Serbët masa të rrepta për tifozët e të dy palëve në ndeshjen me Shqipërinë

476
Sigal

Serbët ngrenë pyetjen se pse tifozët e Kosovës duhet të mbështesin Kombëtaren Shqiptare.

Duket se pritet me siklet shumë të madh nga opinioni serb, ndeshja me Shqipërinë me 14 tetor jo vetëm për shkak të publicitetit që ju bë, jo vetëm për shkak të ndalesave që deshën të bënin në lidhje me biletat, por edhe në masat që priten të merren për mbarëvajtjen e ndeshjes. Pritet që të ketë kontrolle dhe masa të rrepta sigurie për të dyja tifozeritë dhe kjo u zbulua nga deklaratat e një përfaqësuesi të Federatës Serbe i cili u shpreh: “Është i pakuptueshëm veprimi i palës shqiptare për të mos bashkëpunuar me ne për mbarëvajtjen e ndeshjes. Duket sikur Shqipëria nuk është palë e interesuar në këtë pjesë. Ne donim që të kishim informacione për çdo person që pajiset me biletë dhe do të vijë në stadium, pasi ndoshta ndonjë nga ata mund të ishte edhe kriminel lufte. Për të mbështetur Kombëtaren e Shqipërisë u dashka të jenë të pranishëm edhe tifozët e Kosovës!! Ne për të qenë të sigurt donim të siguronim të dhënat për çdo person që vjen e kështu çdo gjë do të kishte qenë më e lehtë për secilin prej nesh. Do të ketë kontrolle të rrepta në hyrje të stadiumit, do të ketë edhe policë të veshur civil që do të jenë të infiltruar në mes tifozëve dhe nuk do të lejohet që asnjë tifoz serb të djegë flamurin e skuadrës mike, në të kundërt do të arrestohet, do dërgohet në prokurori dhe pastaj në burg”. Të gjitha këto masa duket se më shumë janë për të ruajtur tifozët serb që do të jenë të pranishëm në stadium, ndërkohë që masat që do të merren, siç janë shprehur edhe pala serbe, do të ndikojnë në mbarëvajtjen e ndeshjes dhe të jenë të gatshëm për të ndaluar “çdo marrëzi”. Por pala serbe siç duket është akoma e vendosur që asnjë tifoz që nuk ka pasaportën shqiptare të mos lejohet të pajiset me biletë. Në këtë rast synimi është që të mos lejohen tifozët shqiptar të Kosovës që të marrin pjesë në ndeshje, siç u bë e ditur edhe në deklaratën e mësipërme ku u shprehen se “pse u dashka që  tifozët kosovar duhet të mbështesin Kombëtaren e Shqipërisë”. Me të vërtetë diçka e çuditshme sipas tyre. Që në fillim në fakt, kanë sulmuar  sidomos tifogrupin “Plisat” që është cilësuar nga pala serbe si një turmë vandalësh që njihen për zhurmën që shkaktojnë në çdo ambient që shkojnë. Ndërkohë që, edhe tifozët shqiptarë, me në krye tifogrupet “Tifozët Kuq e Zi” dhe “Plisat” kanë deklaruar se në Serbi do të shkojnë ose të gjithë bashkë ose nuk do të shkojë asnjë, ndërkohë që edhe i kanë dërguar një letër UEFA-s për këtë çështje duke shprehur shqetësimin e tyre për vendimet e Federatës Serbe. Ndërkohë në letër ata thonë edhe se nuk janë njohur asnjëherë si tifozeri e dhunshme ose të kenë shkaktuar trazira, çka bën që deklaratat e serbëve të jenë të pavërteta sepse gjithmonë ngado që kanë shkuar këto 10 vite kanë marrë vetëm lëvdata.

 

Vllaznia mund të paguajë gjobë për rikthimin e tifozëve në stadium

Pas refuzimit nga Komisioni i Apelit për reduktimin e dënimit në lidhje me vendimin e Komisionit të Disiplinës për trazirat e shkaktuara në Shkodër me 11 shtator 2014 për Vllazninë dhe Tiranën, duket se drejtuesit e kuqebluve po shohin nga “dritarja” tjetër që lejon ligji i sportit. Rregulli e përcakton që skuadrat mund të paguajnë në vlerë monetare pas plotësimit të gjysmës së dënimit, dhe meqë Vllaznia ka 10 ndeshje dënim, deri më tani ka ezauruar dy ndeshje nga pesë që duhet, dhe i bie që ndeshja e parë që do të luhet me tifozë, në qoftë se Vllaznia paguan, do të jetë ajo ndaj Flamurtarit në javën e 13-të të Kampionatit. Një ndeshje do ta luajnë në Kupë ndaj Mamurrasit dhe tjetrën do ta luajnë ndaj Partizanit në javën e tetë të Kampionatit dhe pastaj mbetet vetëm ajo me Teutën në Shkodër për tu plotësuar numri pesë i ndeshjeve pa tifozë në mënyrë që të hapen dyert për ‘vllaznit’ në ndeshjen ndaj Flamurtarit.

Michael Schumacher fiton “garën” me jetën

Sipas deklaratave të bëra nga Presidenti i FIA-s dhe njëkohësisht miku i Schumacher, Jean Todt, u arrit të kuptohej se ish-piloti ndodhet në një gjendje shumë më të mirë shëndetësore se më përpara. Ai u shpreh kështu pas një takimi që kishte pasur në shtëpinë e tij dhe tha që Michael ka bërë hapa shumë të mëdhenj që nga aksidenti dhe gjendja e tanishme jep garanci që ai do ja dali të jetojë përsëri një jetë normale, edhe pse nuk do të mund të pilotojë më. Schumacher u aksidentua gjatë një gare me ski në dhjetorin e vitit që shkoi në Alpet e Francës.

Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit dënohet nga UEFA për racizëm

 Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Carlo Tavecchio përjashtohet nga UEFA 6 muaj nga çdo veprimtari sportive. Ky vendim erdhi pasi presidenti u shpreh pak kohë më parë për lojtarët afrikan që luanin në Itali se ishin si “shitës bananesh”. Këtë deklaratë e ka bërë në prag të zgjedhjes së tij si president, duke shprehur dëshirën që të mos lejonte më futbollistë nga të gjitha anët që të vinin e të luanin në Itali por të zhvillonte nivelin e futbollistëve në vend, duke investuar tek akademitë përkatëse. Tavecchio nuk do të mund të marrë pjesë në kongresin që do të zhvillohet nga UEFA në mars të këtij viti ndërkohë që ky dënim vjen direkt pas atij që mori CSKA Moskës disa ditë më parë, po për arsyen e racizmit.

Burim Kukeli rinovon kontratën me FC Zurich

Futbollisti i Kombëtares Shqiptare, Burim Kukeli, ka rinovuar dje kontratën deri në vitin 2018 me FC Zurich. Në fakt Kukeli është shfaqur si një nga futbollistët më të mirë të skuadrës së tij, duke shënuar edhe gola. Forma që ai ka treguar ka bërë që të në kompromis të dy palët për të firmosur kontratën e rinovimit. Fakt interesant është se pas firmosjes së kontratës, Kukeli bashkë me drejtuesit e FC Zurich kanë bërë shenjën e shqiponjës me duart e tyre