazat e para të kampionatit të Kategorisë së Parë 2023-2024 me një renditje në vendet e kreut në tabelë. Këtë paraqitje, kjo skuadër e ka patur në vazhdimësi në tre-katër sezonet e fundit, madje është ndeshur në dy raste edhe me skuadra të Superiores për t’u ngjitur në këtë kategori. Edhe në këtë sezon, dibranët renditen në grupin e katër skuadrave që do ndeshen mes tyre në Play-off, për të përcaktuar skuadrën që më pas ndeshet me skuadrën e vendit të 8-të të Superiores, për t’u ngjitur në atë kategori. Për formën që po kalon skuadra, dhe për problematikat që ajo ka ndeshur në këtë rrugëtim 23 javor, trajneri Shpendi Kumbarçe tregoi për gazetën “Telegraf” se është një skuadër e riorganizuar mirë, ku ka alternime të brezave të lojtarëve. “Duke ju referuar mënyrës se si e nisëm fazën përgatitore dhe probleatikave që na dolën, fillimisht kishim një ngërç që po na mbante në fundin e renditjes. Por më pas u organizuam, edhe pse bëmë një nisje të vështirë, kryesisht në fazën e parë. Kështu që gjërat erdhën në rritje, në përmirësim, edhe pse gjatë këtyre 23 javëve kemi patur edhe luhatje, por këto janë pjesë e organikës që aktualisht kemi në skuadrën tonë. Sepse skuadra nuk e ka eksperiencën e duhur, ndaj edhe luhatjet i kemi quajtur të pranueshme, pa ndikim në rezultatet që kemi arritur”, -kështu e nisi bisedën tekniku dibran Kumbarçe, i cili më pas thekson se mbështetja që kanë pasur nga Presidenti i skuadrës dhe nga Bashkia e Peshkopisë, e ka bërë më të fortë skuadrën. “Në këtë sezon, si edhe në gjithë të kaluarit, Korabi ka patur mbështetjen e fuqishme të presidencës, por edhe të Bashkisë, të cilët unë gjej rastin që t’i falenderoj. Kjo mbështetje i ka dhënë më shumë moral skuadrës, duke u përfaqësuar denjësisht në kampionat. Nuk e teproj të them se nga të dy këta, ne jemi mbështetur me grumbullime, akomodime e ambiente stërvitore, sikundër një skuadër e Abissnet Superiore”. Ndërkohë, tekniku Kumbarçe thekson se Korabin nuk e tremb asnjë skuadër rivale, ku ai thekson se të gjitha ekipet, që renditen poshtë tyre në tabelë, mund të jenë rivalë deri në fundin e kampionatit. “Futbolli ka ulje e ngritje dhe të papritura, ndaj dhe ne i shohim rivalë të gjitha ekipet, sepse janë edhe 24 pikë deri në mbylljen e kampionatit. Korabi ka disa vite që është në këtë zonë, një nga skuadrat për t’u ngjitur në Superiore dhe këtë vit jemi në rrugën e duhur. Me kontigjentin ku kemi ndërthurur eksperiencën me elementin e ri, ne kemi një ekip të denjë për t’u ngjitur në Superiore. Kemi lojtarë si Mziu, Vila, Marku e Kasalla me shumë përvojë, por edhe një grup të rinjsh ku spikatin Shehu, Buci e disa të tjerë që premtojnë shumë”.
ABISSNET SUPERIORE
NDESHJET, JAVA 27
E dielë 10 mars 2024
Kukësi-Laçi 14:00
Erzeni-Partizani 14:00
Tirana-Egnatia 17:00
E hënë, 11 mars 2024
Dinamo City-Teuta 17:00
Skënderbeu-Vllaznia 17:00
“Rekordi” me trajnerët, Laçi barazon Kukësin!
Javën e kaluar, në gazetën “Telegraf” u botua një shënim lidhur me trajnerët, që kanë drejtuar në Abissnet Superiore për sezonin në vazhdim 2023-2024. Deri atëhere, në stolat e 10 skuadrave ishin ulur 22 trajnerë, me skuadrën e Kukësit të quajtur si “rekordmene” dhe fituese e trofeut, me katër trajnerë në 24 javë. Por këtë “rekord” e barazoi Laçi në javën e 26-të, pasi ka shkarkuar Mirel Josën, i cili u ul në stolin kurbinas pas largimit të Skerdi Bajzades, që nga ana e tij kishte zëvendësuar Stavri Nicën. Armando Cungu bëhet i katërti trajner në bankinën kurbinase, i cili rikthehet në Laç pasi e ka drejtuar në vitet 2014-2015 dhe 2019-2020. Nuk i dihet nëse “rekordi” laçian do mund të thellohet në 10 javët e mbetura.
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Egnatia 26 50
2.Vllaznia 26 46
3.Partizani 26 43
4.Skënderbeu 26 37
5.Dinamo City 26 36
6.Tirana 26 35
7.Laçi 26 30
8.Teuta 26 28
9.Erzeni 26 26
10.Kukësi 26 19
23 JAVË
Kategoria e Parë ka luajtur 23 javë të kampionatit, ku Bylisi dhe AF Elbasani kryesojnë renditjen dhe janë pranë ngjitjes direkte në Superiore. Ndërsa Tomori dhe Luzi 2008 renditen në dy vendet e fundit që të zbresin direkt në Kategorinë e Dytë. Katër skuadrat në vendet 3, 4, 5, dhe 6 luajnë Play-off me skuadrën e vendit të 8-të të Abissnet Superiore.
KATEGORIA E PARË
NDESHJET, JAVA 24
E shtunë, 9 mars 2024
Lushnja-Apolonia 14:00
Kastrioti-Flamurtari 14:00
Burreli-Vora 14:00
Besa-AF Elbasani 14:00
Luzi 2008-Bylis 14:00
Korabi-Tomori 14:00
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Bylis 23 55
2.AF Elbasani 23 53
3.Vora 23 45
4.Flamurtari 23 42
5.Apolonia 23 34
6.Korabi 23 32
7.Lushnja 23 26
8.Burreli 23 25
9.Kastrioti 23 23
10.Besa 23 19
11.Luzi 2008 23 15
12.Tomori 23 14