INTERVISTA/ Kliton Bozgo: Në Austri e Slloveni, futbolli shqiptar ka shumë interes, Skënderbeu bën diferencën

1047
Sigal

Nga Agron KAJA

Flet për “Telegraf” ish-sulmuesi beratas i kuqezinjve, si e ndjek në ritmikë situatën në Superiore, Kombëtarja dje dhe sot

Sa dhe si e ndiqni nga Sllovenia ritmikën e futbollit shqiptar?

Sot janë krijuar kushtet që të ndjekësh futboll nga e gjithë Bota. Por, unë e ndjek në ritmikë Kategorinë Superiore dhe Kategorinë e Parë, në të cilat mendoj se është bërë progres në shumë drejtime, por që ka edhe mangësi, të cilat përsëriten vit pas viti, sidomos në Kategorinë e Parë.

Në këndvështrimin tuaj, është Superiorja në nivelin e elitës për futbollin shqiptar?

Unë mendoj se ka një dukuri këto vite në futbollin shqiptar, pasi skuadra të traditës që kanë mbajtur peshë në futbollin shqiptar, diskutojnë mbijetesën. Kështu po ndodh edhe me Vllazninë në këtë sezon, ndërsa ka disa sezone që spikasin Kukësi, Laçi e ndonjë skuadër tjetër. Vlora, Shkodra e Durrësi nuk po e gjejnë veten në elitën e futbollit tonë.

Pas javës së 35-të, si e përshkruani situatën e dhjetë skuadrave në Kategorinë Superiore?

Vetëm skuadrat që pozicionohen në ekstremet e renditjes nuk kanë motiv në këto javë të fundit, ndërsa në mesin e tabelës dhe në zonën për mbijetesë, ka pasur luftë të fortë sportive. Tashmë luftohet për një vend në Evropë, por edhe për skuadrën që do të zbresë në Kategorinë e Parë.

Nga skuadrat që kërkojnë Evropën, cilat i shikoni më të favorizuara në këtë javë të fundit të Kampionatit?

Në fakt, gjithçka do të varet nga Skënderbeu, nëse do të lejohet që të luajë në Evropë këtë sezon. Në të kundërt, Kukësi dhe Luftëtari e kanë zgjidhur praninë e tyre në Evropë, ndërsa në dyshim është Partizani, pasi, nëse Laçi e kalon në renditje në javën e 35-të, mbetet jashtë Evrope.

Po Vllaznia me Kamzën, e kanë ndeshje jetike në javën e 36-të?

Natyrisht, sepse renditja për të dyja këto skuadra është shumë e komplikuar. Por, edhe këto skuadra kanë varësi nga të tjerat. Vllaznisë i intereson që Partizani të fitojë me Kamzën, pasi në Korçë shkodranët e kanë të garantuar fitoren. Gjithsesi, keqardhje për Vllazninë që mbetet më e rrezikuar se Kamza.

Kompanitë e basteve në Shqipëri e kanë injoruar Kategorinë Superiore, çfarë tregon për ju ky fakt?

Aludimet i shikoj në të dy krahët, por më logjike është frika që mund të kenë këto kompani nga rezultate të paravendosura, pse jo, edhe nga rezultate të paparashikuar në kuotat e tyre. Në fundin e çdo kampionati në Botë ka edhe lëshime, sepse shumë skuadra humbin motivin pas arritjes së synimeve.

Si ish-kryegolashënues i Superiores, në çfarë situate i përshkruani goleadorët e Superiores në këtë sezon?

Ka diçka më evidente në Superiore, sa i përket golashënuesve. Sepse janë disa sezone që po komandojnë sulmues të huaj, e kjo tregon se në Shqipëri kanë “humbur” talentet e golit. Gjithsesi, ata i kanë merituar golat, si Pejiç në disa sezone resht, dhe Soue në këtë sezon.

Nëse ju kërkoj një prognozë për renditjen e Superiores pas javës së 36-të, cila do të jetë sipas jush?

Këto prognozat janë paksa delikate, sidomos për ne që kemi luajtur futboll dhe nuk i kemi aplikuar ato. Në javën e 36-të të Superiores, mendoj se do të luhet vetëm në ndeshjen Partizani-Kamza, ndërsa të gjitha të tjerat nuk kanë asnjë rëndësi, veç anës zyrtare të tyre.