SHORTI I EURO 2024/ Agron Kaja: Shqipëria në grup të vështirë, e para me Italinë

37

Goglat që u hodhën në Hamburg, përcaktuan grupet e “Gjermani 2024”

Sigal

Agron KAJA

Në Hamburg të Gjermanisë u hodh shorti i ndeshjeve të Kampionatit Europian të Futbollit, në të cilin merr pjesë edhe Kombëtarja shqiptare e drejtuar nga braziliani Zilvinjo. Nga Shqipëria, të pranishëm në këtë ceremony të shortit ishin të pranishëm edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, trajneri i Kombëtares Sylvio Mendes Campos Junior, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, Menaxheri i Kombëtares, Neritan Babamusta dhe drejtori i komunikimit në FSHF, Fatjon Kodra. Dhe gogla e kanë përcaktuar rrugëtimin e Shqipërisë në “Euro 2024”, ndoshta duke qënë pak kapriçioz, pasi me Spanjën, Italinë e Kroacinë duket sikur jemi në “grupin e ferrit”. Kësisoj, duket se shorti ka qenë i pamëshirshëm me kuqezinjtë, pasi ka vendosur skuadrën e tonë Kombëtare me këto tre skuadra që kanë pretendime për ta fituar këtë turne. Në shortin e hedhur në Hamburg, Shqipëria është vendosur në vazon B, ku gjendej Spanja si kokë grupi. Më pas ka qenë radha e Kroacisë të dilte nga vazot e shortit dhe në fund e Italisë, duke bërë që ky të jetë “grupi i ferrit” i këtij Europiani. Nga Presidenti Duka dhe trajneri Silvinjo pritej që të kishin përballë skuadra si Serbia ose Rumania, por goglat “nuk ua plotësuan” këtë dëshirë.

Një short që ka rezultuar jo shumë me fat për ekipin kuqezi, ndërsa kalendari i aktivitetit do ti shohë kuqezinjtë të zbresin në fushë për herë të parë më 15 qershor në përballje me Italinë në “Vestfalenstadion” të Dortmundit, ora 21:00. Ndeshja e dytë e kombëtares shqiptare do të luhet më datë 19 qershor, ora 15:00, kur përballet me Kroacinë në “Volksparkstadion” në Hamburg. Ndërkohë që ndeshja e tretë në grup e kuqezinjve do jetë përballë Spanjës, në sfidën e cila do të luhet më 24 qershor në “Merkur Spiel-Arena” të Dyseldorfit, ora 21:00.

Por edhe pse duhen rreth gjashtë muaj nga nisja e Europianit, atmosfera është ndezur në Hamburg, ku disa shqiptarë që banojnë aty kanë qenë të pranishëm në hyrje të godinës ku hidhej shorti, duke pritur delegacionin shqiptar. Një pritje e ngrohtë për trajnerin Silvinjo, teksa nuk kanë munguar autografet dhe elozhet për 49-vjeçarin e bankinës kuqezi.

DEKLARATA PAS SHORTIT

Silvinjo, trajner i Shqipërisë

“Grupi është i vështirë, por të gjitha janë të vështira. Kemi Kroacinë, Spanjën dhe Italinë që janë mësuar të luajnë në këto kompeticione. Do të provojmë të tregojmë forcën tonë, është një sfidë e bukur. Ndoshta luajmë në çerekfinale dhe gjysmëfinale”.

Armand Duka, President i FSHF-së

“Nuk besoj se ka grup të lehtë dhe ekipe të dobëta, sepse këtu vijnë skuadrat më të mira. Unë dua të falënderoj futbollistët, stafin, trajnerin Silvinjo dhe tifozët, që e sollën Shqipërinë në Europian. Ta shijojmë këtë sukses dhe të përgatitemi për finalet e Europianit”.

GRUPET PAS SHORTIT

GRUPI A

Gjermani, Skoci, Hungari, Zvicër

GRUPI B

Spanjë, Kroaci, Itali, Shqipëri.

GRUPI C

Slloveni, Danimarkë, Serbi, Angli.

GRUPI D

Play-off A, Holandë, Austri, Francë

GRUPI E

Belgjikë, Sllovaki, Rumani, Play-off B

GRUPI F

Turqi, Play-off C, Portugali, Çeki

KALENDARI I SHQIPËRISË

Datë 15 qershor 2024

Shqipëri-Itali   Ora 21:00

Stadiumi: Vestfalenstadion

Në Dortmund

Datë 19 qershor 2024

Kroaci-Shqipëri           Ora 15:00

Stadiumi: Volksparkstadion

Në Hamburg

Datë 24 qershor 2024

Shqipëri-Spanjë           Ora 21:00

Stadiumi: M. Spiel-Arena

Në Dyseldorf

Thirrja e tifozerisë: Gjermani, shqipet po vijnë!

Pas hedhjes së shortit, ka reaguar edhe tifozeria kuqezi. “Gjermani, shqipet po vijnë”, ky është postimi i Tifozave Kuq e Zi, menjëherë pas goglave. As emrat e mëdhenj të futbollit europian duket se nuk i trembin mbështetësit e Kombëtares sonë. Ndërsa UEFA ka vendosur vetëm 10 mijë bileta për tifozët e një Kombëtareje për ndeshje, dhe shitjen e zgjedh federata përkatëse. “Të gjitha këto bileta do të shpërndahen në përputhje me mënyrën se si çdo federatë përkatëse dëshiron t’u shesë biletat tifozëve të vet. Tifozët që nuk përmbushin kriterin e vendosur nga federata e tyre përkatëse, apo që nuk mbështetin një skuadër specifike, të aplikojnë deri më 12 dhjetor, nëpërmjet një lotarie publike në EURO2024.com/tickets”.