Shkumbini dhe “shterimi” i një lumi, Duli: Fitoren e merituam, nuk e vodhëm

978
Sigal

Nga Agron KAJA

KATEGORIA E PARË/ Pas dhunës ndaj arbitrit, në Peqin rikthehen “fantazmat” e kohëve të shkuara, flet trajneri koplikas

Ndërkohë që arbitri Klajdi Kola sinjalizoi përfundimin e sfidës për Kategorinë e Parë, Shkumbini-Veleçiku 0-1, një futbollist peqinas (Albano Isaj) ka bërë boksierin. Ai ju drejtua me grushte kryesorit Klajdi Kola, duke u ndëshkuar më pas me kartonin e kuq. Kjo ishte kronika e dhunës, të shtunën e shkuar në stadiumin “Selman Stërmasi”, ndërkohë që reagimet kanë qenë të menjëhershme, nga FSHF-ja dhe Shoqata e Arbitrave të Shqipërisë. Këto radhë në nisje të këtij shkrimi, janë detyrim profesional dhe kontribut i gazetës “Telegraf” kundër fenomenit të dhunës në futboll. Ndërkohë që dje, për suksesin e skuadrës së Koplikut, trajneri Besnik Duli, ish-futbollist i Naftëtarit në periudhën 1985-1990, për gazetën deklaroi se skuadra e tij e meritoi këtë sukses. “Ne erdhëm në Tiranë vetëm me synimin për ta fituar ndeshjen me Shkumbinin, dhe ja arritëm, falë lojës së mirë që zhvilloi skuadra jonë. E merituam ngjitjen në Kategorinë e Parë, dhe do të thosha se këtë sukses ne nuk e vodhëm në këtë finale. Absolutisht jo, vetëm se e kemi merituar pas një pune disa vjeçare me skuadër. Në Kategorinë e Dytë është zhvilluar një garë e fortë, por ne besuam deri në këtë ndeshje Play-out, dhe e merituam”, kështu theksoi fillimisht trajneri i Veleçikut, tashmë pjesë e Kategorisë së Parë duke nisur nga sezoni 2018-2019. Por, duke qenë një ish-futbollist i elitës në rininë e tij, trajneri Duli deklaroi më pas se skuadra do të “mblidhet” më shumë për sezonin e ri. “Duke kaluar një kategori më sipër, është e natyrshme që të bëhen ndryshime nga skuadra aktuale, e cila ka një kontribut të madh në këtë sezon që e mbylli me sukses. Ne do ta “mbledhim” skuadrën, duke e ruajtur bazën, e për këtë unë kam marrë miratimin e Kryetarit të Bashkisë, Tonin Marinaj, dhe të donatorit Shpëtim Halaj. Një sukses ky edhe për tifozerinë e qytetit tonë, e cila ka qenë me skuadrën gjatë gjithë këtij sezoni”, ishte kjo deklarata e trajnerit të Veleçikut, Besnik Duli, pas fitores 1-0 ndaj Shkumbinit. Kështu, në sezonin 2018-2019, në Kategorinë e Parë nuk do të jenë Tërbuni, Naftëtari e Shkumbini, pasi janë ngjitur Elbasani, Vora e Veleçiku.

 

E merituam ngjitjen në Kategorinë e Parë, dhe do të thosha se këtë sukses ne nuk e vodhëm me këtë finale. Absolutisht jo! Një sukses ky edhe për tifozerinë e qytetit tonë, e cila ka qenë me skuadrën gjatë gjithë këtij sezoni

Ndeshjet finale

Datë 16 maj 2018

Finale/ Kategoria e Parë

Tirana-Kastrioti           2-0

(Tirana Kampione)

Datë 17 maj 2018

Finale/ Kategoria e Dytë

Elbasani-Vora             2-5

(Vora Kampione)

Play-out/ Kateg 1-Kateg 2

Datë 17 maj 2018

Vllaznia B-Orikumi     2-2

(Vllaznia B fiton me penallti)

Datë 19 maj 2018

Shkumbini-Veleçiku   0-1

(Veleçiku në të Parën)